Qëndrimi i LPK-së për Marrëveshjen e Rambujesë, 1999 (2)

0
1040

Në një deklaratë të leshuar për opinion, me titull ,, UÇK nuk është krijuar në Kosovë për të kapitulluar në Rambuje “, LPK-së thekson se në Konferencën e Paqes në Rambuje ndaj delegacionit shqiptar, nga segmente të veçanta të faktorit politik ndërkombëtar, po ushtrohet trysni e madhe për të pranuar çfarëdo zgjidhjeje, qoftë kjo edhe në dëm të interesave jetike dhe përcaktimeve historike të popullit shqiptar në Kosovë. Tashmë nga delegacioni shqiptar po kërkohet të hiqet dorë nga kërkesat e arsyeshme, duke i hapur rrugë miratimit  të presionit të shumëanshëm pansllavist, i cili kërkon dhe synon një kolonizim të mëtejshëm të Kosovës.

LPK e ka për detyrim t’i theksoj këtij segmenti të faktorit ndërkombëtar se ata mund te bëjnë trysni të gjithëfarshme mbi 15 anëtarët e delegacionit shqiptar në Rambuje, por nuk mund të bëjnë trysni mbi gjith popullin e Kosovës, mbi UÇK-në, mbi LPK-në me merita të pa kontestueshme mbi krijimin e qëndresës së armatosur të popullit shqiptar në Kosovë.

LPK i bën thirrje delegacionit shqiptar të qëndroj unik dhe kërkon që në marrëveshjen finale të definohet qartë përcaktimi historik i popullit shqiptar për të ardhmen drejt pavarësisë, strukturimi i UÇK-së, ndërtimi i Kushtetutës së Kosovës si akt themelor i çdo shteti, largimi i menjëhershëm i trupave pushtuese serbe dhe lirimi nga burgjet i të gjithë të burgosurve politik shqiptar. Faktorët ndërkombëtar duhet të kenë parasysh se, pavarësisht nga dallimet, në kërkesën e drejtë – pavarësinë e Kosovës, shqiptarët janë dhe do të mbeten unik.[1]

Gjatë punimeve të Konferencës së Rambujese, LPK kishte ngritur një qendër e mbështetjes së delegacionit shqiptar, por edhe të lidhjes me qendrat e ndryshme mediale, të cilat, duke mos pasur kontakte të drejtpërdrejta me ata që ishin “brenda”, kërkonin të vendosnin lidhje të tërthorta përmes atyre që ishin “jashtë”. Grupin e Qendrës së mbështetjes e përbënin: Bedri Islami, Kryetar i LPK-së, grupi për marrëdhënie me jashtë i Drejtorisë Politike të UÇK-së: Sabri Kiçmari, Pleurat Sejdiu, Ramadan Avdiu dhe Xhevat Bislimi, të cilët njiheshin nga mediat e vendeve ku jetonin, si në Gjermani, Angli, Zvicër dhe Francë, si përfaqësues politikë të UCK-së.

Poashtu pjesë e grupit ishin edhe: Jashar Salihu, Kryetar i Fondit të UÇK-së, “Vendlindja thërret” dhe nënkryetar i LPK-së, si dhe Ibrahim Kelmendi, i cili ka pasur gjithnjë aftësinë për të vendosur lidhje të shpejta me qarqet mediatike, por edhe me përfaqësuesit e diasporës kudo që të ishin.[2]Në Rambuje ishte edhe një delegacion i Shtetit Shqiptar, si: Pandeli Majko – Kryeministër i Shqipërisë, Paskal Milo, ish-ministër i Punëve të Jashtme të shtetit Shqiptar dhe Sabri Godo, ish-kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të parlamentit shqiptar. Delegacioni i shtetit Shqiptar ishte vazhdimisht i interesuar për të ndihmuar, për të gjetur mundësi të lidhjeve politike e diplomatike të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përfaqësues të diplomacisë botërore.

Ndërsa Sabri Godo ishte figurë e njohur, jo vetëm si një ndër politikanët e shtetit shqiptar, por edhe si shkrimtar i shquar. Prania e tyre në Rambuje, dëshmonte se shteti shqiptar ishte i preokupuar për të bërë më të mundshmen, pa ndërhyrë në problemet që kishin marrë përsipër të zgjidhnin pjesëtarët e delegacionit shqiptar në Rambuje.

(Vazhdon)

[1]Deklaratë e LPK-së, D.J.V: Zëri i Kosovës,  25 shkurt 1999, Zvicër.

[2] Bedri Islami, Intervistë në Gazetën shqiptare ,, SHQIP”18.02.2007,Tiranë

 

Shkruan: Mr.sc.Metush Zenuni

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu