Pronari i “Indeksonline”: AKI tentoi të më kidnapoi

0
1285

Përgatitja për publikimin e një shkrimi në të cilin përshkruhet pasuria e shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ka bërë që Agjencia Kosovare e Inteligjencës të mundohet ta detyrojë pronarin e agjencisë së lajmeve, “Indeksonline” “për një vizitë” në zyrën e Drejtorit të AKI-së.

Sipas artikullit që “indeksonline” e kishte përgatitur, raportohet se Smakaj posedon shtëpi në periferi të kryeqytetit, me dy pishina dhe fushë të golfit. Përpos kësaj, e njëjta agjencie e lajmeve do të shkruante për një bashkëpunëtorët e afërt të Smakajt, punonjës në AKI, i cili gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës, është përgjuar duke biseduar në telefon me të dënuarin, Bedri Krasniqi, i cili është dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahete Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Sipas pronarit të “Indeksonline”, Shoshi, kjo ka bërë që Bashkim Smakaj, të urdhëroj agjentët e tij, që ta dërgojnë atë në zyre të shefit të AKI-së.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës.

Të enjten, Faton Shoshi e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” ndërsa ka thënë se tërë ngjarja ka ndodhur disa javë më parë dhe atë pas publikimit të shkrimit në të cilën bëhet e qartë se Bashkim Smakaj në kohën sa ka qenë pjesëtarë i Policisë së Kosovës, përkatësisht shef i zyrës së prokurorimit është suspenduar për korrupsion.

“Që nga ajo kohë persona të ndryshëm kanë ardhur dhe janë sjellë përreth zyrës. Dje në orën 12:00, kur unë kam ardhur në zyrë, pas meje në zyrën time ka hyrë, Valoni që është drejtor i njësive mbështetëse në AKI”, ka thënë Shoshi.
Valoni, sipas tij i kishte thënë Shoshit, që në ora 14:00, të pret në zyrën e tij drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj.
Ndonëse Shoshi thotë t’i ketë thënë, se atje mund të vij vet, punonjësi i AKI-së, i kishte thënë se “ne do të vijmë të të marrim”.

“Duke e parë që po më thërret shefi i AKI-së, dhe po vijnë të më marrin punonjësit e kësaj agjencie, unë e porosita një fotograf dhe një gazetar që të më përcjellin dhe të shohin se çfarë po ngjet me mua. Pas orës 13:30, jam takuar tek ambasada kroate me drejtorin e njësive mbështetëse, ndërsa vetura e kolegëve të redaksisë na ka shoqëruar nga pas”, ka shtuar Shoshi.

Në rrugë e sipër, punonjësi i AKI-së, e kishte pyetur Fatonin për veturën që po i shoqëronte ndërsa me të parë ai se nga ajo veturë edhe po fotografohej në afërsi të lagjes Dardania, në mes të rrugës ai e kishte ndalur veturën.
Shoshi tregon se punëtori i AKI-së, me të dalë nga vetura ka shkuar te vetura që po i përcillte e ka hapur derën e veturës dhe u ka marrë gazetarëve telefonat.

“Unë dola nga vetura dhe e kam kapur me forcë punëtorin e AKI-së dhe ia kam marrë telefonat nga dora. Ai menjëherë është larguar duke thënë se “keni me pa kush jena na”. Ndërsa ne menjëherë jemi drejtuar për në stacion policorë ku edhe kemi raportuar rastin. Sipas Shoshit rasti tani është në duart e njësisë së krimeve të rënda ndërsa vepra penale dyshohet të jetë kanosje dhe shtrëngim ndaj viktimës që në këtë rast cilësohet të jetë Faton Shoshi”, rrëfen Shoshi.

“Qëllimi i tërë kësaj, ka qenë që të më bëhet presion psiqik ngase pikërisht në ora 14:00 unë kisha paraparë që ta publikoj shkrimin ku përshkruhet shtëpia me pishina dhe fushë golfi e drejtorit të AKI-së”, ka përfunduar ai.

Gazeta ka tentuar të kontaktoj me policinë por të njëjtit ende nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e këtij rasti ndonëse gazeta e posedon raportin e policisë nga kjo ngjarje.

Edhe kontakti me Drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj ka qenë i pamundshëm pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të gazetës.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu