Qëndrimi i LPK-së për Marrëveshjen e Rambujesë, 1999 (1)

0
886

Siç dihet, pas masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, ku serbët masakruan dhjetëra gra, fëmijë e pleq, Bashkësia Ndërkombëtare dhe NATO-ja ende ngurronin për të vepruar ushtarakisht dhe ende nuk ishte e vendosur kundrejt  barbarive serbe. Pas kësaj masakre ajo më në fund u bind se çështja e Kosovës do zgjidhje politike dhe filloi t´i intestifikojë përpjëkjet e saj për zgjidhjen e problemit të Kosovës, ndërsa kulminacioni i këtyre përpjekjeve do të jetë organizimi i Konferencës së Rambujesë.

Më 6 shkurt 1999, pas një sërë përgatitjesh, filloi në Rambuje afër Parisit Konferenca e Paqës. Delegacioni shqiptar prej 16 vetash përfshinte udhëheqësin e moderuar Ibrahim Rugovë, gazetarin Veton Surroi, Akademikun Rexhep Qosja dhe delegacionin e UÇK-së. Delegatët zgjodhën Kryetar, Drejtorin e Drejtorisë politike të UÇK-së, 29 vjeçarin Hashim Thaçi. Zgjedhja e Thaçit për Kryetar të delegacionit, pasqyronte rënien e vazhdueshme të Kryetarit Ibrahim Rugova

Baza e këtyre negociatave ishte një propozim, i cili po qarkullonte disa muaj më parë, i njohur si „Plani i Hillit“, i emëruar kështu sipas ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni Cristofer Hill. Ky plan përmbante një tërësi të detajuar të aranzhimeve kushtetuese të autonomisë së Kosovës. Rol të madh në bisedimet e Rambujesë pos të tjerëve kishte luajtur edhe sekretarja e shtetit e SHBA-së Madeleine Albrighte, e cila kishte ndikuar sidomos te delegacioni që përfaqësonte UÇK-në që të nënshkruaj marrëveshjen. Mesazhi i zonjës Albrighte për shqiptarët në Rambuje ishte ,, Ju jeni udhëheqës. Jeni zgjedhur për të përfaqësuar popullin tuaj. Mendohuni mirë para se t’i denoni ata me një luftë. Marrëveshja do t’ju japë një vetëqeverisje, mbrojtjen e NATO-s, ndihmë ekonomike dhe të drejtën e shkollimit  të fëmijëve tuaj në gjuhën e tyre. Nëse pranoni marrëveshjen, do të shkoni drejt ardhmërisë dhe integrimit në Europë. Po e hodhët poshtë për pasojë do të vazhdojë lufta, që ju do ta humbni, e bashkë me te edhe mbështetjen ndërkombëtare“.

Sipas Marrëveshjes, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe nuk do të ishte më e pavarur ushtarakisht. Përfaqësuesit e UÇK-së e kundërshtonin pikërisht këtë pikë të rëndësishmë të propozuar në Rambuje. Autoritet Serbe, në anën tjetër kundërshtonin tërheqjen e forcave të tyre nga Kosova. Pjesa e parë e bisedimeve në Rambuje zgjati deri më 23 shkurt, për t’u ndërprerë për afro një muaj për shkak se dokumentin e marrëveshjes nuk e nënshkruante delegacioni serb i Beogradit, ndërsa delegacioni shqiptar fatkeqësisht edhe atje ishte i përqarë. Ata u kthyen në Kosovë për të debatuar çështjen e nënshkrimit të dokumentit me popullin e Kosovës.

Partitë politik, LDK dhe LBD bisedonin me masat e gjera popullore për aq sa e lejonin kushtet e luftës, ndërsa delegacioni i UÇK-së kishte për obligim të merrte pëlqimin e të gjitha Zonave Operative të saj. Në radhët e UÇK-së në Rambuje ishin: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Jakup Krasniqi.  Tre të parët para luftës ishin anëtar të udhëheqjes së LPK-së dhe të tillë ende llogariteshin.

Përfaqësuesit e UÇK-së, kishin qenë në një kohë ose në një tjetër, ose vazhdonin të ishin edhe në strukturat e larta drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në Kosovë dhe jashtë saj, kishin qenë të ngarkuar politikisht nga organizata për përgatitjen e luftës dhe aty në atë konferencë ata përfaqësonin edhe mendimin politik dhe qëndrimin kombëtar të forcave politike ilegale.

Megjithate dihet fare mirë se gjatë kohës së luftës në Kosovë, veprimtarët e LPK-së, që tani ishin në pozita udhëheqëse të UÇK-së dhe në Drejtorinë Politike, shpeshherë nuk e përfillnin vetëm vijën politike të LPK-së. Hashim Thaqi, Xhavit Haliti dhe Azem Syla edhe pse ishin në organet udhëheqëse të LPK-së, tani duhej të konsultoheshin edhe me Komandantët e Zonave Operative të UÇK-së dhe pastaj të merret vendimi përfundimtar. LPK, me fillimin e bisedimeve në Rambuje, kishte lëshuar deklaratë për shtyp ku kërkonte nga anëtarët e saj dhe të delegacionit shqiptar të mos e nënshkruanin asnjë dokument, i cili binte në kundërshtim me programin e LPK-së  dhe të UÇK-së.

(Vazhdon)

[1] Wesli K. Clark, vepra e cituar, fq. 446.

[2] Shkelzen Gashi, Marrëveshja për paqe të përkohshme, Interpress R. Company, Prishtinë, 2004, f. 258.

[3] Madeleine Albright, Zonja sekretare, autobiografi, Dudaj, 2003, Tiranë, fq. 456.

[4] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, 2001, Prishtinë, fq. 28 -29.

[5] Madeliene Albright, vepra e cituar, fq. 463.

[6] Noel Malcolm, vepra e cituar, fq.29.

[7] Bedri Islami, Intervistë në Gazetën shqiptare ,, SHQIP”18.02.2007,Tiranë

 

Shkruan: Mr.sc. Metush Zenuni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu