Protesta e OVL UÇK-së: Si të gjendet zgjidhja? (Video)

0
704

OVL - UCK

Ligjërues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë debatuar sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” për zhvillimet e fundit në këtë institucion.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë protestuar sot para dyerve të rektoratit të UP-së duke kërkuar që të pranohen në këtë universitet mbi njëmijë studentë të rinj nga lista e kategorive të dala nga lufta. Rektori po refuzon ta bëjë këtë, prandaj organizatat po kërkojnë dorëheqjen e tij.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, thotë se “shteti duhet të krijojë hapësirë që të gjithë të rinjtë të shkollohen”.

“Nuk është asgjë e keqe të protestohet për t’u shkolluar. Ka standarde të dyfishta por standarde të dyfishta ka në të gjitha institucionet e Kosovës”, tha Dugolli.

Ai tha se preferon ta shohë një marrëveshje e cila do ta nxirrte universitetin nga kjo situatë.

“Nuk jam i rreshtuar pro apo kundër një blloku. Mua më intereson të zgjidhet kjo çështje”, tha Dugolli.

Për ligjëruesen dhe analisten Besa Luzha, problemet e tilla e kanë përcjellë Universitetin e Prishtinës gjatë tërë periudhës së pasluftës.

“Gjatë gjithë pasluftës, çdo udhëheqës i Universitetit ka qenë i përkrahur nga politika. Në Universitet janë pranuar studentë me para, me ndikime politike…”, tha Luzha.

Ajo pajtohet me Dugollin se “e drejta për arsim është universale”, mirëpo thotë se “ekziston njëfarë standardi” për këtë të drejtë.

“Vetë ata studentë nuk duhet të pranojnë të hyjnë në fakultet pa kritere. Kriteret minimale duhet të respektohen”, u shpreh Luzha.

Për ligjëruesin e Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik, Arben Hajrullahu, të gjitha këto fenomene në universitet e tregojnë gjendjen e vështirë të arsimit në Kosovë.

“Kjo gjendje ndikon që universiteti të mos prodhojë kuadro kompetentë”, u shpreh ai.

Harullahu kontestoi vendimin e ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Buja, me të cilin ai urdhëroi rektorin ta pranojë listën e organizatave të dala nga lufta, ndërsa kritikoi qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi.

“Këtyre fëmijëve duhet t’u japim dije e jo diploma pa dije”, tha Arben Hajrullahu.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=zUyExDmt8Os” width=”560″ height=”315″]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu