Pse PDK nuk u mblodh sot?! Shpresa e fundit- përçarja e Bllokut për postin e kryeministrit!

0
460

PDK-ja

Gjatë ditës mediet raportuan se është mbledhur Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për hapat që duhet t’i ndërmarrë kjo parti pas vendimit të Bllokut LVAN, për heqjen dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, zyrtarë të lartë të partisë së drejtuar nga Hashim Thaçi i kanë thënë Gazetës Blic se organi më i lartë drejtues i partisë nuk është mbledhur.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

“Jo, nuk është mbledhur Kryesia”, ka thënë shkurt Kuçi për Gazetën Blic nëpërmjet SMS-it.

Ndërkaq, Gazeta Blic nga burime brenda PDK-së ka mësuar se udhëheqësit e kësaj partie janë duke pritur hapat e e mëtutjeshëm të Bllokut, sidomos pas kthimit të Ramush Haradinajt e Isa Mustafës nga Berlini.

“Jemi në pritje të kthimit të Haradinajt e Mustafës nga Berlini. Sipas informatave që kemi nga këto dy parti, ka gjasa që të prishet blloku, sepse as Mustafa e as Haradinaj nuk do të lëshojnë pe për postin e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ky burim. E sipas këtij burimi, nëse Blloku nuk do të prishet, ne do të vazhdojmë që të mos e thërrasim seancën pa pasur marrëveshje paraprake edhe për formimin e qeverisë.

Ndërkaq, zyrtarisht nga PDK nuk ka dashur askush të jap komente.

Mirëpo, të premten e kaluar kur Blloku hoqi dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, duke ia hedhur topin PDK-së, një reagim të ashpër e kishte bërë vetë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Ai kishte thënë se pa PDK-në nuk do të ketë institucione. Sipas tij, ose do të ketë marrëveshje me PDK-në ose vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.

Mirëpo, zgjedhjet e reja nuk do të mund të shpallen lehtë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet shpallen vetëm me shpërndarje të Kuvendit, gjë që së pari duhet të konstituohet Kuvendi, në mënyrë që pastaj të shpërndahet nga votat e 2/3 të të gjithë deputetëve. Pra, as Kushtetuta e Kosovës, por as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i parashikon zgjedhjet ashtu siç po kërkon PDK-ja.

Madje, edhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy Ann Jackobson në një ligjëratë publike që ka mbajtur para disa ditësh ua ka bërë të qartë të gjithëve se në zgjedhje nuk mund të shkohet pa u konstituuar Kuvendi i ri.

Edhe pse Blloku LVAN ia lëshoi postin e kryeparlamentarit PDK-së, ndërmjet vete ende nuk janë marrë vesh se si do t’ia bëjnë. Isa Mustafa ka deklaruar sot e duhet të rikonfigurohet marrëveshja, derisa nga AAK vazhdon të besojnë se atyre u takon posti i kryeministri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu