Prona e Shkaut, mollë sherri mes Kushërinjve

0
761

Metovite

Jeton Metaj ka blerë pronën e Zharko Memaroviqit në fshatin Shushicë e Ulët të Istogut, ndërsa kushëriri i tij Xhevdet Metaj ka arritur që nëpërmjet gjykatës ta anulojë këtë shitblerje me arsyetimin se atij duhej t’i bëhej oferta e parë, pasi prona e Memaroviqit është ngjitur me të tijën.

Memaroviq thotë se tre vjet e ka lutur Xhevdet Metajn për ta blerë pronën që e kishte nxjerrë në shitje, por nuk ishte i kënaqur me ofertën që kishte marrë prej tij.

“Kam lutur Xhevdet Metajn ta blejë pronën tre vjet. Ai më ka shantazhuar dhe nuk ka dashur të m’i japë paret që mi ka ofruar ai tjetri. Kam shkuar tek ai që paguan me shumë të bëj marrëveshje. Tash është problemi që ai thotë që nuk e kam lutur për ta blerë tokën dhe nuk lejon tjetrin që ta punojë tokën e tij,” thotë Memaroviq.

Xhevdet Metaj tregon se kishte marrëveshje gojore me Zharko Memaroviqin për blerjen e pronës së tij, por kjo marrëveshje ishte prishur njëanshëm nga Memaroviqi.

“Tha po kemi bisedu po nuk du me ta shit pronën, domethënë nuk muj. Unë kur vendosi me shit, du me shitë krejt pasurinë qe e kam. I kam thanë masi po dojshe ti krejt pasurinë me shitë, dije që për qetë pronë jam i interesum unë me ble,” shpjegon Xhevdet Metaj .

Për shkak se Muzli Metajqë bleu pronën nga Memaroviqi është në moshë të shtyrë, djali i tij Jeton Metaj thotë se Xhevdet Metaj nuk ka qenë i interesuar për ta blerë këtë parcelë.

“Ky [Memaroviqi] jo që e ka lutë vetëm këtë [Xhevdet Metajn], po e ka lutë edhe krejt Bellopojën, se ka rrnu  këtu. Se të ish kanë ky në Serbi, hajde ja paskam ble msheft, a ja kam ble diqysh, po ky ka rrnu këtu. Tri-katër vjet e ka lutë, jo po du , jo s’po du. Masanej jemi godit me to edhe ja kam dhanë paret në mënyrë të rregullt , jo në fshehtësi,” shpjegon Jeton Metaj.

Por Xhevdet Metaj akuzon kushërinjtë e tij pikërisht për blerje në mënyrë të fshehtë të tokës së Memaroviqit.

“Në fillim nuk kam besu, edhe jam shku në kadastër e kam verifiku, edhe ajo ish pa kanë domethënë e saktë që e kish pas shitë tokën, ja kish pas shitë ni kushërinit tonë aty në mënyrë tinëzare , as pa me pyet mu fare, as pa me pyet mu që jam në mezhdë dhe kishim bërë marrëveshje përpara,” thotë Xhevdet Metaj.

Ai e çoi në Gjykatën e Istogut kontratën e shitblerjes së pronës mes Zharko Memaroviqit dhe Muzli Metajt, ndërsa gjykata vendosi që ta anulojë një kontratë të tillë me arsyetimin se Xhevdet Metajt i takon të parit e drejta e blerjes, pasi që prona e tij kufizohet me atë që është në shitje.

Gjykata e bazoi vendimin e saj në nenin 19 të Ligjit mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Në këtë nen thuhet se pronari i tokës bujqësore nëse dëshiron ta shesë tokën bujqësore së pari duhet t’i bëj ofertë me shkrim organizatës së punës së bashkuar për prodhimin e tokës bujqësore dhe kooperativave  në territorin e komunës ku gjendet toka bujqësore dhe pronarit të tokës fqinje.

Gjykata thotë se ky ligj i botuar në Gazetën Zyrtare të Kosovës nr 45/81 dhe 28/1988 është i zbatueshëm në Kosovë.

Zharko Memaroviqi nuk pajtohet me vendimin e gjykatës.

“Gjykata punon për pare, ndryshe jo.  Kam qenë edhe tek noteri dhe në gjykatë, por thonë që s’mundeni asgjë. Kam qenë edhe të ankohem edhe në Prishtinë tek avokatët , por është e kotë . Veç të bëhet dhunë për tokën time, ose të largohem nga këtu,”  ankohet Memaroviq.

Vendimin e gjykatës e kundërshton edhe Jeton Metaj.

“Edhe me vendosë gjykata po i bika këtij, qysh don pasurinë teme me ja dhanë. Kjo është pasuri e jemja pa desht unë ligjërisht  me ja dhanë . Unë i kam dokumentet, i kam senet,  nuk e di çka don ai,” thotë Jeton Metaj.

Ai ankohet se është kërcënuar nga Xhevdet Metaj që ta anulojë kontratën e shitblerjes me Zharko Memaroviqin, por Xhevdet Metaj mohon se ka kërcënuar kushëririn e tij, por pranon se nuk ka mundur të merret vesh me Jeton Metajn dhe Zharko Memaroviqin që prona t’i shitet atij.

Xhevdet Metaj thotë se edhe pas vendimit të gjykatës është i gatshëm të merret vesh me kushërinjtë dhe fqinjin.

“Jam për bashkëpunim, jam për me bisedu, jam për me zgjedh këtë çështje, kështu me njerëzi, me ata direkt se kurrgjë të keqe s’kam ,” thotë Xhevdet Metaj.

Sipas vendimit të gjykatës Xhevdet Metaj duhet ta paguajë shumën e kontratës së shitblerjes të arritur mes Jeton Metajt e Zharko Memaroviqit.

Xhevdet Metaj thotë se është i interesuar për blerjen e kësaj toke, pasi sipas tij ajo ishte e të parëve të tij, ndërsa iu mor atyre nga pushteti komunist në vitin 1945 me arsyetimin se familja Metaj ishte nacionaliste dhe bashkëpunëtore e nazistëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu