Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë

0
823

VV

Protesta gjithëpopullore e 9 janarit 2016, e paralajmëruar nga tri subjektet opozitare, do të pasohet me protesta tjera masive deri në rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”. Kështu kanë deklaruar të premten përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend. Opozitarët thonë se kjo Qeveri nuk mund të vazhdojë të funksionojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi, sipas tyre, “gardiani i Kushtetutës” ka dëshmuar se me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit është shkelur akti më i lartë juridik në vend.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se protesta e 9 janarit nuk do të jetë e dhunshme, por, sipas tij, opozita do të protestojë në mënyrë masive derisa shkelësit e Kushtetutës të largohen nga pushteti.

“Jo, nuk do të jetë e dhunshme. Opozita do të protestojë në mënyrë masive paqësore dhe nuk do të lejojë qetësimin e situatës derisa ata që shkelin Kushtetutën dhe sjellin marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të ikin nga pushteti”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se zgjedhjet janë një opsion për dalje nga kriza.

“Zgjedhjet janë një opsion, por kriza nuk mund të tejkalohet për aq sa në krye të vendit kemi njerëz të kriminalizuar që janë në gjendje të shkelin çdo ligj e kushtetutë vetëm që t’ia realizojnë Serbisë kërkesat shoviniste”, ka shtuar Krasniqi.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria “Mustafa” duhet të bjerë, pasi, sipas tij, kjo Qeveri i ka shkaktuar shumë dëme vendit, prandaj edhe nuk e meriton të qëndrojë më gjatë në pushtet.

“Tani Gjykata Kushtetuese me vendimin e vet tregon se pjesa kryesore e kësaj Marrëveshje e ka dëmtuar interesin e shtetit dhe se është shkel Kushtetuta. Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje dhe të lëshojë rrugë që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të vijë një qeveri e cila mbron integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe që e zhvillon vendin”, ka potencuar Isufi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu