Ministri i Drejtësisë në Maqedoni, Adnan Jashari po heshtë dhe nuk vepron ndaj akuzave për tortura dhe keqtrajtime në burgun e Shutkës në Shkup.
Ditëve të fundit janë rritur shqetësimet për ushtrimin e dhunës dhe torturës ndaj të burgosurve të grupit të Kumanovës, ndërsa alarmi për këtë është dhënë nga shumë organizata për të drejtat e njeriut, avokatët dhe familjarët.
Shqetësimi dhe reagimi është shprehur edhe nga Prishtina zyrtare, informon INA.
Ministria e Drejtësisë në Maqedoni si organ të saj ka Drejtorinë për ekzekutimin e sanksioneve e cila ka nën kontroll të gjitha burgjet në vend, përfshirë edhe burgun e Shutkës.
Ministri i këtij dikasteri Adnan Jashari nuk ka ndërmarrë asgjë për të zbardhur situatën dhe të shkojë të shoh gjendjen në këtë burg, që drejtohet nga një kuadër i VMRO-DPMNE.
Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti sot ka akuzuar për obstruksione nga ana e drejtorisë së burgut të Shkupit, lidhur me gjendjen e të paraburgosurve të grupit të Kumanovës.
“Avokati i Popullit po përballet me obstruksione gjatë kryerjes së detyrës dhe ate nga ana e drejtorisë së burgut. Andaj nuk kemi arritur që të vizitojmë të gjithë të paraburgosurit, për çka kemi lëshuar edhe një raport deri tek Ministria e Drejtësisë dhe kërkojmë njoftim me shkrim”, deklaroi Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti. Janë 28 veta të arrestuar gjatë operacionit të 9 majit në Kumanovë, shumica prej tyre shtetas të Kosovës të njohur si ish-luftëtarë të UÇK-së. (INA)
