Pse lejohet t’i bëhet “shkelje” Kushtetutshmërisë së Kosovës?

0
777

Edhe partnerja e koalicionit qeverisës, deputetja Vesna Nikiq, edhe pse është deputete e Parlamentit të Kosovës, nuk e njeh Republikën e Kosovës. “Shkelje” të kushtetutshmërisë po bëhet gati nga çdo kush dhe çdo kund, në territorin e Kosovës, kuptohet atë po e bënë kush më pak e kush më shumë. Kjo “shkelje” po bëhet edhe nga ata që janë të thirrur që ta mbrojnë atë. Shkelje të Kushtetutshmërisë së Kosovës po bëhet edhe brenda institucioneve të Kosovës, po bëhet shkelje edhe nga parlamentarët e Kosovës, por shkelja më e rëndë që i bëhet Kushtetutës së Kosovës, është ajo nga deputetet e Parlamentit të Kosovës.

Pse për këto shkelje nuk po merret prokuroria e Kosovës. Pse bie fjala Kryeparlamentari i Kosovës lejon të shkelet Kushtetutshmëria e Kosovës nga deputetja Trajkoviq? Në seancën e ditës së mërkurë deputetja Trajkoviq “në sy “ të kryeministrit Thaçi dhe të gjithë parlamentarëve të Kosovës, pa u penguar nga kryesuesi Xhavit Haliti disa herë emërtimin Kushtetues të Kosovës e quante me emër jo kushtetues.

Një thënie e popullit thotë:” lehtë është me e fituar por është vështirë me e mbajt”, sikur i përgjigjet realitetit tek ligjvënësit e Kosovës. Me çfarë të drejte deputetja Trajkoviq (lexo: që paguhet nga taksapaguesit e Kosovës) emërtimin kushtetues të vendit nuk e shqipton drejt (por, ajo e bënë me qëllim, pra e bënë kastile)?

I

Tash e sa kohë gjithandej Kosovës në forma dhe mënyra të ndryshme “shkelet” Kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës. Një shkelje të pafalshme ka kohë që është duke e bërë edhe deputetja e Parlamentit të Republikës së Kosovës znj. Trajkoviq. Ajo pa fije turpi madje me një ironi të paparë emërtimin e drejt të emrit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk e quan drejt, dhe për këtë askush nga kryesuesit e seancave të Parlamentit të Republikës së Kosovës, nuk e pengon. Për hir të vërtetës ka pasur raste kur i është tërhequr vërejtja nga ana e kryeparlamentarit Krasniqi, por ajo edhe më tutje vazhdon me të vjetrën. Kështu ndodhi edhe ditën e mërkurë të datës 18 prill, në seancën parlamentare të Republikës së Kosovës ku si kryesues i seancës parlamentare ishte z. Xhavit Haliti, i cili nuk e pa të arsyeshme të t’ia ndërpret fjalën për shkak se Kosovën e quan me emër jo kushtetues. Pasi mbaroi diskutimin e saj, ajo sikur iu falënderua z. Xhavit Halitit që nuk ia ndaloi diskutimin, dhe qeshej. Sjellja e deputetes Trajkoviq është akoma më e keqe ngase ajo tek masa e gjerë jo shqiptare dërgon mesazhe se ja “unë haptas në Parlamentin e Kosovës them se Kosova është e Serbisë, ajo për hir të vërtetës në këtë mënyrë nuk e tha, por e thotë ashtu siç figuron në Kushtetutën e Serbisë, pra Republikën e Kosovës e quan “Kosovo i Metohija”. Ajo pse nuk e trajton Kosovën publikisht ashtu siç është paraparë me Kushtetutë të Republikës së Kosovës, duhet të ketë masa ndaluese aq më përpara kur ajo paguhet nga taksa paguesit e Republikës së Kosovës. Për hir të vërtetës asaj edhe pse disa herë i është tërhequr vërejtja nga z. Jakup Krasniqi, ajo edhe më tutje bënë shkelje të kushtetutshmërisë kur është fjala e emërtimit të drejt të emrit Kushtetues të Kosovës. Duhet të ketë një masë ndaluese të fyerjes së mëtutjeshme të emrit kushtetues të Republikës së Kosovës, kjo nuk guxon të lejohet në të ardhmen sepse kjo nëpërmjet të kësaj sjelljeje ajo haptas propagandon për rrënimin kushtetues të Republikës së Kosovës. Kështu ngjashëm më 2 maj në emisionin “Sllobodno Srpski” të RTK-së në ora 17 e 40 minuta, deputetja nga “Jedinstvena Lista Srba”, dhe partnere e koalicionit qeverisës, znj. Vesna Nikiq, në pyetjen e gazetarit se a e njihni ju Republikën e Kosovës ashtu siç than në intervistë qytetarët në një anketë nëpër Prishtinë dhe Graqanicë, ajo pa fije turpi tha, jo assesi nuk do të thotë se ne serbët e njohim Republikën e Kosovës edhe pse jemi në Parlamentin e Kosovës. Komenti është i tepërt!

II

Nëse në “ gjirin” e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, lejohet që të “ shkelet” kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës në mënyrën çfarë e bënë deputetja znj. Trajkoviq, dhe nuk pengohet nga kompetentët e Kuvendit të Kosovës, atëherë kush duhet të dalë në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës? Jo ore jo, kushtetutshmërinë e vendit jemi të obliguar që çdo kush nga ne ta mbrojmë dhe ta respektojmë, me të gjitha mjetet e mundshme, madje edhe me forcë, pavarësisht se ajo si e tillë, pra e tëra të gjithëve njëlloj nuk na pëlqen.

Në qoftë se mbrojtja e kushtetutshmërisë edhe nga kjo formë e “shkeljes” nuk është paraparë me ligj dhe me ndonjë rregullore të Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë shumë, shumë shpejt këtë çështje duhet ta ketë parasysh presidentja e Kosovës, kryeministri i Kosovës, kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kushtetuta e Republikës së Kosovës edhe në këtë aspekt të jetë i mbrojtur. Alarmin për këtë duhet ta bëjë prokuroria e Republikës së Kosovës, nga aty duhet të dalin masat përkatëse lidhur me këtë çështje, deri atëherë neve qytetarëve të Kosovës, respektivisht taksa paguesve të Republikës së Kosovës na mbetet të bëjmë”sehir” e të presim se çka do të ndodhë lidhur me këtë problem. Në ndërkohë, zonja deputete Trajkoviq dhe zonja Vesna Nikiq, lirisht do ta “shkelin” kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës, derisa ne e veçanërisht ata më të thirrurit e shohim me sy se si na “shkelet” Kushtetuta për të cilën aq mund, djersë e gjak …, kemi derdhur për të.

 

Nga Cenë Pushkolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu