Pse po eskalon konflikti turko-kurd

0
862

Sulmet e fundit terroriste në juglindje të Turqisë sërish kanë kthyer vëmendjen e opinionit botëror nga shteti turk. Konflikti i Turqisë me kurdët po ashpërsohet, njësoj sikurse edhe gjakderdhja në Sirinë fqinje. Qetësimi i situatës në asnjërin prej këtyre dy shteteve s’po duket në horizont.

Shpërthimet e fundit në kryeqytetin e krahinës turke Gaziantep, që ndodhën më 20 gusht, dhe si pasojë e të cilave u vranë dhjetë dhe u plagosën më shumë se 60 njerëz, paraqesin kulmin e konfrontimeve të fundit të përgjakshme të shtetit turk me kurdë.

Si pasojë e këtij konflikti, prej vitit 1984 e deri më sot janë vrarë më shumë se 40,000 njerëz.

Mirëpo, beteja që Partia Punëtore e Kurdistanit (ose shkurt, PKK) për krijimin e shtetit kurd lëre që s’është as afër përfundimit, por vetëm sa është duke u ashpërsuar.

Shtrohet, pra, pyetja se a qëndron vërtet PKK – një organizatë kjo që në të gjitha shtetet e Europës cilësohet si terroriste – prapa sulmeve në Gazinatep? Një përgjigje e saktë s’mund jepet me aq siguri, për shkak se përfaqësuesit e PKK refuzojnë me këmbëngulje çfarëdo përgjegjësie për këto shpërthime.

Në krahinën turke Gaziantep, e cila ndodhet në kufirin e Turqisë me Sirinë, kanë gjetur strehim shumë refugjatë nga Siria. Deri tani kjo krahinë nuk është konsideruar kurrë një qendër e luftimeve (e as e veprimeve tjera) të PKK’së kundër turqve. Në Gaziantep jetojnë shtetas turq me prejardhje kurde e arabe, të cilët tani po kërkojnë përgjigje në pyetjen se kush qëndron prapa sulmeve të fundit që ndodhën në vendin ku jetojnë. Arsyeja që ngriti dyshimet se prapa këtyre sulmeve qëndron PKK është spiralja e dhunës së muajve të fundit, e cila shumë ushtarëve turqve – por edhe luftëtarëve për krijimin e shtetit të Kurdistanit – u kushtoi ne jetë.

Sulmet ndaj civilëve s’janë karakteristikë e PKK’së

Eksperti gjerman për hulumtimin e natyrës së konflikteve, dr. Jochen Hippler, paralajmëron për rrezikun nga hedhja e shpejtë e fajit drejt PKK. “PKK po mohon çfarëdo lidhje me këtë sulm. Natyrisht, kjo nuk duhet që domosdoshmërisht të jetë e vërtetë, por as gënjeshtër. Nuk duhet të reagohet me nguti. Paraprakisht do të duhej të priteshin rezultatet e hetimeve”, mendon ai.

Nga ana tjetër, eksperti gjerman për Lindjen e Mesme, Udo Steinbach, është i mendimit se sulmet ndaj popullatës civile nuk janë karakteristikë e PKK’së. Edhe ai konsideron se duhet pasur kujdes me akuza, dhe se këtu duhet pasur parasysh edhe situata aktuale në Siri. Deri më tani, PKK ndërmerrte aksione vetëm kundër ushtrisë turke, shprehet Steinbach.

“Rrjedhimisht, kjo nënkupton se pyetja që do të duhej të shtrohej është se a qëndron vërtet PKK prapa sulmeve, apo mos ndoshta duhet marrë në konsideratë edhe ndonjë forcë tjetër”, thekson ai.

Shtohen tensionet mes Turqisë e Sirisë

Ka më shumë se një vit që Siria është përfshirë nga lufta qytetare. Disa mijëra refugjatë sirianë kanë gjetur strehim në Turqi. Veç kësaj, Turqia po e mbështetë opozitën siriane, përderisa kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është distancuar shumë qartë nga diktatori sirian, Bashar al-Assad, dhe regjimi tij. Po ashtu, Erdogan ka kohë që po kërkon dorëheqjen e al-Assad.

Së fundmi tensionet ndërmjet Ankarasë e Damaskut janë shtuar ndjeshëm, pohon Seinbach, derisa sqaron se nuk mund të përjashtohet mundësia që regjimi sirian tani po e përkrahë PKK’në.

“Është shumë e mundur që në Gaziantep kemi të bëjmë me një sulm të përbashkët të Damaskut dhe të Partisë Punëtore të Kurdistanit”, thekson ai.

Kurdët jetojnë në Turqi, Irak dhe Iran. Një pjesë e tyre jetojnë edhe në veri të Sirisë. Ka zëra që thonë se ata kanë marrë kontrollin në disa qytete veriore të Sirisë. Qeveria e Turqisë ka reaguar ashpër ndaj këtyre informacioneve.

“Në qoftë se kurdët, që janë pjesë e opozitës që po e lufton al-Assadin, bashkohen me pjesëtarët e Partisë Punëtore të Kurdistanit, atëherë sigurisht që Ankaraja nuk do të hezitojë të intervenojë”, deklaroi zëvendëskryetari i partisë turke në pushtet (AKP), Omer Çelik.

Në kuadër të zhvillimeve aktuale në Siri dhe Irak, as Steinbach nuk e përjashton mundësinë e përkeqësimit të konfliktit kurd me Turqinë.

“Problemi kurd në Turqi nuk është zgjidhur ende. Pjesa kurde e Irakut, në njëfarë mënyre, ka një rol të dyfishtë. Nga njëra anë ajo ka një konvergjencë me Turqinë, e nga ana tjetër ajo shikon me interesim se ç’po ngjet në Kurdistanin sirian. Pra, duket se po shfaqet një hapësirë bukur e madhe kurde pranë kufirit turk. Mendoj se kjo gjë do të monitorohet me vëmendje nga Ankaraja”, sqaron Steinbach.

Ftesa për zgjidhje politike

“Problemi qëndron në atë se momentalisht askush në botë nuk ka një zgjidhje për luftën civile në Siri. E njëjta gjë vlen edhe për Turqinë”, shprehet Hippler.

Që të dy, Steinbach dhe Hippler, pohojnë se Turqia s’mund të zgjidhë vetë problemin e Sirisë, kështu që do të ishte më mirë po të provohej gjetja e një zgjidhjeje për problemin e brendshëm turk me kurdët. Dy ekspertët pajtohen se kjo është e mundur, por vetëm me mjete politike.

“Dikush do të duhej të kërkojë nga kryeministri turk, Erdogan, ndërmarrjen e disa hapave të guximshëm’, thotë Steinbach.

Sipas tij, hapi i parë do të duhej të jetë krijimi i një identiteti të ri turk, që do të përqafonte të gjitha pakicat religjioze dhe etnike. Gjithashtu, do të duhej të vihen kontakte me kurdët, në mënyrë që të forcohet demokracia në vend, përfundon Steinbach.

Hippler, ndërkaq, nënvizon faktin se deri më tani pjesëmarrja e kurdëve në politikën dhe në jetën shoqërore turke nuk ka qenë e mundur. Rrjedhimisht, ai i bën thirrje Turqisë që politikës dhe kulturës kurde t’i lejohet hapësira e merituar brenda shoqërisë turke.

/DW/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu