Qemal Butka, i preferuari i Mbretërisë që u rekrutua nga anglezët

0
1050

Në shkrimin e sotëm ku flitet mbi Arkivat e Shërbimeve të Fshehta Britanike S.O.E gjatë luftës së Dytë Botërore dhe çështjet mbi Shqipërinë, kemi përzgjedhur për të botuar disa dokumente që flasin mbi angazhimin e një personazhi shqiptar mjaft interesant në operacionet e fshehta të SOE. Personi në fjalë, i cili përmendet shpesh në korrespondencën e Zyrës së SOE në Stamboll dhe asaj në Kajro, me sa duket ka qenë një personazh i angazhuar politikisht gjatë kësaj periudhe, duke pasur një rol të rëndësishëm në planet e britanikëve për të krijuar një lloj “Qeverie në Emigracion të Shqiptarëve të Lirë”.
Krijimi i një “Qeverie në Emigracion” apo të ashtuquajturin “Komitet i Shqiptarëve të Lirë” është një lëvizje e SOE britanike për të krijuar një lëvizje politike paralel me zhvillimet e operacioneve sekrete ndaj Shqipërisë menjëherë pas zhvillimeve të rëndësishme politike botërore, të cilat tashmë e kishin vendosur Anglinë përballë luftës së pakthyeshme me forcat italo-gjermane. Pas rënies së Greqisë dhe pushtimit të Jugosllavisë nga forcat gjermane, Zyra e SOE u vendos në Stambollin neutral. Prej këtu mori formë edhe ideja e krijimit të Komitetit të Shqiptarëve të Lirë, të cilët do të operonin nga territoret nën influencën britanike për të pasur një lloj kundërpeshë ndaj qeverisë së Tiranës nën pushtimin fashist. SOE britanike këtë operacion sekret ia besoi një prej njohësve më të mirë të Shqipërisë, Kolonelit Frank Sterling, i cili megjithëse shumë pak i njohur sot nga historiografia shqiptare mund të konsiderohet pa frikë si themeluesi i xhandarmërisë shqiptare në vitet 1920. Koloneli Sterling, një oficer me mjaft reputacion në radhët e ushtrisë britanike të Lindjes së Mesme siç duket nga zhvillimet e ngjarjeve nuk ishte personi i duhur për një Mision i cili ishte më shumë një operacion me karakter diplomatik. Duke zgjedhur Jeruzalemin si vendndodhjen e Komitetit, ai solli nga Stambolli të gjithë ata shqiptarë anti Italianë që mund të gjente jashtë Shqipërisë por të bie në sy fakti se personat e zgjedhur ishin persona të distancuar gjithashtu nga Mbreti Zog duke mbajtur një karakter më asnjanës ndaj çështjes së Mbretit. Ndoshta zhvillimi i ngjarjeve politike dhe ushtarake në terren ndoshta përzgjedhja e njerëzve jo të duhur mund të ketë sjellë dështimin e këtij operacioni, i cili nuk u konkretizua asnjëherë. Megjithatë, mund të thuhet se një lëvizje e tillë është parë me dyshim nga Ministria e Jashtme britanike, e cila kishte edhe ekskluzivitetin e politikës së jashtme britanike dhe e ruante me xhelozi këtë ekskluzivitet, shpesh duke sabotuar edhe përpjekjet e SOE për t’u përfshirë në çështje të politikës.
Operacioni i krijimit të Komiteti me sa duket nga dokumentet e botuara sot ka qenë mbështetur edhe nga një tjetër njohës i mirë i Shqipërisë, Sir Richard Hodgson, i cili për një kohë të gjatë ishte Ambasadori britanik në Mbretërinë Shqiptare. Në vitin 1940 -41, i sapo kthyer nga Spanja ku kishte shërbyer si përfaqësuesi diplomatik pranë Gjeneralit Franko, Sir Hodgson me sa duket ka qenë përfshirë në rekomandimin e disa shqiptarëve, ish miq të vjetër që nga koha e shërbimit të tij në Tiranë ndër të cilët edhe Kemal Butka për këtë Komitet. Megjithëse me kontakte të mira në Ministrinë e Jashtme Sir Hodgson ishte më i prirur të mbështeste operacione e SOE ndoshta duke e njohur edhe natyrën ballkanike ku veprimet konkrete ishin më të prirua për të pasur sukses.
Nga dokumentet e botuara sot shikohet mjaft qartë se arkitekti i njohur shqiptar dhe ish Kryetari i Bashkisë së Tiranës në 1936-37, Qemal Butka ka qenë një person i vlerësuar si nga Zbulimi i Fshehtë Britanik ashtu edhe nga Ministria e Jashtme Britanike për aftësinë e tij por edhe për besnikërinë ndaj autoriteteve angleze. Qemal Butka i edukuar në Vjenë për arkitekturë ishte një prej arkitektëve më të rëndësishëm në Shqipëri gjatë viteve të Monarkisë dhe mjaft ndërtesa private apo publike mbajnë firmën e talentit të tij. I njohur si Kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë viteve 1936-37, arkitekti Butka është edhe projektuesi i një prej monumenteve më të rëndësishëm dhe më të dashur për Mbretin Zog, Varri i Nënës Mbretëreshë, i cili i shkatërrua me urdhër të regjimit komunist menjëherë sapo Tirana u mor nga brigadat partizane.
Me sa duket Qemal Butka duhet të jetë larguar nga Shqipëria me njerëzit që shoqëruan Zogun. I konsideruar ndoshta nga italianët apo armiqtë e tij shqiptarë në Tiranë si pro-Zogist, Qemal Butka duhet të jetë larguar menjëherë me ardhjen e trupave italiane në Shqipëri dhe ka ndjekur Zogun deri në Stamboll ku ka gjetur rezidencë në mesin e Mërgatës Shqiptare.
Nga dokumentacioni që gjendet në Dosjen e SOE mbi këtë periudhë duket qartë se Qemal Butka ka qenë një person i njohur dhe i rëndësishëm për oficerët britanik që drejtonin Zyrën e Operacioneve të Fshehta në Ballkan dhe pikërisht Koloneli Sterling dhe Margaret Hasluck, por edhe të Ambasadori Hodgson i cili nga Londra ka rekomanduar autoritetet britanike për të ndihmuar mikun e tij të dikurshëm. Në morinë e dokumenteve të dala nga Zyra e SOE në Stamboll për këtë periudhë emri i Qemal Butkës gjendet shpesh si një pikë referimi të aktivitetit të SOE në Mërgatën Shqiptare. Ka disa letra personale të cilat i drejtohen Qemal Butkës nga Konsullata Shqiptare e Stambollit mbi vullnetarët Shqiptare në forcat De Goliste, por edhe për çështje politike apo letra të Margaret Hasluck mbi punën e tij në Kajro.
Megjithatë dokumentet e botuara sot tregojnë se autoritetet britanike të nivelit të lartë kanë treguar interes për ta tërhequr Qemal Butkën në përpjekjet e tyre politike për krijimin e Komitetit të Shqiptarëve të Lirë me rezidencë në Jeruzalem dhe më pas për ta angazhuar atë në Operacionet e Fshehta të SOE. Butka së bashku me disa intelektualë shqiptarë të rinj të njohur në atë kohë me sa duket duhet të kenë pasur problem të shumta për të krijuar një organizatë funksionale e cila mund të kthehej në një “Qeveri Emigracioni” pasi zhvillimi i shpejtë në frontin ushtarak dhe politik ka ndryshuar shpesh planet e britanikëve për këtë Organizatë duke i lënë pjesëmarrësit në këtë ndërmarrje të izoluar në Palestinë dhe pa asnjë mundësi jetese përveç se ndihmës së marrë nga Shërbimi Britanik. Ndoshta pengesat e shumta që mund të ketë hasur në krijimin e Komitetit të Shqiptarëve të Lirë dhe pa mundësia për të vepruar në këto kushte mund të ketë krijuar edhe përplasje të shumta me Oficeret e SOE të cilët në telegramin e botuar sot shprehen se ‘Butka është një prej problemeve më të këqija” për këtë Zyrë. Megjithatë nga dokumentet e SOE duket qartë që Qemal Butka ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me SOE britanike një fakt ky i njohur në Tiranën e kohës dhe i vlerësuar nga britanikët si një efekt i rëndësishëm propagandistik për ta.
Vlerësimi që kanë britanikët për shërbimet e Qemal Butkës në kauzën e përbashkët anti gjermane kanë influencuar me sa duket edhe ndihmën e tyre për t’u vendosur në Kajro ku tashmë do të ishin edhe Zyrat kryesore të SOE që do të drejtonin operacionet në të gjithë Ballkanin. Qemal Butka me gjithë angazhimet e tija politike dhe në ndihmë të Shërbimit të Fshehtë britanik nuk është kthyer më në Shqipëri duke preferuar të vendosej në Amerikë. Një arkitekt shumë i talentuar pati një karrierë të shkëlqyer duke punuar në disa prej projekteve të famshme në Amerikë si p.sh, në grupin e projektimit të Kullave Binjake në New York apo në një sërë ndërtesash të tjera publike. Qemal Butka, ish arkitekti i Mbretërisë dhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës u kthye në Shqipëri vetëm pas viteve 1990 duke lënë amanet se nëse vdiste jashtë të varrosej pranë nënës në Tiranë. Një amanet, që me sa duket është plotësuar.

Dokumentet e arkives britanike

SOE/361
Për ACSS
Telegram i shifruar nga Kajro
DESP.1527 26.10.42
RECD 2330 26.10.42
B/2403

Telegrami i Juaj me numër 4496, OCT 22
1. Memorandumi i Juaj D.H/70 / A01/867 nuk ka mbërritur
2. Nuk kemi kundërshtuar dhe në fakt po përpiqemi që ta sjellim BUTKËN në Kajro. Ne do të preferonim Z.P që ta sillte vetë atë.
***
TP EYW 0940 27.10.42
Me shkrim dore ALBANIA
P/B/AI/1170
27.Tetor.1942

I Dashur Dixon
Në vazhdim të letrës sime të PB/AI/1099 e 21 Tetorit, doja t’ju informoja se përfaqësuesit tanë në Lindjen e Mesme nuk kanë asnjë kundërshtim që KEMAL BUTKA të shkojë në Kajro. Nuk kam dyshim se Ju do t’i përgjigjeni kërkesës së Sir Robert Hodgson dhe do të ndihmoni për organizimin e udhëtimit të Butkës.
Sinqerisht i Juaji
Ministria e Jashtme
***
S.W.1
AI/130/2

Përpara se të kontaktoj Kajron dhe linjën e kërkesës së Sir Robert Hodgson, unë do të doja të dija në se BUTKA është nën shërbimin tuaj dhe në se po, a do të keni ndonjë kundërshtim mbi këtë propozim.
I Juaji
P.Dixon
***
Albania A496
S.O.E 120
Vetëm për ACSS.
Telegram i shifruar, i dërguar për Kajron 22.10.42
Nr. 4496

A. ZP kërkon të dijë në se Ju keni ndonjë kundërshtim t’i jepni leje KEMAL BUTKA për të shkuar në Egjypt, ku ai shpreson të jetojë si arkitekt.
B. Kjo kërkesë bëhet si rezultat i letrës së dërguar nga HODGSON e inspiruar nga memorandumi ynë i DH/170/AI/867 e 27 Shtatorit.
C. Ju lutemi përgjigjuni sa më pare që ne t’i japim ZP mendimin tonë mbi këtë çështje.
TP 1200
22/10/42
NEW/44
S/Origin D/H

***
Ministria e Jashtme
S.W.1
19.Tetor.1942
(R 6376/332/G)
I dashur Pearson

Sir Robert Hodgson më ka telefonuar duke më pyetur në se do të ishte e mundur që të merrej leja për një Shqiptar të quajtur Kemal Butka për të shkuar në Egjypt ku mund të jetojë si arkitekt.
Butka i cili ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës deklaron se “është thirrur në Jeruzalem nga Koloneli Stirling në verën e 1941 për të marrë pjesë në krijimin e “Komitetit të Shqiptarëve të Lirë” dhe ka qëndruar në Jeruzalem deri më tani megjithëse ky Komitet nuk u krijua asnjë herë. Me sa duket ai duhet të ketë pasur ndihmë financiare nga burimet britanike (më përmendi një Z.Greatrex), por tani ka ngelur pa asnjë të ardhur.
Sir Robert Hodgson më thotë se Butka të cilin ai e njeh personalisht, mund të rekomandohet si një person besnik dhe i aftë.
J.S.a Pearson Esq
***
PR/AI/1099
21.tetor. 1942
I Dashur Dixon

Shumë faleminderit për letrën tënde (R6376/332/G) e 19 Tetorit.
Ishte shumë e sjellshme mënyra e Juaj për të kërkuar mendimin tonë përpara se ti përgjigjeshe Sir Robert Hodgson. BUTKA, është në fakt, një pjesë e përgjegjësisë tonë dhe për këtë arsye i kam telegrafuar Kajros mbi këtë çështje. Shpresoj që të mos ju krijoj probleme në se ju kthej përgjigje mbi pikëpamjet tona për një apo dy ditë sapo të na vijë një përgjigje nga Kajro.
Sinqerisht i Juaji
P.Dixon Esq
Ministria e Jashtme
***
S.W.1
B8/4/1/274 7.11.42
Për: D/HV
Nga: DSO (B)
BUTKA

Telegrami i Juaj 4496 I 22.10.42 ka lajme të mira. BUTKA është bërë një prej problemeve të mija më të këqija dhe në se tashmë do bëhet problem i Ministrisë së Jashtme do të jetë një shpëtim për mua.
Mesazhet e dërguara nga Shqipëria tregojnë se atje dihet mirë se BUTKA punon me britanikët dhe kjo gjë ka efekt mjaft pozitiv për propagandë saqë do ishte mirë që atë, ta mbanim ne. Për këtë arsye është vendosur nga M/DH për ta sjellë atë në Egjypt.
Telegrami i Juaj sjell shpresa se Ministria e Jashtme do të sigurojë vizën e tij Egjyptiane duke marrë përsipër përgjegjësinë për të duke na lënë ne të lirë prej tij dhe në këtë mënyrë ta takojmë atë vetëm kur kemi punë për t’i ofruar.
Firmosur
DSO (B)
***
2366/3/42
31. Dhjetor. 1942
I dashur Mansur Bej

Do të ishim shumë mirënjohës në se Ju do të keni nderin që t’i dërgoni autoriteteve në Jeruzalem një kërkesë për një vizë 1 vjeçare për KEMAL BUTKA një shqiptar i cili kërkohet për t’u punësuar nga autoritetet ushtarake britanike. Kemal Butka është në Kategorinë “A” në letrën No.LIST 23 dhe 22 Nëndor të 1941 dhe ne do të japim garancitë që referohen në këtë letër.
Sinqerisht i Juaji
(Sgd) D.J MILL IRVING
A.Mansur Bej
Seksioni i Pashaportave
Ministria e Brendshme
Kajro
***
B8/4/272/131
Për: D.S.O
Kopje X Nga D/H 274
Princ Hysejn ZOGU

1. Ref e Juaja SIME/Ç%100143/B.1 e 15.10.42 Ky raport mbi Princin Hysejn është jo korrekt. Ai sigurisht që ka bërë propaganda pro- Zogiste në Kajro dhe Stamboll, por kjo mund të kuptohet nga nipi i një Mbreti në Mërgim.
2. Nuk ka asnjë evidencë që ai ju është bashkuar forcave franceze për të siguruar lehtësira udhëtimi me qëllim bërje propagande.
3. Ai mundet apo jo që t’i ketë paguar përfaqësuesit e mediave dhe agjencive të botimit për të raportuar mbi aktivitetin e guerilëve. Megjithatë nuk kemi asnjë evidencë mbi këtë gjë. Duke parë se ai qëndroi disa javë në Kajro, nuk ka sens që ai kishte nevojë për të udhëtuar përsëri në Stamboll për të bërë këto pagesa. Do të ishte më e lehtë që të paguante drejtorët e këtyre agjencive që janë në Kajro. Edhe nëse ka bërë pagesa, ai nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka ndjekur shembullin e britanikëve apo grekëve. Pagesa për shtypin nuk janë monopol i asnjë race e aq më shumë në kohë lufte.
4. Konkluzioni im është se dokumenti i SIME është jo korrekt.
Firmosur
D/H 274

 

Nga Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu