Devijime të shumta ka bërë Qeveria e Kosovës nga plani primar për autostradën Prishtinë-Shkup për të kaluar nëpër toka të pandërtuara, ku shpronësimi ka vlerë shumë më të ulët.
Punët që po bëhen së fundmi në lidhjen e autostradës së kombit me atë të Shkupit janë në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban të Prishtinës dhe mënyrës se si këtë lidhje e mendon ky plan, raporton KTV.
Në Komunën e Prishtinës thonë se për këtë mësuan vetëm nga punët që po bëhen në terren.
Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se është pakuptimtë që niveli qendror të veprojë krye më vete, ngase në këtë mënyrë Prishtina është e obliguar të revidojë planin kryesor urban, të cilin, sipas tij, e ka miratuar edhe vetë Ministria e Mjedisit.
Arben Çitaku, sekretar në Ministrinë e Mjedisit, ka thënë se komuna është dashur ta përshtatë planin e saj me Planin hapësinor të Kosovës, derisa Lahudin Myrtaj nga Ministria e Infrastrukturës ka thënë se kjo është rrugë e nivelit nacional dhe nuk ka pse të pyetet komuna. Sipas tij, babai nuk e pyet fëmijët për veprimet që bën.
Nivelin qendror e demanton edhe LDK-ja. Behgjet Musliu, i cili udhëhiqte Urbanizmin në kohën e Isa Mustafës, ka thënë se ministritë kanë bërë vazhdimisht devijime dhe se ato e kanë ditur lidhjen që e parashihte Plani zhvillimor urban.
Me këto devijime Prishtinës i shkatërrohet plani për Unazën e jashtme dhe të brendshme të qytetit dhe tani duhet riplanifikim i tyre.