Pse dështuan fuqitë e boshtit në planet për rekrutimin e shqiptarëve të Kosovës?

0
807

Fashizmi ne Kosove 1944

Shqiptarët kudo që jetonin, në të gjitha trevat e tyre, pra edhe në Kosovë, masivisht, madje më tepër se shumë popuj të tjerë, u rreshtuan në bllokun antifashist, duke dhënë një kontribut të çmuar për kauzën e tij 

Komandanti gjerman August Schmidthuber e vazhdon raportin e tij, “Kështu, duke theksuar se urdhri për krijimin e Divizionit u bazua në parashikimet se “niveli i Shqipërisë ishte përafërsisht i njëjtë me nivelin e përgjithshëm të Evropës”, a thua se vërtet gjermanët nuk ishin të informuar për Ballkanin, raport shkruesi sjell fakte për të provuar se gjendja faktikisht u paraqit ndryshe. Sipas tij, meqenëse shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut “kanë bërë një jetë të mjerë…, sot nuk kanë ndonjë vetëdije të theksuar nacionale dhe shtetërore…”, dhe “në aspektin kulturor popullsia fshatare është nën tutelën e pushtetit feudal mesjetar të bejlerëve dhe agallarëve…” etj. Defektit të kësaj natyre, që e lidh me civilizimin dhe kulturën e pamjaftueshme të shqiptarëve, Schmidthuberi i shton edhe vlerësimin e tij negativ për aftësitë e tyre luftarake, për disiplinën, për trimërinë etj., duke denigruar në mënyrë të skajshme të gjithë shqiptarët si komb, përmes disa shembujve të shkëputur, të marrë nga veprimet e trupave shqiptare në shërbim të gjermanëve. Sipas Schmidthuber, “shqiptari nuk dëshiron të luftojë në kuadër të formacioneve ushtarake, por vetëm në kuadër të bandave të veta …, pa kurrfarë disipline … Kur bie shi, shton Huberi, shqiptari e lëshon pozicionin, … kur erret e braktis vendrojen dhe shkon në fshat për të pirë raki… Madje, ai ushtrimet ushtarake nuk i njeh dhe nuk i do, kurse aftësia e shqiptarit për të qëlluar në shenjë qenka një pallavër…

xhafer-deva005
Oficer Gjerman, Kosta Pecanci, nje çetnik serb dhe Xhafer Deva

Sipas Huberit, shqiptari në sulm shkon vetëm aq kohë sa mund të ketë diçka për të plaçkitur… dhe tërheqja ordinere nga fusha e betejës konsiderohet punë e mençur …” etj. Oficeri nazist vlerëson se vetëm ish-ushtarët shqiptarë të ushtrisë jugosllave u treguan të vlefshëm. Dihet se 4 000 të tillë, të ndodhur në kampe përqendrimi, që nga prilli i vitit 1941, morën premtimin se do të liroheshin, nëse do të luftonin për Gjermaninë. Rreth 1500 prej tyre u përfshinë në divizionin “Skënderbeg” (u formua më 1 maj 1944 dhe ekzistoi deri më 1 nëntor). Pasi ka nënvlerësuar maksimalisht aftësitë e shqiptarëve dhe ka shtruar argumente justifikuese për dështimin e misionit të tij, Schmidthuber, duke paraqitur një historik të formimit dhe veprimeve të Divizionit SS “Skënderbeg, i vë gishtin plagës, përkatësisht, zbulon thelbin e vërtetë të dështimit. Ngritja e divizionit SS “Skënderbeg” në Kosovë, pranon ai, “hasi në kundërshtimin e bejlerëve dhe agallarëve, pra parisë së vendit, e cila u manifestua me pasivitetin e prefektëve dhe kryetarëve të bashkive, të varura prej tyre, dhe nga një propagandë gojore armiqësore e tyre kundër formimit të divizionit”. Për pasojë, një propagandë pozitive në popull, “përveçse çfarë bëri personalisht komandanti i divizionit”, thekson ai për të vënë në dukje përkushtimin personal, nuk u bë “as nga Komiteti Nacional (Lidhja e II-të e Prizrenit – M.V.), as nga pushteti lokal”. Kurse Promemoria e Bedri Pejanit (për një kohë kryetar i Lidhjes II të Prizrenit-M.V.), për rekrutimin e 120- 150 mijë shqiptarëve dërguar Berlinit dhe personalisht Hitlerit, theksonte Huberi, përmes Rajshfyrerit të SS (Himlerit- M.V.), “përmbante vetëm premtime boshe…”*. Gjithsesi, gjenerali nazist shpresonte për mbledhjen e 25 000 rekrutëve shqiptarë në Kosovë. Por, nga raporti i sipërpërmendur, del se gjermanët financiarisht nuk ishin më në gjendje të mbulonin shpenzimet as për ngritjen dhe hedhjen në veprim të një divizioni të fuqishëm. Cilësia e rekrutëve, sipas raportit të Schmidthuberit, ishte një problem tjetër, që, krahas numrit, ndikonte shumë në vlerat luftarake të divizionit “Skënderbeg”. Sipas tij u arrit të rekrutoheshin në terren njerëz pa cilësi e pa ndikim, “vetëm varfanjakë”, nënvizon ai, ndërkohë që elementi me vlerë, “djemtë e fuqishëm” të parisë “rrinin pa u aktivizuar nëpër shtëpitë e tyre”, sepse “përmes lidhjeve dhe bakshisheve” iu shmangën rekrutimit. Kështu, deri më 25 shtator 1944, nga 11 398 persona të thirrur në rekrutim, u vlerësuan si të aftë 9 273 persona, kurse realisht u aktivizuan 6 491 veta. Në këtë rast, edhe njëherë Schmidthuber thekson se autoritetet lokale shqiptare, përkatësisht prefektët dhe kryetarët e bashkive etj., krejt pasivë, nuk morën asnjë masë ndaj atyre që nuk iu përgjigjën thirrjes për rekrutim, çka la në popull përshtypjen se krijimi i divizionit SS “Skënderbeg”, për të cilin mendohej se me 10 mijë ushtarët në përbërje, do të ishte pionieri i forcave të tjera të nxjerra nga popullsia shqiptare e Kosovës, nuk ishte një gjë serioze.

Schmidthuberi me një ironi të hidhur, shton se sidoqoftë, duhej kënaqur me aq sa u arrit, sepse dhe kushtet e strehimit për ushtarët, edhe personeli i shkolluar sanitar, edhe veshmbathjet, edhe armët dhe mjetet e tjera të luftës, ishin të pamjaftueshme. Madje, për plotësimin e nevojave për oficerë stërvitjeje e drejtimi, improvizohej me kuadër ushtarak të administratës. Situata ishte e tillë që një nëpunësi ushtarak pa përvojë e arsim ushtarak i takonte të stërviste rreth 50 rekrutë shqiptarë. Sipas Schmidthuber, me gjithë përpjekjet dhe interesimin personal të gjeneralit Fictum, përfaqësuesit të Rajhut në Tiranë, mbështetja e pamjaftueshme logjistike e materiale nga njësitë ushtarake gjermane të rajonit, nuk mund t’i mbulonte deficitet e sipërpërmendura. Për shembull, “prej korpusit V-SS të Armatës Malore, shkruan Schmidthuberi, nuk mund të pritej asgjë, sepse ai për vete s’ka pothuajse asgjë”: Kështu divizioni SS “Skënderbeg” do të mbetej deri në fund me kuadër drejtues të pakompletuar, madje, sektorë si ai informativ, gjyqësor etj., për mungesë kuadri nuk do të funksiononin fare, kurse arka e tij e zbrazët nuk do të qe kurrë në gjendje të përballonte “as përafërsisht rrogat e ushtarëve dhe ndihmat për familjet e tyre”. Oficeri gjerman herë hapur, herë indirekt, thekson se, divizioni “Skënderbeg” pa kushtet e duhura, veçanërisht pa armatimin e nevojshëm, si dhe përballë sabotimit të parisë, e cila ishte shumë e vëmendshme ndaj situatës në frontet e Luftës Botërore dhe e dëgjueshme ndaj propagandës perëndimore anglo-amerikane, gjithashtu “përballë një propagande të sforcuar komuniste të banditëve të kuq”, nuk mundi të ndërmerrte më tepër se arrestimin e 281 hebrenjve, asgjësimin e një organizate komuniste prej 210 aktivistësh dhe të disa luftimeve jo fort me efekt. Përballë kundërshtarit të furnizuar e armatosur mirë nga aleatët, divizioni nuk mund të ishte i qëndrueshëm, pranon Schmidthuberi.

Natyrisht, gjenerali nazist nuk duhet të priste më tepër përderisa vetë pohon, edhe pse ndoshta me njëfarë teprimi, se partizanët ishin të veshur, pajisur e organizuar aq mirë saqë “përballë një mitralozi gjerman mund të vinin 30 mitralozë anglezë” dhe se ata “kishin aq shumë armë automatike sa në anën tonë nuk kishte pushkë”. Në kushtet kur në aksionet tona mungojnë dhe mjetet e ndërlidhjes, shton më tej Schmidthuberi, “forcat tona dhe ato bandite i kanë ndërruar rolet”. Në raport përmenden edhe humbjen e divizionit gjatë gjithë ekzistencës së tij, përkatësisht 166 të humbur (16 gjermanë dhe 150 shqiptarë), 92 të plagosur (20 gjermanë dhe 72 shqiptarë) dhe 56 të vrarë (8 gjermanë dhe 48 shqiptarë). Në vijim të raportit, August Schmidthuberi rithekson për ndikimin e situatës, veçanërisht asaj të zhvillimeve në Ballkan, si faktor që ndikoi në dështimin e misionit të vet për organizimin e divizionit “Skënderbeg”. Pozicioni i ri i Rumanisë dhe i Bullgarisë kundër Rajhut, sipas tij, e kishte bërë të ditës parullën: “Nuk duhet lejuar që shqiptarët të luftojnë me shqiptarë”, madje kishte shtuar edhe sulmet e “bandave” nacionaliste kundër forcave gjermane. Nga ana tjetër kjo situatë po çonte në shthurjen e plotë të divizionit. Deri më 1 tetor të vitit 1944, pranon Schmidthuber, numri i dezertorëve kishte arritur 3 425 veta, duke e reduktuar forcën e divizionit në 3 994 luftëtarë, nga të cilët, sipas dr. Izber Hotit, vetëm 537 ishin shqiptarë. Dhe nëse ende ekzistojnë forca shqiptare pro nesh, shkak, konkludon Schmidthuber, është urrejtja “për komunizmin, që shihet si formë e pansllavizmit dhe në krahun lindor, përkushtimi për t’iu kundërvënë depërtimit bullgar”. Raporti i SS Brigadfuhrer Schmidthuberi nuk ka nevojë për më tepër koment. Ai, si edhe shumë dokumente të tjerë autentikë të kohës, na japin përgjigje mjaft të argumentuar për shkaqet e dështimit të idesë së Rajhut nazist, që shqiptarët e Kosovës të tërhiqeshin masivisht në aventurën e marrë hitleriane. Megjithatë ekziston, ose përmendet, edhe një argument që ka pasur vlerë edhe kur ka qenë fjala për ecurinë e Lëvizjes NÇl në Kosovë. Nëse do të gjallërohej apo aktivizohej shumë, në njërin apo tjetrin drejtim faktori shqiptar, do të kishte reagim negativ nga faktori serb. Pesha e ndryshme e këtyre dy faktorëve, qoftë në Lëvizjen Antifashiste, qoftë në forcat që përkrahën autoritetet e pushtimit, padyshim kanë ndikuar. Dihet se PKJ i interesonte më shumë të bënte për vete Serbinë dhe serbët se Kosovën dhe shqiptarët. Kurse në rastin e interesit të gjermanëve për të gjetur mbështetje në Kosovë mendoj se në përgjithësi është vepruar maksimalisht, për aq sa ka qenë e mundur në vitin 1944.

Dokumentet tregojnë pse shqiptarët e Kosovës nuk u vunë në shërbim të Vermahtit 

Edhe pse midis Nojbaherit dhe Himlerit, dy personave shumë të pushtetshëm të Rajhut, ka pasur pikëpamje të ndryshme, sepse i pari i trembej një rritjeje të veprimtarisë antigjermane në Serbi po të militarizohej Kosova, gjermanët në fakt bënë aq sa mund të bënin në atë periudhë kur fundi i luftës po dukej, dhe kur strategjia e Rajhut për momentin ishte tërheqja me sa më pak humbje e forcave ushtarake nga Ballkani. Së pari, shqiptarët e Kosovës nuk mundën apo nuk deshën të rekrutoheshin masivisht në shërbim të Vermahtit? Dhe, së dyti autoritetet naziste të pushtimit nuk mundën apo nuk deshën të bënin rekrutim masiv në Kosovë? Përgjigja që ofron analiza e dokumentacionit që njohim është: Shqiptarët nuk deshën të viheshin në shërbim të nazifashizmit, kurse gjermanët, dhe jo vetëm ata, por edhe aleatët e tyre, nuk mundën t’i përdornin masivisht, siç do të donin shqiptarët në shërbim të tyre. Shqiptarët kudo që jetonin, në të gjitha trevat e tyre, pra edhe në Kosovë, masivisht, madje më tepër se shumë popuj të tjerë, u rreshtuan në bllokun antifashist.

Nga: Marenglen Verli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu