Propozohet krijimi i Tribunalit të Kosovës

0
708

Kuvendi i Kosovës pritet të diskutojë një nismë të PDK’së për themelimin e një Gjykate vendore për t’i gjykuar të gjitha krimet e luftës. Nismën e kanë përkrahur edhe deputetë të partive tjera parlamentare. Deputeti i PDK’së, Kurtan Kajtazi thotë se themelimi i një Tribunali vendor është i domosdoshëm për shkak se vitin e ardhshëm i skadon mandati EULEX’it.

Nëse shndërrohet në vendim nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për themelimin e një Tribunali të Kosovës, atëherë të gjithë të dyshuarit për krime gjatë kohës së luftës do të gjykohen nga vendësit.

Kjo parti po synon të iniciojë themelimin e një gjykate të veçantë për gjykimin e të gjitha krimeve të luftës, të kryera gjatë viteve 1998-99.

Fillimisht deputeti i pavarur Emin Gërbeshi kishte iniciuar një nismë për debat për të votuar një rezolutë për t’ia hequr mandatin EULEX’it.

Por, Gërbeshi thotë se u tërhoq nga ideja e tij dhe e mbështeti nismën e PDK’së për të themeluar një Gjykatë për krime të luftës.

“PDK ndërkohë ka nisur një nismë tjetër dhe unë sot e kam ndalur nismën time për një debat parlamentar. I kam dhënë të drejtë PDK’së që ajo të merr një iniciativë, të cilën e kam nënshkruar”, ka thënë Gërbeshi, për Gazetën Express.

Nismat për rishtyqrtimin e mandatit të EULEX’it janë aktualizuar pas arrestimeve të fundit të ish-udhëheqësve të UÇK’së. Së fundmi, EULEX paraburgosi Sami Lushtakun, Sylejman Selimin dhe disa luftërat të UÇK’së nën dyshimin se kanë kryer krime të luftës. Organizatat e dala nga lufta kanë kundërshtuar këto arrestime dhe kanë kërkuar largimin e EULEX’it, i cili “po e kriminalizon luftën e fundit”.

Sidoqoftë, deputeti i PDK’së, Kurtan Kajtazi thotë se nisma e re për themelimin e Tribunalit të Kosovës nuk lidhet drejtpërdrejtë me arrestimet e fundit.

Ai thotë se një institucion të tillë e kanë shumica e vendeve të rajonit ku ka pasur luftëra.

“Kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me arrestimet e fundit, por kjo Gjykatë do të merrej me të gjitha krimet e luftës, edhe masakrave që janë bërë në luftë në gjithë Kosovën. Edhe këto raste duhet të hetohen pasi deri më tash nuk janë hetuar”, ka thënë Kajtazi për Express

Ai përmend edhe një arsye tjetër se pse duhet të hetohen dhe gjykohen krimet e luftës nga vendorët.

Deputeti nga Vushtrria thotë se pas një viti EULEX’it i skadon mandati dhe Kosova mbetet pa mekanizëm për të gjykuar krimet e luftës.

“EULEX’i deri në qershor të vitit të ardhshëm ka rol monitorues. Të gjitha vendet e rajonit e kanë formuar Gjykatën e veçantë për kime lufte ose Tribunalin për hetimin e krimeve të luftës. Nëse shkon EULEX’it atëherë ku mbetet Kosova ka një gjykatë të tillë. Është mirë që në kohën sa është EULEX’i këtu të ndihmoj në themelimin dhe përgatitjen e asaj gjykate”, ka shtuar ai.

Ky deputet i Partisë së Hashim Thaçit ka thënë se pret që nisma e tyre të përkrahet nga të gjitha partitë politike.

“Presim gjatë ditëve të ardhshme të diskutohet kjo nismë në Kuvend. Nuk e di saktë ditën pasi është Rregullorja e Kuvendit. Janë afatet e caktuara prej momentin që mblidhen nënshkrimet, dorëzohen në Kuvend dhe pastaj caktohet dita e diskutimit. Pas debatit presim që të dalim me rekomandime për Qeverinë dhe Kuvendin”.

Megjithëse sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të mëdha për të gjykuar edhe raste kundërvajtjeve në trafik, Kajtazi thotë se prokurorët dhe gjykatësit janë të përgatitur edhe për lëndët e luftës.

“I kanë marrë edhe rastet e rënda. Mendoj se Gjykata duhet të themelohet me përkrahjen edhe të BE’së dhe të EULEX’it si dhe nga faktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, një kërkesë e veteranëve të UÇK’së ka shkuar në Kuvendin e Kosovës për debat sa si përket misionit të BE’së për Rend dhe Ligj.

“Kërkojmë nga ju… të merrni iniciativën që të thirrni sa më shpejt një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të rishikohet mandati i EULEX-it”, thuhet në kërkesën e OVL’së drejtuar Kuvendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu