Prokuroria heton “HIB Petrol”

0
875

(E plotësuar)Kompania “Hib Petrol”, është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, nën dyshimin se i ka shitur komunës së Prishtinës vaj për ngrohje. Ndërkaq, kjo e fundit e ka paguar si naftë Eurodisel. Aktualisht një litër naftë ne treg kushton rreth 1,20 euro, e ndërkaq çmimi i vajit për ngrohje llogaritet të jetë rreth 40 për qind më i lirë.

Të mërkurën Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është duke i zhvilluar hetimet ndaj rastit me naftë në shkollat fillore të kryeqytetit.  Hetimet rreth aferës së naftës kanë nisur qysh javën e kaluar pasi që Komuna e Prishtinës, doli publikisht dhe foli për mostrat të cilat tregonin se sulfuri në naftën për ngrohje në rezervuarët e shkollave, ishte 600 përqind më e lartë se normat e lejuara.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka sqaruar se hetimet janë zgjeruar edhe në shkollat tjera te kryeqytetit. Ai ka thënë se prokuroria ka filluar të hetoj edhe kompaninë “Hib Petrol”, por sipas tij ka mundësi që pista të zgjerohet. “Ne kemi filluar qysh javën e kaluar. Prokurorët tanë do të hetojnë të gjitha shkollat dhe po ashtu edhe kompaninë e cila ka furnizuar këto shkolla me këtë naftë”, ka thënë Beka për gazetën “Zëri”.

Komuna i ofron fakte prokurorisë

Edhe zyrtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës bëjnë me dije se i kanë ofruar fakte të mjaftueshme prokurorëve për rastin në fjalë.

Adonis Tahiri nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës, ka thënë se janë duke bashkëpunuar me prokurorët. “Ne i kemi ofruar të gjitha faktet që i kemi, çfarëdo që është kërkuar nga prokurorët ne jemi treguar të gatshëm, vetëm e vetëm që rasti të zbardhet”, ka shtuar Tahiri.

I gjithë skandali u bë publik javën që shkoj kur në gazetën “Zëri” u publikoi një raport laboratorik të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që tregonte se vaji për ngrohje në rezervuarët e shkollës fillore, “Gjergj Fishta” në Prishtinë përmbante sulfur 600 herë më tepër se norma e lejuar.

Pas këtij raportimi të gazetës, kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, kishte urdhëruar që të merren mostrat edhe në tri shkolla tjera fillore nga ku kishte parë se edhe në ato shkolla ishte paraqitur sulfur deri në 700 përqind më tepër se norma e lejuar me udhëzim administrative 07/2012.

Kjo kishte shtyrë Ahmetin që të pezulloj mësimin në të gjitha shkollat e kryeqytetit deri sa Instituti I Shëndetit Publik të Kosovës të dal me një koment të tyre rreth këtyre raporteve laboratorike.

Legalisht s’ka import të vajit

Të hënën pasdite ky institute doli me komentimin e tyre duke bërë situatën edhe ma të pa qartë pasi që në komentin e tyre shkruanin se lënda në rezervuarët nuk është diesel me 10 ppm, por është vaj për ngrohje.  Kjo kishte nxitur debat të gjerë dhe ende nuk është e qartë se çfarë vërtet gjendet në rezervuarët e ngrohtoreve të shkollave fillore të Prishtinës.

Mësimi ka filluar qysh ditën e martë 11 shkurt pasi që Instituti kishte komentuar se kjo përqindje e sulfurit nuk paraqet rrezik për fëmijët pasi që gjendet në rezervuarët e mbyllur dhe nuk është e ekspozuar në hapësirat ku fëmijët do të kishin kontakt me të.

Askund në të dhëna zyrtare të Doganës që ka siguruar gazeta, nuk figuron se gjatë vitit që lamë pas është importuar vaj i cili përdoret për djegie, ashtu siç deklaron Instituti i Shëndetit Publik. Bazuar në dokumentet e të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovës të siguruara të hënën, mësohet se brenda një viti Kosova importon rreth 500 milionë litra derivate, 380 milionë prej tyre naftë, rreth 90 milionë benzinë, 30 milionë litra mazut, si dhe 4 deri në 5 milionë litra vajra hidraulike.

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu