Pse u vra Rama? Ish-zëvendëskomandant i UÇK’së për Zonën e Llapit

0
850

Ramë Tafilaj, ish-zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit, i shpëtoi luftës, por të martën u vra. Ai nuk u rezistoi plagëve që mori nga arma e zjarrit e të dyshuarit D.A. nga Dresniku i Klinës. Mendohet se arsyeja e vrasjes ishin mospajtimet për një arë. Por këtë version nuk e pranojnë familja e të dyshuarit. Policia ka arrestuar një person dhe ka filluar hetimet.

Arriti t’i shpëtojë luftës së fundit në Kosovë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve nga arma e zjarrit që mbi trupin e tij u shkrepën 13 vjet pas saj.

E marta ishte dita e fundit e jetës për Ramë Tafilajn.

Ish-zëvendëskomandant i UÇK’së për Zonën e Llapit dhe tash veteran i luftës në Kosovë, humbi jetën tragjikisht.

Dyshohet se Ramë Tafilaj nga fshati Shtaricë u vra për shkak të një toke që e kishte trashëguar nga familja e tij.

Gjithçka nisi të martën, kur i ndjeri u nis me djalin e tij për në fshatin Dërsnik të Klinës, aty ku i kishin tokat, të cilat mendohet se u bënë shkak i vrasjes së tij.

Është pikërisht djali i tij, Bekimi, ai që me sytë e tij e pa vdekjen e të atit.

Ky është momenti të cilin Bekimi thotë se nuk do ta harrojë sa të jetë gjallë.

Derisa priste burrat që shkonin për ngushëllime dhe i përlotur nga tmerri që pa me sytë e tij, Bekimi rrëfen për Express krejt ngjarjen, pas së cilës humbi babanë.

Ishte mëngjes kur bashkë me të, vendosën të shkojnë në Dërsnik, te tokat e familjes. Ishte kjo arsyeja pse Bekimi edhe erdhi nga Zvicra, aty ku jeton tash e sa vite.

“Kemi një tokë atje bashkë më axhën tim. Prandaj, unë dhe babai vendosëm me shku e me pa se si me e nda hisen tonë”, rrëfen Bekimi për Express.

Megjithatë, nuk ndodhi gjithçka ashtu siç Bekimi me të atin e paramenduan.

Toka për të cilën ata u nisën, u doli të jetë tokë e përgjakur.

Kjo pasi dikush doli në mes të rrugës dhe nisi të gjuante me armë në drejtim të makinës së tyre.

Nga plumbat e shkrepur, mbeti i vdekur Ramë Tafilaj.

E krejt problemi, sipas familjes Tafilaj, dyshohet se nisi për shkak të një marrëveshjeje rreth tokës që vëllai i të ndjerit kishte bërë kohë më parë me personin që dyshohet se edhe e vrau atë.

“Axha im paska bërë njëfarë shkëmbimi me atë familje. E, ne nuk po e dimë ku e kemi pjesën tonë të tokës, prandaj edhe kemi shku të martën atje për të parë”, tregon Bekimi.

Por saktësimi i tokës së tyre nuk iu lejua.

Kjo pasi dorasi D.A. dyshohet se u doli atyre në pritë dhe nisi të gjuante drejtë makinës, të cilën po e ngiste Bekimi.

“Me sytë e mi e kam parë një burrë me allti, i cili nisi të gjuante pa ndërprerë drejt makinës sonë, derisa jemi afruar shumë pranë tij”, vazhdon tregimin Bekimi.

Janë këto të shtëna të cilat edhe ia morën jetën babait të tij.

“E ndaluam makinën për t’u marrë vesh, por kot. Si e qiti baba këmbën e parë jashtë saj, e rrokën dy plumba”, pohon ai.

Ramë Tafilaj nuk u rezistoi dot këtyre plagëve, prandaj pavarësisht tentimeve të mjekëve për ta shpëtuar të gjallë, ai ndërroi jetë.

Është mënyra se si i vdiq babai, ajo që nuk po e lë të qetë Bekimin.

Ai thotë se tash për tash është duke menduar se si ta qetësojë familjen nga tragjedia që i preku të gjithë.

Por thotë që kur të qetësohen pak gjërat, nuk e ka ndërmend të heshtë.

“Tash për tash le të merret drejtësia me vrasësin e babës tim. Por më vonë unë nuk e kam ndërmend ta lë me kaq. Kurdoherë do ta marr gjakun e tij”, thotë i bindur Bekimi. “Babai im nuk ka luftuar për këtë punë dhe nuk e ka merituar të vdesë në këtë mënyrë”, pohon ai.

Derisa Bekimi dhe hetuesit që po merren me rastin thonë se ky incident i rëndë ndodhi për shkak të kontekstit pronësor, një arsye krejt tjetër se pse ndodhi kjo vrasje, japin familjarët e të dyshuarit D.A. nga Dërsniku.

Pavarësisht se nuk dëshirojnë të komentojnë shumë rreth asaj që ndodhi para shtëpive të tyre të martën, e vetmja gjë për të cilën thonë se nuk pajtohen, është arsyeja e vrasjes, e cila është transmetuar në medie.

“Vrasja nuk ka të bëjë me tokën, kjo është e tëra”, thotë vëllai i dorasit për Express. “Nuk dua të flas diçka tjetër për këtë çështje. Kjo punë tash është në dorën e policisë”, thotë shkurt ai, duke e shtuar edhe më shumë misterin e kësaj vrasje.

Pak orë pasi ndodhi kjo vrasje, policia ka lëshuar edhe një komunikatë për media, në të cilën ka sqaruar motivet dhe gjithçka rreth ngjarjes.

Sipas komunikatës zyrtare të policisë, thuhet se R. Tafilaj (1955) nga fshati Shtaricë e komunës së Klinës, është vrarë me armë zjarri, pas një zënke që ka pasur me një person nga fshati Dërsnik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11 e 5 minuta, të martën, në afërsi të fshatit Dërsnik të Klinës.

Sipas Xhevat Ibrajt, zëdhënësit rajonal të Policisë së Kosovës, njësitet policore me të marrë informatën, menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe për të kapur personin e dyshuar në këtë rast.

“Viktimë në këtë rast është shtetasi i Kosovës, R.Tafilaj, (25.08.1955), nga fshati Shtaricë e Klinës, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por i njëjti përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe mjekët kanë konstatuar edhe vdekjen e tij”, ka sqaruar Ibraj.

Personi i dyshuar, shtetasi i Kosovës D.(A.)A. (1963) nga fshati Dërsnik – Klinë, është arrestuar nga policia dhe nga i njëjti është konfiskuar edhe arma automatike Ak-47 cal.7.62 mm, një karikator me 21 copë fishek ëtë kalibrit 7.62 x 39 mm, me të cilën dyshohet se e ka kryer vrasjen.

Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se shkak i vrasjes është një kontest pronësor në mes të dyshuarit dhe viktimës.

Me vendim të prokurorit publik të Qarkut, trupi i pajetë i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim të mëtutjeshëm. I ndjeri ka qenë luftëtar i UÇK-së, i martuar dhe ka lënë gruan dhe fëmijë.

 

Nga Lirita Halili

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu