Qëndrimi i LPK-së për Marrëveshjen e Rambujesë, 1999 (4)

0
807

Lidhur me nëshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë LPK, D.J.V,:, përmes një Deklarate për media thotë se: Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, Dega jashtë vendit, në mbledhjen e tij të datës 06 mars 1999, analizoi dhe diskutoi me ndjenjë të lartë përgjegjësie dokumentin ,, Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetëadministrim në Kosovë“,  paraqitur në takimin e Rambujesë. Duke e shikuar në tërësi dokumentin e paraqitur, lidhur ngushtë me të sotmen dhe me aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë me përcaktimin e tij për Pavarësi dhe prosporitet, dhe me të gjitha zhvillimet tjera të mundshme , KP i LPK-së, duke u mbështetur edhe në mendimin e Këshillave Popullor, në mënyrë unanime vendosi të deklaroj se kjo marrëveshje  nuk duhet të nënshkruhet pasi në dokumentin e paraqitur nuk realizohet asnjëra prej aspiratave të popullit shqipëtar. LPK, brenda dhe jashtë vendit, krijuese e UÇK-së, deklaron qartë se askush nuk mund të paragjykojë të ardhmen e UÇK-së, e cila ka qenë dhe mbetet shpresa e vetme vitale për Pavarësinë e Kosovës. LPK nuk pranon që të nënshkruhet një dokument ku është përcaktuar ruajtja e integritetit të mbetjes Jugosllave, sepse kjo do të ishte pranim i një shkalle të ulët autonomie, mbetje nën serbi, dhe sepse ajo, LPK-ja, ka luftuar e do të luftojë për krijimin e shtetit të Pavarur të Kosovës. LPK është për një Konferencë të re për Kosovën , në të cilën pa paragjykime dhe mbi bazën e të drejtës historike të popullit për të jetuar i lirë dhe i pavarur, të merren vendime historike për të ardhmen e Kosovës. LPK deklaron se asnjëri prej anëtarëve të saj, në qfarëdo strukturash të jetë, nuk është i autroizuar të nënshkruaj për autonominë e Kosovës. KP i LPK-së, D.J.V, obligon të gjithë anëtarët e këtij forumi drejtues, të cilët tashmë kanë detyra të rëndësishme në radhët e UÇK-së, që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të organizatës. LPK-ja u bën thirrje të gjtihë anëtarëve  të saj të cilët janë në radhët e UÇK-së, apo në territore tjera të Kosovës, që të përmbushin vendimin e organizatës. [1] Më 13 mars 1999, nga aeroporti i Prishtinës, delegacioni, që në Kosovë kishte vendosur ta nënshkruante Marrëveshjen, kishte shkuar prapë në Paris. Vazhdimi i Konferencës së Rambujesë në Paris zgjati nga 14 – 19 mars 1999.

Një ditë para se të përfundonte Konferenca, Bedri Islami dhe Xhevat Bislimi, biseduan me Kryetarin e delegacionit të Kosovës në Rambuje, z. Hashim Thaçi, për qëndrimin e LPK-së.[2] Nga pala shqiptare dhe ajo ndërkombëtare marrëveshja u nënshkrua më 18 mars 1999, ndërsa. pala serbe i mbeti besnike mospërfilljes dhe mos bashkëpunimit me ndër kombëtarët, veçanarisht me SHBA-të dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen.[3]. Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë u nënshkrua vetëm nga pala Kosovare, por jo edhe nga ajo serbo – jugosllave. Si rrjedhojë e mosnënshkrimit nga pala serbo – jugosllave, pas kësaj do të pasojë intervenimi i NATO-s më 24 mars 1999, i cili do të kurorëzohet fillimisht me planin G8, të cilin më 3 qershor  e ka miratuar Parlamenti i Serbisë dhe presidenti Millosheviq dhe më pas me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, më 10 qershor 1999. Pra intervenimi i NATO-s ka ndodhur për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshtjes nga pala serbe dhe jo për shkak të nënshkrimit nga pala shqiptare. Marrëveshja u bë jo për ta çliruar apo për t’a pavarësuar Kosovën, siç pretendojnë të thonë pjesa dërmuese e politikanëve Kosovarë dhe posaçërisht nënshkruesit e delegacionit të Kosovës në Rambuje. Ajo u bë për t’i sjellur Kosovës paqe dhe për t’a ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. [4]

[1] Deklaratë e LPK-së, Koha ditore, e enjte, 11 mars 1999, f.5.

– Qëndrimi i LPK-së kundër nënshkrimit të marrëveshtjes, ishte sepse, me këtë marrëveshje Serbisë i njihej sovraniteti mbi Kosovën dhe nuk ishte e sigurt se pas tri vitesh do të mbahet referendum  për përcaktimin e mëvetësisë së shqiptarëve  dhe pavarësisë së Kosovës, madje nuk ishte e sigurt  se çfarë rregullimi shtetëror do të ketë Kosova pas përfundimit të luftës.

[2] Po aty.

[2] Ramë Buja, Konferenca e Rambujesë, Prishtinë 2006, f.136.

 

[4] Shkelzen Gashi, Marrëveshja për paqe të përkohshme, Interpress R. Company, Prishtinë, 2004, 258.

 

Shkruan: Mr.sc. Metush Zenuni

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu