Pronat milionëshe “pa tapi”

0
762

Basri Ismaili, biznesmen nga Prishtina, në vitin 2007 kishte privatizuar 4.5 ari pronë të ish-ndërmarrjes “Voçar”, në shumë prej 1.5 milionë euro në lagjen “Dodona” afër xhamisë. Prona e privatizuar posedonte 15 dyqane, objekt ky i cili tre vjet pasi që ishte privatizuar me një vendim të komunës së Prishtinës, i ishte rrënuar tërësisht.

Ismailit i ishte premtuar se pas vetëm një muaji në atë vend, përfshirë edhe parcelat përreth, ku pronë kishte edhe vetë komuna, në partneritet publiko-privat, do të niste ndërtimi i një objekt të madh biznesor-afarist, deri në 10 kate. Sipas dokumentacionit që posedon “Zëri”, bëhet fjalë për një sipërfaqe gjithsej 3227m2, ku përfshihen parcela në pronësi private, pronësi shoqërore dhe në pronësi të komunës.

“Më janë rrënuar 15 dyqane, 40 persona jam detyruar t’i largoj nga puna. Një muaj pas nuk më është lëshuar leja e ndërtimit siç ishte premtuar. Leja nuk më është lëshuar as pas katër vitesh. 13 herë kam aplikuar për këtë leje dhe çdo herë kam marrë përgjigje të njëjtë në komunë se do ta shqyrtojnë”, tregon për “Zërin”, Ismaili.

Ai i kishte paguar edhe 13 mijë euro një kompanie private “Horizons” e cila e kishte fituar tenderin për të bërë plan/projektin e ndërtimit të objektit biznesor-afarist te lokacioni i tij.

“Kam paguar 13 mijë euro kësaj kompanie për ta bërë ajo planin e ndërtimit që kishim për të nisur. Por prapë, komuna nuk më lejoi të ndërtoj. I mllefosur nisëm të groposim pa lejen e tyre, por erdhën dhe më ndërprenë”, tregon letrën e transferimit bankar Ismaili.

Ai ankohet për katër vite të humbura, 13 mijë euro dhënë për leje që nuk e mori asnjëherë, e për moskompensim të gjithë kësaj zvarritjeje.

Pronat afër xhamisë përfundimisht vendoset që të mbetet zonë e gjelbër, meqë Ministria e Ambientit dhe Zhvillimit Hapësinor e ka shpallur zonë të interesit publik, në mbrojtje të kultit fetar dhe 10 metra nga xhamia nuk lejohet të ndërtohet.

Me këtë plan Ismailit i është lejuar fillimisht që të ndërtojë, duke u larguar 10 metra nga xhamia dhe një ndërtesë më të ulët deri në katër kate, që është gati sa gjysma e objektit të paraparë me planin e parë. Këtë plan Ismaili thotë se e ka pranuar, vetëm që të nisë ndërtimin.

Por edhe ky plan është rrënuar, me vendimin përfundimtar të ish-udhëheqësisë komunale që të mos ndërtohet as ndërtesa e ulët katërkatëshe, por e tërë parcela të mbetet zonë gjelbëruese.

Por i është premtuar kompensim me një pronë, e cila është pak metra tutje përballë godinës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën edhe shumë biznese të tjera po presin të nisë ndërtimi, por që udhëheqësia aktuale e komunës nuk e lejon një gjë të tillë

Prona me vlerë milionëshe, parking ilegal

Në pronën ku ish-udhëheqësia i ka premtuar ndërrim parcelash, aktualisht është duke u shfrytëzuar si parking privat. Përreth saj ka prona të bizneseve private në mesin e të cilave edhe Agim Deshishku, pronat e të cilit është planifikuar të jepen në ndërtim të kompanisë së ndërtimore “Lesna”, në pronësi të kushërinjve të tij. Deshishku po ashtu tash sa vjet thotë se është duke pritur që të lejohet ndërtimi i objekteve afariste.

Parcelat në pronësi të Agim Deshishkut, e të tjerëve të cilat janë të ngjitura me atë të komunës, janë duke u shfrytëzuar për parking privat.

Vetë Deshishku e pranon që tokën e tij, i ka dhënë në shfrytëzim një privati për parking, dhe se për këtë nuk ka marrë leje në komunë. “Komuna mua më ka dëmtuar që katër vjet, nuk më ka kompensuar për dëme, andaj unë nuk kam kërkuar leje te ta për ta shfrytëzuar tokën time”, thotë Deshishku, i cili shton se ai shfrytëzon vetëm parcelat e tij dhe nuk jep llogari edhe për ato të komunës, që po ashtu shfrytëzohen për parking privat.

Deshishku i cili nuk bën pjesë në ndërrimin e parcelave të tij, pasi që ato nuk prekin zonën e interesit publik, e ka hallin e vet, thotë se udhëheqja e tashme e komunës duhet të merr një vendim sa më parë dhe të nisin me ndërtim.

“Nuk është punë e imja nëse ata ndërrojnë parcelat e tyre me parcela tjera private, ato mund edhe të mos ndërrohen, ne thjesht duam që të marrim lejen, sepse është bërë shumë kohë dhe të nisim ndërtimin siç ka qenë plani”, tha Deshishku.

I vetëdijshëm se pa partneritetin e komunës nuk bën të ndërtohet dhe i pyetur në rast se komuna aktuale nuk do ta praktikojë atë plan, ai tha se “atëherë komuna duhet t’i kthejë të gjitha objektet siç i ka pasur aty, t’i kompensojë dëmet e humbjes për katër vitet e fundit”.

Edhe Basri Ismaili, thotë se vendimin për të shkëmbyer pronën me atë të komunës në të  njëjtin hapësirë, por nuk pranon që prona e tij të shkëmbehen me ndonjë lokacion tjetër në Prishtinë. “Në të kundërtën duhet të më paguajnë 1 milion e gjysmë që e kam blerë këtë vend, duhet të më paguajnë dëmet e katër viteve, dëmet e pritjes e të gjitha”, tha Ismaili.

Pronarët duan kompensim të tokave

Ismaili, me Deshishkun dhe pronarët të tjerë të tokave, presin vendimet mbi atë se çka po ndodh me pronat e tyre.

Është komuna e cila posedon një pjesë të madhe deri në 10 ari, afërsisht njësoj posedon edhe Agim Deshishku, ku në pronat e tij thotë se marrëveshja është që të investojë “Lesna Ndërtimi”, kurse parcelat tjera janë pronë e privatëve të tjerë.

Ismaili, Deshishku dhe pronarët e tjerë aty, sot pas katër vitesh pritje, akuzojnë ish-udhëheqjen e kaluar, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që nuk mbajtën fjalët për dhënien e lejes për ndërtim të objektit të madh biznesor-afarist.

Te parcelat e komunës, ku pretendohet të kalojën pronarët e tokave që u janë marrë për hapësirë gjelbëruese, vendim i shkëmbimit nuk u miratua ditë më parë në Komunën e Prishtinës. Udhëheqësia e re po e sheh të paleverdishme që prona e komunës me vlerë milionëshe të kompensohet me planin e paraparë nga ish-krerët komunalë.

 

Nga: Besiana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu