Protestë kundër devijimit të lumit Radika

0
540

Protestuesit: Devijimi do të sjellë pasoja ekologjike. Qeveria shqiptare të mos e firmosë marrëveshjen me Maqedoninë

Qytetarë të Dibrës dhe Tiranës, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Devijimit të Lumenjve zhvilluan sot një protestë përpara Piramidës në Tiranë, kundër devijimit të lumit Radika. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës parashikon edhe devijimin e lumit Radika, gjë që kundërshtohet nga banorët e Dibrës, pasi devijimi i lumit mund të sjellë pasoja negative në ekosistem.

Ata kërkuan që të zhvillohet një referendum lokal për këtë çështje. “Shqiptarët të dëgjojnë njëri-tjetrin më shumë se sa të huajt. Kjo nuk është lëvizje kundër akujt, por lëvizje pro për t’u bashkuar së bashku. Të bëhet referendum lokal, të vendosin qytetarët e Dibrës”, u shprehën protestuesit. Protesta mbështetet edhe nga pushteti vendor i Dibrës.

Protestuesit i kërkuan qeverisë shqiptare, që të mos e firmosë marrëveshjen me qeverinë maqedonase për devijimin e lumit Radika. Projekti i qeverisë maqedonase, parashikon ndërtimin e një ujëmbledhësi, ku do të ndërtohet hidrocentrali i Lukovës, mirëpo ky projekt devijon lumin Radika, i cili derdhet në kaskadën e Drinit. Edhe pas protestave në Maqedoni kundër devijimit të lumit, qeveria maqedonase është shprehur e vendosur për çuarjen deri në fund të projektit.

“Qeveria e Shkupit tha se Radikën do ta devijojë aty ku ata dëshirojnë dhe se shqiptarët mund të protestojnë sa të duan. Askush nuk duhet të guxojë të shkelë Konventën Ndërkombëtare të

Helsinkit. Ujërat janë të shenjta dhe nuk duhet të preken”, tha poeti Agim Doçi në protestë.

Protestë kundër këtij projekti është mbajtur edhe në Nju-Jork nga shoqata atdhetare “Dibra”, e cila i ka dërguar një letër selisë së OKB-së dhe qeverisë amerikane, duke argumentuar dhe dëmet që sjell zbatimi i këtij projekti, jo vetëm në devijimin e ujërave, por dhe në aspektin ekologjik. Një letër zyrtare i është dërguar dhe qeverisë shqiptare, që të mos e firmosë projektin e përbashkët me palën maqedonase.

/Shekulli Online/E.D/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu