Protesta e 18 prillit, pritet protest masive ?!

0
621

Protesta

Protesta e 18 prillit, e thirrur nga opozita kosovare, sipas analistëve, do të duhej të kishin prezencë të madhe të qytetarëve.

Analisti Shpend Kursani, mendon se efektet e protestës do të varen nga serioziteti i organizatorëve të vet protestës.

Ai ka thënë për Telegrafin se protesta si e tillë është e nevojshme, mirëpo organizatorët duhet të jenë serioz si në organizim ashtu edhe në mbajtjen e protestës, deri në arritjen e qëllimeve të tyre, e jo të ndërpriten protestat sipas tij, sa herë që politikisht ndonjë subjekti nuk i shkon përshtati për njërën apo tjetrën arsye.

“Nuk dua të kapem për semantikën e thirrjes së protestës, por gjithsesi në kontekstin e Kosovës ajo është e rëndësishme. Shembull, efektet e protestës do të ishin shumë më të mëdha, në rast se organizatorët do t’i zëvendësonin çështjet e listuara, për çka duhet të protestohet nga ‘kundër’ në ‘për’. Sepse organizatorët po thërrasin për të protestuar kundër disa problemeve që gjithsesi ekzistojnë, mirëpo duhet kuptuar që popullit të Kosovës nuk po i duhet të dal ‘kundër’ diçkaje të keqe, por po i duhet të dal ‘për’ diçka më të mirë. Nuk kemi nevojë të zëvendësojmë një te keqe me një të keqe tjetër, por ta zëvendësojmë të keqën për një të mirë”, ka thënë Kursani.

Ndërsa, i pyetur se a pritet që protesta e 18 prillit, të jetë masive, ai ka thënë se gjykuar nga gjendja e mjerë në vend, secila protestë në Kosovë do të duhej të ishte masive, ndërkaq nëse kjo e radhës do të jetë masive është vështirë të thuhet.

“Ajo varet shumë nga puna që organizatorët e bëjnë në terren, si dhe në bindjen e qytetarëve, pse këta organizatorë ofrojnë diçka më mirë se këta që janë në pushtet. Këtë duhet ta bëjnë me argumente të forta si parti që janë bashkuar në organizimin e kësaj proteste”, ka shtuar Kursani.

Në anën tjetër, Petrit Zogaj, nga “Lëvizja Fol”, ka thënë për Telegrafin se kërkesat të cilat i ka shtruar opozita, janë ngritur më herët nga shoqëria civile, mediat, madje janë ngritur si çështje të diskutimit edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar se kërkesat të cilat i ka parashtruar opozita janë legjitime. Sistemi i drejtësisë – Këshilli Prokurorial është jo funskional, sepse kemi pazarllëk me kryeprokurorin e shtetit.

“Kemi problem edhe me Radio Televizionin e Kosovës (RTK), keqmenaxhim dhe shkelje të drejtave të punëtoreve, brenda këtë institucioni. Arsye tjetër është edhe çështja e ngritjes se rrymës. Unë besoj, pavarësisht kërkesave legjitime të opozitës, qytetarit i duhet një kauzë sensitive dhe e veçantë, për t’i nxitur ata që të dalin në protesta. Nuk e mohoj se mund të ketë simpatizantë të këtyre partive politike në protestë, mirëpo dyshoj se mund të ketë një numër të madh të qytetarëve, që do të dalin për të protestuar, sepse qytetarët i kanë të qarta që këto probleme janë ekzistente”, ka shtuar Zogaj.

Ndryshe, të mërkurën, pas një takimi të tre liderëve të tri partive opozitare: Lëvizja Vetëvendosje(LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Për Kosovën, është vendosur që protesta e radhës, e opozitës kosovare, të mbahet më 18 prill.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu