Protestuesit e revoltuar tentojnë të hynë në KEK

0
877

(E plotësuar) Me moton “Hajnat në burg”, qindra qytetar që po protestojnë para Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) lidhur me faturat të cilat janë dy apo tre fish më të larta se muajve paraprak.

Qytetarët janë të revoltuar dhe po kërkojnë që drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka të dalë dhe të jap shpjegim përndryshe paralajmërojnë se do të hynë në objektet e KEK-ut.

Ndërkohë ,derisa protesta po vazhdon një numër i protestuesve tentuan të hynë në objektet e KEK-ut, por u ndalua nga forcat e shumta të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri u dërgoi, letër Korporatës Energjitike të Kosovës dhe Zyrë së Rregullatorit për Energji Elektrike.

Në këtë letër thuhej se në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me kushtetutë po ju drejtohem me këtë letër për të kërkuar nga ju informata dhe sqarime në lidhje me çmimet dhe faturimet e rrymës elektrike për qytetarët gjatë fundit të vitit të kaluar dhe janarit të vitit 2013. Këto ditë kemi pranuar shumë ankesa nga qytetarët mbi lartësinë e çmimeve dhe faturave të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës, e që për shumicën e qytetarëve kanë qenë të papërballueshme.

“Ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës disa herë kemi ngritur zërin rreth veprimeve të fundit në sektorin e energjisë, posaçërisht duke kundërshtuar privatizimin e distribucionit KEDS, pikërisht duke ju referuar rëndësisë strategjike të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim kemi kundërshtuar edhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve për qytetarët të cilët në gjendje të rëndë ekonomike tani po përballen me fatura e çmime edhe më të larta. Në kuadër të këtij kundërshtimi, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne si deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të ndërmarrim disa iniciativa për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të brengosur nga trendet e fundit në lidhje me çmimet dhe faturat. Prandaj, në afat sa më të shkurtër nga ju kërkojmë informatat në vijim Të gjitha rritjet e çmimeve të energjisë elektrike sipas tarifave gjatë pesë viteve të fundit. Të gjitha rritjet e planifikuara të çmimeve të energjisë elektrike për këtë vit, posaçërisht ato të cilat janë dakorduara me Konsorciumi Çalik-Limak në kontratat e padrejta të privatizimit. Shuma totale e faturuar e energjisë elektrike për dy vitet e fundit, të ndara sipas muajve, dhe shuma mesatare e faturuar për konsumator individual shtëpiak për dy vitet e fundit të ndara sipas muajve, përfshirë këtu edhe muajin janar të vitit 2013.Projektin dhe koston e instalimit të orëve të reja të regjistrimit të rrymës elektrike dhe mënyrat e financimit të këtij investimi. Ju përkujtojmë se këto informata jeni të obliguar të na i dërgoni edhe sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, jo më larg se 7 ditë nga parashtrimi i kërkesës nga ana jonë, thuhet në komunikatë.

KEK’u po vjedh

Qytetaret akuzojnë Korporatën Energjetike të Kosovës për fryrje të faturave për muajin janar. Për këtë të enjten është paralajmëruar edhe një protestë para objektit të KEK-ut. Nga Korporata thonë se faturat u rritën sepse qytetarët po e shfrytëzojnë rrymën edhe për ngrohje.

Me qindra ankesa i kanë shkuar Korporatës Energjetike të Kosovës nga qytetarët për faturat e muajit janar. Qytetarët akuzojnë Korporatën se i ka fryrë faturat për këtë muaj.

Të mërkurën, radha e atyre që prisnin para sporteleve të KEK-ut për sqarime ishte shumë e gjatë.

Një banor i lagjes Ulpiana, N.I ka thënë për gazetën se fatura e janarit, në krahasim me muajin dhjetor, i është përgjysmuar.

“Që pesë vite e kam përcjellë gjendjen dhe sikur këtë muaj asnjëherë nuk më ka ardhur rryma. Muajin dhjetor ka qenë 40 euro, këtë muaj është 80 euro, derisa shpenzimet kanë qenë po ato. Këtu diçka ka”, ka thënë një qytetar, derisa priste në radhë para sporteleve të KEK-ut.

Njëjtë si ky qytetar ankesa në KEK kanë deponuar edhe shumë tjerë.

Një zyrtar brenda Korporatës ka thënë se nuk mbahet mend të ketë pasur aq shumë ankesa nga qytetarët.

“Me qindra ankesa kanë arritur përnjëherë”, ka thënë ky zyrtar.

Ndërkohë, kjo çështje gjatë ditës së mërkurë nga qytetarët është përfolur edhe nëpër rrjete sociale. Madje, prej aty është planifikuar edhe një protestë para objektit të KEK-ut ditën e enjte.

“E di që për 13 vite janë grumbulluar me miliona euro që i kemi borxh KEK-ut. Por, të nderuar, për 13 vite asnjëherë nuk kemi protestuar për gjithë ato padrejtësi që na janë bërë nga kjo korporatë. Të bëhemi së bashku së paku për këtë ditë”, ka qenë postimi i njërit prej organizatorëve të protestës.

Faturat e muajit janar e kanë nervozuar edhe ministren e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo në profilin e saj në rrjetin social në Facebook ka shkruar se fatura e këtij muaji është e fryrë.

“Shumë shtrenjtë këtë muaj. 57m2, 74 euro, shumicën e kohës jashtë, e papranueshme”, ka shkruar Çitaku.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, ka thënë se nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake.

Buzhala ka shtuar se qytetarët po e shfrytëzojnë energjinë elektrike edhe për ngrohje.

“Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë.

Ne jemi në stinën e dimrit dhe dihet se gjatë stinës së ftohtë konsumi dyfishohet”, ka thënë Buzhala.

Sipas Buzhalës, Kosova ka tarifa që e stimulojnë kursimin, përkatësisht për 0-20 kilovatët e parë çmimi është më i liri, për 200-600 shkon duke u ngritur dhe për shpenzimin mbi 600 kilovatë çmimi është 10.16 centë dhe ka ndikim të madh në çmim nëse shpenzimi është mbi këtë shumë.

“Faktor tjetër ka qenë edhe leximi i faturave. KEK ka përfunduar leximin e faturave për muajin nëntor në fillim të dhjetorit për shkak të festës së 28 Nëntorit dhe vikendit që ka pasuar, leximi në nëntor ka mundur të bëhet vetëm një ditë. Ndërsa, dihet se KEK bën leximin e gjendjes së njehsorit në mënyrë mekanike dhe ky lexim zgjat rreth 4 ditë për të gjithë konsumatorët”, ka thënë Buzhala.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu