Qafë Kërrabë, bie në greminë autobusi i AK-së, 9 të plagosur, Spahiu: Një automjet provokoi aksidentin

0
814

Një autobus me rreth 35 aktivistë të Aleancës Kuq e Zi është përmbysur diten e shtunë rreth orës 16:50 në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Mësohet se të paktën 9 persona janë plagosur dhe vetëm 2 janë në gjendje të rëndë, ndërsa plagë të lehta kanë marrë 22 persona. Konfirmohet se në gjendje të rëndë është shtetasi Arjan Kojku, por sipas ministrit Vasili konfirmohet se ai është jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të plagosurit janë dërguar në spitalin e Elbasanit.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë në vendin e quajtur Qershitë.

Mësohet nga policia se, autobusi ishte me aktivistë të Aleancës Kuq e Zi dhe po udhëtonte nga Tirana drejt Librazhdit.

Autobusi i linjës Tiranë-Librazhd me targa LB 3156 ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur disa herë duke rënë 10 metra larg rrugës.

Sipas informacioneve paraprake shkak i aksidentit ka qenë një mjet tip Land Rover, pasi i ka prerë rrugën autobusit dhe ky u fundit është detyruar të devijojë, duke dalë nga rruga dhe ka rënën në humnerë.

Drejtuesi i mjetit Mitat Biçaku është shoqëruar nga policia për të dhënë dëshmitë në lidhje me aksidentin.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Mësohen emrat e të plagosurve

Ata janë: Taulant Muca, Dritan Bozhiqi, Florian Shkurti, Pranvera Sollaku, Altin Alla, Medin Hysa, Olsi Ozuni dhe Fatmir Brazhda, i cili është kryetari i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin.

Vasili: Na ka ndihmuar lajmërimi që na bënë qytetarët

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka thënë se ka 9 persona të plagosur janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Artan Kojku, ka marrë plagë të rënda, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Vasili ka falënderuar qytetarët për ndihmën e dhënë pasi e kanë lajmëruar me telefon.

“Nuk ka viktima, ky është edhe lajmi më i rëndësishëm. Tetë prej tyre janë me plagë të lehta. Njëri është më rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po trajtohen në spitalin e Elbasanit. Kemi vënë në dispozicion helikopterët tanë, në afërsi të Elbasanit në rast të ndonjë përkeqësimi të mundshëm të situatës”,- u shpreh ministri Vasili.

Vasili u shpreh se helikopteri u kthye mbrapsht ngaqë gjendja e të plagosurve ishte nën kontroll .

Policia e Tiranës: Janë 2 të plagosur rëndë, por  jashtë rrezikut për jetën

Rreth orës 16:50 të ditës së sotme është marrë informacioni se në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, rreth 3 km pa hyrë në qytetin Elbasan, në vendin e quajtur Qershitë, autobusi me targë Lb 3156 A, drejtuar nga shtetasi Mit’hat Biçaku, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 10 metër poshtë.

Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Elbasan për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 8 nga pasagjerët e këtij autobusi. Të dëmtuarit në këtë aksident janë transportuar drejt ambienteve spitalore dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën, vetëm dy prej tyre kanë pësuar dëmtime më të rënda, por pa rrezik për jetën.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit të pranishme në vendngjarje aktualisht po punohet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Spahiu: Një makinë provokoi aksidentin

Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, mbërriti menjëherë në vendin e quajtur Qershitë, ku u aksidentua autobusi me aktivistë të AK-së. Spahiu tha se kishte mësuar nga aktivistët se një makinë i kishte ndërprerë disa herë rrugën autobusit, duke e detyruar të dilte nga rruga.

“Autobusi ka qenë i prenotuar vetëm nga aktivistë të Aleancës Kuq e Zi. Janë të njëjtat pamje të një muaji më parë. Besojmë tek forcat e policisë, deri në kapjen e personit që ka provokuar këtë aksident.”- u shpreh Spahiu.

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi: Asnjë të plagosur nuk ka në vendngjarje

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka thënë se është e rëndësishme është se asnjëri nga të plagosurit nuk ka rrezik për jetën.  Halimi  konfirmon se janë vetëm 8 ose 9 persona janë të plagosur. “Policia po bën të gjitha procedurat për zbardhjen e ngjarjes. Dhe në vendngjarje është vetëm interesimi i medieve dhe i njerëzve, ndërsa të aksidentuarit janë transportuar të gjithë në spitalin e Elbasanit”, u shpreh Halimi.

Deputeti socialist Taulant Balla: Të aksidentuarit janë me fat

Deputeti socialist Taulant Balla tha se të aksidentuarit janë me fat duke pasur parasysh pozicionin dhe vendin ku ka rënë autobusi. “Ka vetëm dy raste që kanë gjymtime të thyera. Pra është fat që të 35 pasagjerët kanë shpëtuar duke pasur parasysh terrenin”, tha Balla.

PDIU: Autoritet të zbardhin ngjarjen

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me aksidentin e Elbasanit, duke i bërë apel autoriteteve të zbardhin sa më shpejt shkaqet e aksidentit të ndodhur pasditen e stome në vendin e njohur si Qershitë, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Përmes një njoftimi për mediat, PDIU ka shprehur solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me shqetësim gjendjen e aktivistëve të Aleancës Kuq e zi, të dëmtuar gjatë aksidentit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Për fat të mirë, gjatë këtij aksidenti nuk pati humbje njerëzore, çka do të ripërsëriste tragjedinë e pak ditëve më parë. PDIU shpreh solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe u uron atyre shërim të shpejtë. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare të zbardhin sa më parë shkaqet e këtij aksidenti.”- theksohet në njoftimin e PDIU-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu