Prokuroria: Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn dhe prishi provat

0
754

Kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi është akuzuar direkt si njeriu që ka vrarë Faik Myrtajn më 21 janar të një viti më parë gjatë protestës së opozitës. Ai ka hapur zjarr nga brenda oborrit të kryeministrisë duke qëlluar me pistoletë në drejtim të turmës. Të 11 plumbat e dalë nga arma e tij kanë qenë në lartësinë e trupit të njeriut dhe drejt turmës. Për fatin e mirë të protestuesve, plumbat e Prendit janë ngulur në gardhin e hekurt kryeministrisë, në murin e saj, në pemë dhe në zyrat e UNHCR-së. Për fatin e keq një nga plumbat i ka marrë jetën Myrtajt.

Por Prendi duket se e ka ditur se arma e tij kishte shkaktuar një viktimë dhe menjëherë ka tentuar ta manipulojë. Ai ka ndërruar pjesën e sipërme të pistoletës së tij me atë të shoferit dhe ka prishur manualisht gjilpërën e armës, të cilën më pas e ka dorëzuar në prokurori për hetime. Ekspertët shqiptarë nuk mundën të bënin asgjë me këtë armë dhe u desh raporti i FBI-së për të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Më poshtë pjesët kryesore të kërkesës për gjykim të prokurorisë:

 

“… Nga filmimet e bëra nga televizionet e ndryshme, të marra me cilësinë e provës materiale, rezulton se viktimat në momentin që janë qëlluar kanë qenë jashtë objektit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues), ku Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me deklaruesit Fatos Mahmutaj dhe Hysni Peposhi pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shihnin demonstratën. Viktima Faik Myrto ka qenë në Bulevard në afërsi të dy kullave Binjake, aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre këta shtetas nuk kanë bërë asnjë sulm ose akt dhune ndaj efektivave të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm si dhe nuk përbënin asnjë rrezik real për jetën, apo shëndetin e efektivave të gardës, pasi asnjë nga viktimat nuk ka sulmuar, kanë qenë pa armë dhe protestues të thjeshtë.

Vlen për t’u theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve iu është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë neni 2 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur me ligjin…

Nga këqyrja e datës 29.01.2011 të pjesës së gardhit të Kryeministrisë rezulton se në gardhin metalik ka shumë shenja predhash në distancë të ulët nga toka, të cilat tregojnë se është qëlluar me armë në drejtim të turmës. Shenja predhash në distancë të ulët nga toka janë fiksuar edhe tek porta e jashtme Nr. l e Kryeministrisë. Shenja të qarta predhe janë fiksuar edhe tek vendroja afër derës dhe tek porta e vogël pranë kësaj dere, ku rezulton se është qëlluar me armë në drejtim të turmës…

Nga aktet provohet tej çdo dyshimi se, personi nën hetim shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë, me armën e zjarrit tip “Beretta”, të kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z që i përket armatimit të tij personal. Si pasojë e të shtënave prej tij, është vrarë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës si dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së U.N.H.C.R-së. Një nga predhat e qitura nga personi nën hetim ka ngelur në pemën dekorative, ndërsa tre të tjera kanë përfunduar në ndërtesën e U.N.H.C.R-së. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke pasur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij.

Në arritjen e këtij përfundimi arrihet duke analizuar në mënyrë logjike gjithë të dhënat e grumbulluara në vendin e ngjarjes, si dhe përfundimin e ekspertëve në aktin e ekspertimit Nr. 3995 datë 16.05.2011 të Policisë Shkencore Tiranë, si dhe të dhënë në raportin e ekzaminimit të ekspertëve amerikan të përpiluar me 05.01.2012. Faktet e vërtetuara gjatë këtij hetimi renditen dhe analizohen si më poshtë vijon:

Së pari, në vendin e ngjarjes u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta me numër P52796Z në përdorim të personit nën hetim, shtetasit Ndrea Prendi. Kjo tregon se, personi nën hetim, shtetasi Ndrea Prendi ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me pistoletën me numër P52796Z, që është armatim i tij personal. Ndërkohë që ky person gjatë deklarimeve të dhëna prej tij me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se jo vetëm që nuk ka qëlluar asnjëherë, por në momentin që ka dëgjuar të shtënat ai ndodhej brenda në ndërtesë mbasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri.

Së dyti, predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj (shënuar me Q3) si dhe tre predhat e gjetura në zyrat e U.N.H.C.R-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i personit nën hetim, shtetasit Margarit Kume.

Së treti, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk u gjet ndonjë gëzhojë e qitur pistoleta me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume).

Pra, ndodhemi përpara një absurdi, mbasi kemi pesë predha që janë qitur nga tyta e një pistolete, ndërkohë që gjilpëra e saj nuk ka goditur asnjë fishek.

Së katërti, në majën e predhës së gjetur tek viktima Faik Myrtaj dhe në majën e njërës nga predhat e gjetura. në zyrën nr. 12 të ndërtesës së U.N.H.C.R-së, dallohet një shenjë me hulli (me vija paralele) që është shkaktuar nga mekanizmi mbushës që ndodhet në trupin (skeletin) e pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Që të ndodhë një gjë e tillë sipas ekspertëve ka dy shpjegime të ndryshme dhe pikërisht:

1) Këto predha vijnë nga fishekë që u futën dhe u nxorën manualisht nga pistoleta me numër P52796Z (pa u bërë qitje) dhe u qitën më pas nga pistoleta me numër P52778Z.

2) Në kohën e qitjes së predhave, tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën me numër P52778Z ndodhej ne pistoletën me numër P52796Z.

Nga të dhënat e deritanishme, shpjegimi i parë rrëzohet poshtë (shmanget plotësisht) për faktin se, pistoleta me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume) nuk ka qitur as edhe një fishek të vetëm. Në kushtet kur shpjegimi i parë rrëzohet poshtë, është fare e qartë se mundësia e vetme është që tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume), është realisht tyta që i përket pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Është pikërisht kjo e fundit pistoleta që ka qitur fishekët nga kanë ardhur predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, pemën dekorative dhe predhat e gjetura në ndërtesën e U.N.H.C.R-së.

Njëkohësisht, maja e gjilpërës së shulit të pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi), ka një defekt të pazakontë që nuk duhet të jetë në përputhje me ndikimin e përdorimit të zakonshëm. Ky defekt shpjegohet me faktin se personin nën hetim shtetasi Ndrea Prendi në bashkëpunim edhe me personin nën hetim, shtetasin Margarit Kume, njëkohësisht me ndërrimin e tytave të dy pistoletave kanë dëmtuar mekanikisht gjilpërën e pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Duke bërë këtë manipulim të dy këta persona kanë dashur që të zhdukin çdo provë që lidhte personin nën hetim, shtetasin Ndrea Prendi, me krimin e kryer.

Së pesti, vendet ku janë gjetur predhat (pema dekorative, zyrat e U.N.H.C.R-së) si dhe pozicioni ku ndodhej viktima Faik Myrtaj në momentin kur është qëlluar me armë zjarri, tregojnë se qitjet kanë qenë drejt turmës së njerëzve që ndodhej në bulevard, në zonën midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së U.N.H.C.R-së.

Në deklarimet e dhëna para prokurorit si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Ndrea Prendi, thotë se nuk ka qëlluar fare me armë zjarri, si dhe nuk është dhënë urdhër prej tij, ose Komandantëve të Njësive mbështetëse, apo Njësisë Speciale, për të qëlluar me armë, në drejtim të protestuesve, në një kohë që aktet e ekspertimit tekniko-balistik provojnë ky shtetas dhe personat e “grupit të zjarrit”, kanë qëlluar në drejtim të protestuesve…

Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Ndrea Prendi në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim , si dhe “Shpërdorimi i detyrës”…”

 

 

Ku u gjendën predhat e plumbave

Në trupin e viktimës Faik Myrtaj, u gjet një predhe arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt me formë cilindrike me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gram.

Në kokën e viktimës Aleks Nika, u gjet një predhë arme zjarri, e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 15.5 mm dhe gjerësi në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe viktima Faik Myrtaj.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29.01.2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë, vetëm me një përmasë të shprehur dhe konkretisht 9 mm, e cila është përshkruar hollësisht në procesverbalin përkatës.

Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12.5 mm.

Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm.

Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë armë zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm.

Në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta”, e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).

 

 

Gjykata: Përse vendosëm arrestimin e Ndrea Prendit

Gjykata e Tiranës ka vendosur dje masën e sigurisë arrest shtëpie për komandantin e gardës, Ndrea Prendi duke e akuzuar atë vetëm për shkelje të rregullave dhe jo për vrasjen e Faik Myrtajt. Në vendimin që po e publikon “Shekulli”, gjyqtari bën një vlerësim të çështjes duke thënë se Garda është detyruar që të qëllojë me armë sepse protestuesit do të hynin brenda kryeministrisë. “Prokuroria duhet të hetojë nëse vdekja e shtetasve Ziver Veizi dhe Faik Murtaj ka ardhur si rezultat moszbatimit të rregulloreve përkatëse dhe akteve ligjore”,- thuhet në vendimin e firmosur nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa. Gjyqtari shprehet se nuk bindet që arma që ka vrarë Myrtajn është pikërisht ajo që kishte në përdorim Ndrea Prendi.

Më poshtë pjesët kryesore të vendimit:

“…Prokurori ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit arrest në burg ndaj shtetasit nën hetim Ndrea Prendi, duke pretenduar se ka kryer veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim dhe atë të shpërdorimit të detyrës…

Gjykata, pasi administroi aktet hetimore të kryera deri në këtë faze të hetimit të kësaj çështje konstaton se:…

Si nga provat e administruara gjatë hetimit edhe nga transmetimet direkt që kanë bërë stacionet e ndryshme televizive është provuar qartësisht dhe pa asnjë ekuivok se nga ana e demonstruesve fillimisht është ushtruar dhune intensive me mjete të forta si shkopinj prej druri apo gurë, ndaj forcave të policisë së shtetit. Në këtë kohë forcat e Gardës së Republikës kanë qenë brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë, dhe për sa kohe që demonstruesit nuk janë futur brenda rrethimit, nuk kanë ndërhyrë dhe nuk kanë kryer asnjë veprim. Demonstruesit, pasi kanë arritur që të thyejnë dhe të mposhtin rreshtat e forcave të Policisë së Shtetit, kanë tentuar që të hyjnë forcërisht brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë. Nga ana e forcave të Gardës është paralajmëruar me megafon, por demonstruesit kanë filluar që të qëllojnë në mënyrë intensive me gurë duke u futur pjesërisht në territorin brenda gardhit të Kryeministrisë. Sulmet e demonstruesve me gurë ndaj forcave të Gardës, ka zgjatur për një kohë jo të shkurtër….

Vazhdimisht nga disa demonstrues është qëlluar me gurë dhe mjete forta ndaj forcave të Gardës, duke u shkaktuar atyre dëmtime jo të vogla, përfshi dhe Komandantin e Gardës, personin nën hetim Ndrea Prendi, i cili është dëmtuar me mjete të forta me intensitet goditjeje të madhe, në sy…

Në këto kushte, personat efektiv të Gardës, që mund të konkludohet se kanë përgjegjësi penale, janë subjekt i posaçëm i së drejtës penale, pasi ata janë ushtarake që kanë qenë në kryerjen e detyrës. Përgjegjësia e tyre penale duhet të hetohet në raport me zbatimin që ata i kanë bërë rregulloreve përkatëse për ruajtjen e objektit të Kryeministrisë. Prokuroria duhet të hetojë nëse vdekja e shtetasve Ziver Veizi dhe Faik Murtaj ka ardhur si rezultat moszbatimit të rregulloreve përkatëse dhe akteve ligjore.

Ndaj, për asnjë punonjës të Gardës që ka qenë në ruajtje të godinës së kryeministrisë, nuk mund të kemi një vepër penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim, për sa kohë ai ka qenë në ushtrimin e detyrës ushtarake dhe pasoja mund të ketë ardhur në kapërcim ose në moszbatim të saktë të rregullave për ruajtjen e këtij objekti nga ana e Gardës se Republikës. Edhe prokurori pranon faktin se pasoja, ne rastin konkret, ka ardhur nga mosrespektimi i saktë i rregulloreve dhe akteve ligjore, në lidhje me përdorimin e armëve gjatë ruajtjes së objekteve të rëndësisë së veçantë…

Prokurori pretendon se pistoleta me nr. P52796Z është pistoleta që ka përdorur, personi nën hetim Ndrea Prendi. Por, nga aktet e konstatuara nga prokuroria deri në këtë faze hetimi nuk ka një prove të plotë që të provojë saktësisht se kjo pistolete është përdorur, më date 21.01.2011, nga personi nën hetim. Në regjistrin model 34 , ku pasqyrohet pajisja me armatim e efektivave të Gardës, personi nën hetim nuk ka firmosur tërheqjen e kësaj pistolete nga magazina e armatimit.

Pistoleta është armatim personal, të cilën një ushtarak e mban me vete deri në ditën që ai lirohet nga ajo detyrë. Për rrjedhojë, nëse do të ishte armatim personal i personit nën hetim Ndrea Prendi, siç pretendon pa ju referuar ndonjë prove konkrete prokurori, atëherë kjo prove materiale do të merrej duke iu sekuestruar këtij shtetasi që e kishte në ngarkim dhe përgjigjej për ruajtjen e saj. Organi i prokurorisë nuk ia ka sekuestruar këtë pistoletë personit nën hetim Ndrea Prendi. Në dosjen hetimore është “Proces-Verbal për Sekuestrimin e Sendit” i datës 23 Mars 2011, ku janë sekuestruar 8 pistoleta duke u shënuar numrat përkatës, përfshi dhe pistoletën me numër P52796Z, por pa e përcaktuar se kujt personi i përket kjo pistoletë. Ky fakt ka një rëndësi shume të madhe në identifikimin e përgjegjësisë penale në lidhje me personin që ka përdoruar armën nga e cila ka dalë predha që ka goditur viktimën Faik Myrtaj…”.

 

 

21 janari, arrestohet kreu i Gardës, shoferi i tij dhe inxhinieri i KM

Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferi i tij personal Margarit Kume dhe inxhinier i kryeministrisë Armando Kasa janë arrestuar dje me kërkesë të prokurorisë të akuzuar për ngjarjet e 21 janarit. Kryegardisti Ndrea Prendi akuzohet se me dorën e tij ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj e më pas ka modifikuar pistoletën që të mos identifikohej. Për këtë ka përdorur armën e shoferit të tij Margarit Kume dhe për këtë arsye edhe vetë Kume do të mbajë përgjegjësi penale. Ndërkohë inxhinieri Armando Kasa akuzohet se ka kopjuar dhe më pas ka fshirë pamjet filmike nga serveri i kryeministrisë në të gdhirë të datës 22 janar 2011. Po dje gjykata ka vendosur ti lehtësojë masën e arrestit tre personave të sipërpërmendur duke vendosur që ata të mbahen në arrest shtëpie.

***

Tre arrestimet janë prezantuar dje në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kryeprokurorja Ina Rama dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Kryeprokurorja njoftoi dje se komandanti i Gardës, gjenerali Ndrea Prendi ka vrarë me armën e tij personale demonstruesin Faik Myrtaj më 21 Janar 2011. “Nga aktet e ekzaminimeve balistike të kryera si në laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI-së në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër “P52796Z”, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e komandanti Prendi, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj. Predhat e tjera të qitura prej tij, janë gjendur në pemët dekorative dhe në muret e zyrave të UNHCR-së, përball ndërtesës së kryeministrisë. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, Prendi duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume (shoferit personal). Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke pasur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij”,- tha kryeprokurorja Ina Rama.

Prokuroria ka hetuar edhe në drejtim të fshirjes së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të Këshillit të Ministrave. “Ekzaminimet më të specializuara të lobaratorëve të FBI-së, konfirmuan përtej çdo dyshimi se në datë 21 Janar 2011, nga ora 19:24’ deri 19:36’, nga pajisja regjistruese e këtij sistemi, janë kopjuar të dhënat e regjistruara të gjithë ditës duke i hedhur në një pajisje të jashtme të cilat organi i hetimit tashmë nuk i disponon. Filmimet e regjistruara nuk u vunë dhe janë vënë ende në funksion të hetimit të Prokurorisë, dhe në datën 22 janar 2011, ora 00:51, pajisjes i është bërë formatim të “Hard Diskut” duke fshirë kështu çdo regjistrim që kish bërë deri në atë kohë”-theksoi kryeprokurorja.

 

 

Tre të arrestuarit në prokurori

Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferi i tij personal Margarit Kume dhe inxhinier i kryeministrisë Armando Kasa janë thërritur dje në Prokurorinë e Tiranës ku janë marrë në pyetje përpara se të niseshin për zbatimin e masës së sigurisë arrest shtëpie. Ata nuk kanë pranuar që të japin shumë shpjegime përpara prokurorëve duke u mjaftuar me disa fjali të thata dhe duke pretenduar se do të flasin më gjatë në gjykatë.

 

Prendi: Do flas kur të shkoj në gjykatë

Ndrea Prendi, nuk pranoi të japë shpjegime për akuzat dhe përfundimin e akt-ekspertimit të FBI-së, duke u shprehur vetëm se ditën e demonstratës kam qëlluar në ajër dhe jo drejt turmës me pistoletë. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje këtu e një vit më parë, vetë Komandanti i Gardës së Republikës kishte mohuar në mënyrë kategorike se kishte qëlluar me armë. I pranishëm gjatë seancës së djeshme të marrjes në pyetje, ishte edhe avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj, i cili ishte njëherazi avokati i të arrestuarit Agim Llupo, por që hoqi dorë në mbrojtjen e interesave ligjore të këtij të fundit. Vetë Prendi, gjatë takimit të djeshëm me prokurorët dhe oficerët e çështjes, nuk dha ndonjë shpjegim për akuzat, duke u njohur vetëm me vendimin e gjyqtarit të masës Shkëlqim Mustafaj.

 

Kume: Nuk di kush e ndërroi pistoletën

Shoferi i komandantit të Gardës, Margarit Kume, edhe ky para prokurorëve të çështjes nuk dha shumë shpjegime për akuzat, duke treguar vetëm faktin se pistoletën që kishte ishte e tija dhe nuk di se kush mund të këtë ndërhyrë në prishjen apo ndërrimin e tytës dhe gjilpërës.

 

Kasa: Unë i kopjova filmimet në kryeministri

Armando Kasa, specialist i IT-së pranë kryeministrisë, i pyetur dje në prokurori ka pranuar fakti se i kishte kopjuar materialet nga serveri qendror i kamerave të sigurisë, por, që ata nuk e di kush i ka marr më pas. Këtë kopjim dhe fshirje mësohet se e ka bërë me urdhër të Komandantit të Gardës së Republikës, tashmë i izoluar me masën e sigurisë arrest shtëpie.

 

Flamur Vezaj / Ened Janina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu