Qeveria 5 milionë euro borxh Istogut

0
998

Pavarësisht se kanë kaluar gati tre muaj, edhe më tej disa familje të Komunës së Istogut, por edhe familje tjera të komunave tjera të rrafshit të Dukagjinit, vazhdojnë të jeton me qira, apo në shtëpitë e afërmeve të tyre, pasi që erërat e fuqishme që kapluan këtë zonë në fillim të këtij viti shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Erërat e fuqishme shkatërruan tërësisht shtëpitë e disa familjeve në këtë komunë, por edhe qindra shtëpi të tjera i ka dëmtuar seriozisht.

Sipas të dhënave të Kuvendit Komunal të Istogut, dëmet e evidencuara që janë shkaktuar nga erërat kapin shumën prej më shumë se 5.2 milionë euro, por sipas tyre ka edhe dëme që nuk janë evidencuar fare, pasi që qytetarët nuk i kanë raportuar ato.

Muhamet Gusturanaj, zëdhënës i Kuvendit Komunal të Istogut, thotë se disa familje kanë mbetur pa shtëpi. Ai tha se dëmet janë mbi 5.2 milionë euro, ndërkaq sipas tij, Qeveria e Kosovës për këtë komunë ka ndarë vetëm 300 mijë euro.

Ai tha se me mjetet e ndara Komuna e Istogut ka mundur të ndihmojë fare pak familjet që kanë pasur gjendje më të rëndë ekonomike.

“As nga afër nuk mund të mbulohen me 300 mijë euro dëmet që janë shkaktuar në komunën tonë. Edhe sot e kësaj dite disa familje vazhdojnë të jetojnë nëpër shtëpitë e huaja, pasi që shtëpitë e tyre janë shkatërruar tërësisht. Ne edhe më tej presim ndihem e Qeverisë, pasi që komuna nuk ka mundësi financiare për t’i ndihmuar familjet që pësuan në janar të këtij viti nga erërat e fuqishme”, tha ai.

Ai thotë se në mënyrë indirekte Qeveria ka intervenuar nëpër objekte shtetërore, por, sipas tij, duhen edhe shumë mjete tjera për të sanuar dëmet që iu janë shkaktuar.

Ai tha se Ministria e Arsimit ka intervenuar në riparimin e kulmit të shkollës, siç ka intervenuar edhe Ministria e Drejtësisë në riparim të objekteve që veta që ka në atë komunë.

Gusturanaj thotë se për sanim total të dëmeve ndihma e Qeveria është e domosdoshme.

Nga erërat e fuqishme dëmet të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në Komunën e Pejës dhe Klinës, por edhe në këto komuna ndihma e Qeverisë ka qenë shumë modeste prej 70 mijë euro, derisa dëmet e shkaktuara kapin shumën prej më shumë se një milion euro.

 

Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu