Pronat e bregdetit regjistrohen me paratë e Greqisë

0
620

Pronat e paluajtshme që shtrihen përgjatë bregdetit të jugut do të përfshihen në regjistrat e Hipotekave në vend. Projekti, i cili prej disa muajsh ka filluar të zbatohet në terren, kryesisht në sensibilizimin e banorëve të zonës është prezantuar dje në Tiranë, në prani të Kryeministrit Berisha, ambasadorit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth.

Projekti ka një vlerë prej 1.5 milionë, është i financuar nga Bashkimi Europian dhe ka të bëjë me rreth 58 mijë prona, të cilat shtrihen nga Palasa deri në Xarrë të Sarandës duke përshirë Dhërmiun, Himarën, Pilurin, Qeparonë, Piqerasin, Lukovën, Shën Vasilin, Nivicën, etj.

Krahas regjistrimit të pronave, projekti parashikon edhe vendosjen e tabelave të rrugëve në të gjithë zonën kur pritet të aplikohet. Teknikisht procesi do të zbatohet përmes njoftimeve publike, kontakteve me të gjithë pronarët, të cilët do të depozitojnë dokumentacionin që zotërojnë dhe që më pas do të përpunohet në funksion të hartimit të një regjistri të plotë me të dhënat konkrete me harta dhe shifra. Në shërbim të kësaj, kompania spanjolle, e cila do të realizojë projektin në terren ka hapur zyrat e saj në disa fshatra të zonës. Krahas kësaj, pronarët do të ftohen të marrin pjesë në matjet në terren të pronës.

Procesi i regjistrimit të pronave në jug është duke u shoqëruar me një vëmendje të veçantë nga qeveria greke. Madje, në fondin prej 1.5 milionë euro të lëshuara nga Bashkimi Evropian, mësohet se pjesa më e madhe e tyre janë financuar nga Greqia. Po ashtu, për realizimin e këtij projekti kanë dhënë fonde shtesë edhe tre shtete të BE-së, ku gjithashtu merr pjesë Greqia. Tre shtetet janë Zvicra, Çekia dhe Greqia, të cilat kanë ofruar rreth 180 mijë euro fonde shtesë, nga të cilat 100 mijë euro ofrohen vetëm nga fqinji ynë jugor. Ndjeshmëria nuk do të ishte e lartë po të mos mbahej parasysh konteksti, si edhe nëse zyrtarë të lartë të qeverisë greke nuk do të ishin shprehur direkt të interesuar në këtë drejtim. Në qershor të vitit të shkuar, vetë ish-ministri i Jashtëm grek, Dimitris Droucas ka kërkuar zgjidhjen e problemeve me pronat të minoritetit grek në Shqipëri duke përmendur edhe projektin në fjalë. “Ministria e  Jashtme greke është bashkëfinancuese e një programi tëOSBE-së për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë”, – do të shprehej ai ndër të tjera gjatë një interpelance të kërkuar nga nacionalistët e L.A.O.S-it.

Projekti nuk ka të bëjë me dhënien e titujve të pronësisë apo zgjidhjen e probelmeve që kanë pronarët me njer-tjetrin në atë zonë por vetëm më mbledhjen të dhënave dhe dokumentacionit që vërtetojnë pronësinë. Këtë gjë e theksoi edhe vetë shefi i OSBE-së në Shqipëri, Ëolfarth. Në përfundim, të dhënat e vjelura do t’i dorëzohen qeverisë shqiptare, konkretisht Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila pas verifikimeve do t’i hedhë ato në një regjistër të përgjithshëm. Pasi të ketë përfunduar regjistrimit, qytetarët e këtyre zonave do të mund të marrin vërtetimet e pronësisë në ZRPP-në e Vlorës. I gjithë projekti pritet të përmbyllet deri në fund të vitit 2013.

 

58

Mijë prona pritet të regjistrohen, të verifikohen apo të përfshihen për herë të parë në regjistrat e rinj ta pronave të paluajtshme në zonat e jugut

 

 

Përvojat e Berishës me Bregun

Interesimi i Sali Berishës për bregdetin e Jonit dhe për pronat e atjeshme nuk bëhet publik për herë të parë. Publiku e mban mend skandalin e ndërtesave që u prishën në Jal, me urdhër të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit dhe të Ministrit të Transporteve të asaj kohe, Lulzim Bashës. Prishja e këtyre ndërtesave rrënoi ekonomikisht banorët e fshatit, dhe rezultoi e paligjshme, duke krijuar një skandal që përfshiu dhe Bankën Botërore.

 

Zbatimi i censusit në dorë të personave me arsim të mesëm

Ditët e fundit disa gazeta kanë publikuar një njoftim për vende pune, të lëshuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Në njoftim shkruhet se në zbatim të projektit të Censusit të Popullsisë dhe Banesave ky institut kërkon të punësojë mbikëqyrës për periudhën 15 gusht gjer në 15 dhjetor 2011, si dhe kontrollorë për periudhën 1 shtator gjer në 30 nëntor 2011. Për mbikëqyrësit, konditë është të kenë arsimin e lartë dhe të jenë mes moshës 22 – 55 vjeç, si dhe të banojnë në zonën ku do të punojnë (me regjistrimin), ndërsa kontrollorët pranohen edhe me shkollë të mesme.

Sipas shumë kritikave që i janë bërë ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave nga figura publike dhe lëvizje qytetare, një nga rreziqet që rrjedhin prej një censusi të organizuar në mënyrë të tillë, është edhe shformimi i qëllimtë i rezultatit, përmes ndërhyrjeve paraprake. Këto ndërhyrje mund të favorizojnë politikat e fqinjit jugor, Greqisë, për të maksimizuar paraqitjen dhe prezencën e minoritetit grek në Shqipëri, duke e parë këtë minoritet në optikën e realpolitikës si një levë pushteti.

Përzgjedhja si kontrollorë e personave që mund të jenë me arsim të mesëm, e të moshave relativisht të reja (pranohen që 22 vjeç), hedh dyshime të mëdha mbi sigurinë e procedimit të censusit, i cili edhe nëse zbatohet mirë paraqet boll probleme ligjore e politike.

Duke mbajtur në konsideratë faktin që Greqia për një kohë të gjatë ka vazhduar të paguajë pensione për shtetas shqiptarë që kanë pranuar të vetëdeklarohen si grekë, duke njohur impenjimin financiar dhe politik të Greqisë në projektet e regjistrimit të popullsisë dhe pronave në bregdet, nuk është aspak e panatyrshme frika nga kjo procedurë e punësimit të stafit të censusit. Shqetësimi është real, pasi njëzet e pesë vjeçarët me arsim të mesëm që banojnë në fshatrat e Korçës, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës, Himarës e Vlorës janë të ekspozuar ashtu si një pjesë e mirë e popullsisë ndaj varfërisë e ndaj papunësisë, dhe si model kulturor e social kanë patur suksesin e të korruptuarve që qeverisin Tiranën e rrethinat.

 

 

Droutsas, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë

(Qershor 2010)

“Për të forcuar pozitën e pakicave kombëtare greke, dhe perspektiva për ata që kanë mbetur për t’u kthyer, është shumë e rëndësishme që të zgjidhet problemi lidhur me pronën në Shqipëri. Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme greke është bashkëfinancuese e një programi të OSBE-së për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë”

 

Berisha

Siç ju e dini, paralel me të, do të jetë censusi i popullatës. Procesi përfshin regjistrimin jo vetëm të qytetarëve, por përfshin dhe regjistrimin e banesave. Pra, ky proces do të bëhet në tërësi dhe brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona.

 

Wolfarth

Më lejoni të theksoj sërish se në fund të fundit, kjo është një përgjegjësi e insitucioneve shtetërore shqiptare për të përcaktuar të drejtat e pronësisë. Kështu që shpresoj se kam qenë jashtëzakonisht i qartë, kur vura në dukje se qëllimi i projektit është për të regjistruar të dhëna dhe jo për të shpërndarë tokë

 

Sequi

“Në këtë fushë, ne mund të dëshmojmë se ka patur progres. Megjithatë çështjet e pronësisë mbeten ende të pakompletuara. Ne duam të shohim që shteti të garantojë siguri ligjore të titujve të pronësisë si për familjet, ashtu dhe për bizneset. Ky projekt është një segment i udhëtimit tuaj drejt Europës, një udhëtim që tashmë ka nisur të japë frute dhe që do të japë edhe më shumë frute në të ardhmen, kur të jetë kompletuar”

 

Nga Emirjon Senja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu