Qeveri Qesharake

0
723

Qeveria “Berisha” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si qeveria proverbiale, që nga mënyra e sjelljes dhe veprimtarisë së saj, është unikale, si prona e pronarit të një individi, të kryeministrit të vendit. Historia e sjelljes së kësaj qeverie dhe bëmat e saj kanë identitetin e një njeriu, të “sulltanit të madhërishëm”, që e ka emrin Sali Berisha. Kjo dukuri ka përndjekur tërë ritualin e qeverisjes dhe është bërë modeli më i shpërfytyruar i shtetit shqiptar. Skandali në ceremoninë e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, ku përjashtohet pjesëmarrja e kreut të shtetit, Presidentit të Republikës, profesor Bamir Topi, s’është as e re, as e papritur për publikun shqiptar. Si ndodhi, është keqardhëse, fyese, poshtëruese dhe denigruese për institucionin më të lartë të shtetit dhe njëkohësisht edhe për shtetasit e këtij vendi, që s’e meritojnë këtë sjellje dhe na vjen turp që jemi qytetarë, të një qeverisje të paqytetëruar. Ajo që ndodhi në Lezhë dhe shumë të tjera para saj, janë të pazakonta dhe të paprecedenta për një vend demokratik, në zëmër të Europës së emancipuar dhe të kulturuar. Veprimi i Lezhës nuk e fyen individin, kushdo qoftë ai, por poshtëron kombin, duke e identifikuar si një vend tribush, ku patriarku bën ligjin e komunitetit. Do të ishte në nderin e Parlamentit dhe shtresës së intelektualëve më në zë të vendit, që këtë ngjarje të paprecedentë, të mos ta përcillnin si një lajthitje të rastit të kreut të shtetit, apo dishepujve të tij, por ta vlerësonin si një fyerje kombëtare. Armiqësitë personale, kur je në pushtet, nuk mund t’i kthesh në armiqësi institucionale, sepse pushteti s’është pronë as e një individi, e as e familjes së tij biologjike apo politike, por është pushteti i popullit, që përfaqësohet me votën e tij të lirë. Edhe kur ke mëri, pakënaqësi, preferenca selektive, duhet të ngrihesh mbi to, për të qenë i motivuar për pozitën që përfaqëson. Vetëm kështu do të fitosh respektin, jo vetëm të miqve të afërt, të servilëve të oborrit të familjes politike, por edhe të kundërshtarëve dhe opozitarëve të tu permanent. “Nuk ka fitimtar më të madh se ai që ka fituar mbi vetveten”, thotë Biçer. Cilësitë personale dhe karakteri i fortë janë pasuri për tërë jetën, edhe kur je në pozitë, edhe kur e braktis atë. Dihet që pozita, shpeshherë ta ndryshon karakterin. Por udhëheqës i mirë shteti, është ai që di të ruajë ekuilibrin dhe të vendosë paqe, edhe kur ka klimë të përkeqësuar brenda institucioneve të tij. Kreu i shtetit ka për mision t’i shuajë kontradiktat dhe jo t’i iniciojë dhe t’i ndezë ato, sepse një ditë do ta djegin atë pa e kuptuar, në kulmin e euforisë dhe ekzaltimit mitik. Qëndrimi që mbajti Presidenti i shtetit, është dinjitoz. Ai nuk ka vend në një eveniment, që bishti është më i rëndë se sqepari, thotë një proverb nga Jugu. E pamë Kryeministrin e vendit, që në përvjetorin e Kuvendit të Lezhës, të mbjellë dhe një bimë ulliri, duke harruar se ulliri është emblemë e paqes. Në një ditë të shënuar për shqiptarët, në Besëlidhjen e Lezhës, mbillet ndasi e përçarje, në rrugë protokollare. Në një vend që sundon një njeri, nuk mund të ketë demokraci. Është Kryeministri që vendos protokollin për çdo ceremoni, jashtë rregullave protokollare që ka shteti. Nuk është e largët dita, që në mënyrë flagrante përcillet për në banesën e fundit Leka Zogu, nga ngrehina e Parlamentit, ndërsa ish-presidentit të parë pluralist, Ramiz Alisë, nuk i bëhet as një nderim shtetëror. Dinjiteti i një kombi qëndron në vlerat e tij të qenësishme dhe jo në mitet e improvizuara nga maniakë të sëmurë për pushtet. Në vazhdën e marrëzive të pushtetit ishte edhe heqja e emrit të rrugës “4 Shkurti” që simbolizonte masakrën e Xhafer Devës, për ta emërtuar “Ibrahim Rugova”, emër të cilin e mban dhe një rrugë tjetër në kryeqytet. Këto veprime qesharake iniciohen nga Kryeministri Berisha dhe beniamini i tij Basha. Sigurisht që masakrën e “4 Shkurtit”, ai e quan minorene, para masakrës së ‘97, viktimave të Gërdecit dhe të 21 janarit. Fyerja e institucioneve dhe krerëve të tyre në mënyrë permanente, duke qenë edhe pjellë e partisë së tij dhe vetë liderit të saj, duke filluar nga maja e pushtetit, Presidenti i Republikës, Kryeprokurorja, pa folur më për liderin e opozitës, është e pazakontë dhe tepër flagrante për një vend demokratik. Në 100- vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar, në vend që të krijohet klima e vëllazërimit, po ushqehet në mënyrë diabolike ajo e përçarjes. Në kaskadën e urrejtjes dhe përçarjes Jug-Veri, ai ka vendosur tri shkallë që ngjajnë si rrathë koncentrikë, duke filluar me Vlorën, Labërinë e duke zbritur në Jug. Në garnizonin e tij parlamentar, ushtarët e Parlamentit (përfshirë këtu edhe ata të Labërisë, që s’kanë ferment Labi) dëgjojnë komandën e komandantit dhe flasin vetëm kur ju jepet komanda prej tij. Ky fakt i njohur nuk përbën një fatkeqësi vetëm për Partinë Demokratike, por për kombin, se ajo është një ndër dy shtyllat kryesore të demokracisë shqiptare. Energjitë potenciale të kësaj partie do çlirohen vetëm atëherë kur të largohet nga piramida komandanti i saj Berisha. Deri më sot, nuk ka ndodhur për asnjë rast që të ketë një zë ndryshe në Partinë Demokratike, sepse në rastin më të parë, shkon në gijotinën politike dhe humbet privilegjet e pushtetit. Jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë, ku duhet të shkojmë në Vlorën e Ismail Qemalit, të bashkuar dhe jo të përçarë, duke ecur së bashku në të njëjtën autostradë politike. E kam fjalën për rrugën politike, se ajo urbanistike, edhe pse u deklarua nga Kryeministri se do të inaugurohej në verën e 2008-s, nuk ka për të përfunduar as në verën e 2012-s. As pushteti dhe as deputetët labë të oborrit nuk ligështohen, por populli nuk e harron mashtrimin. “Premtimet i harrojnë sundimtarët, kurse populli nuk i harron kurrë”.

 

2012-03-05

Prof. Dr. Ago Nezha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu