Qeveria: Do të bëjmë çmos që Demarkacioni të kryhet në shkurt

0
690

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, duke mos dhënë detaje se kur do të kryhet matja e territorit ka thënë se është e rëndësishme që Demarkacioni të ratifikohet në muajin shkurt, raporton “Zeri.info”.

“Matja e territorit bëhet nga komisioni i ekspertëve, andaj janë ata të cilët do ta përcaktojnë mënyrën dhe kohën sa u nevojitet për një gjë të tillë. Megjithatë, shpresojmë që kjo të mos zgjasë shumë, pasi që është shumë e rëndësishme që Demarkacioni të kalojë gjatë këtij muaji”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Gecaj më tej ka thënë se Qeveria do të bëjë çmos që një gjë e tillë të ndodhë përgjatë këtij muaji.

“Qeveria do të bëjë çmos që kjo të ndodhë gjatë muajit shkurt, por jo e tëra varet nga ajo. Qytetarët e Kosovës janë jetësisht të interesuar që edhe ne të hyjmë në sistemin e liberalizimit të vizave”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se çështja e Komisionit për Matjen e Territorit është nisur gabim qysh në fillim.

“Kjo është logjikë e mbrapshtë, së pari duhet ta dimë ku e kemi territorin. Pra, territori i Kosovës është territor shumë i fiksuar. Detyra jonë është ta mbrojmë territorin e Kosovës. Kështu që zgjidhja ka qenë shumë e gabueshme dhe ky Komision është krejt i mbrapshtë”, ka deklaruar Konjufca për “Zërin”.  

Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, është shprehur e bindur se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit do të dështojë sikurse herën e kaluar edhe nëse kjo shkon sërish në Kuvend.

“I njëjti fat e pret prapë këtë Marrëveshje se prapë deputetët nuk do ta votojnë një marrëveshje që e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, komisioni në fjalë është vetëm një mashtrim, asgjë më shumë.

“Tash në fuqi janë dy komisione, paraprakisht është dashur të shkarkohet njëri komision për t’u formuar tjetri. Edhe ky Komision është një farsë e radhës për mashtrim të opinionit dhe të qytetarëve”, ka shtuar Kadriaj.

Ndërkohë shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka thënë se versioni i tanishëm i Demarkacionit është i papranueshëm, raporton “Zeri.info”.

“Çështja e demarkacionit është dëshmuar se ka qenë e gabuar dhe ajo marrëveshje i rrezikon mbi 8200 hektarë. Këtë e kanë thënë ekspertët, prandaj qëndrimin e ‘Nismës’ tashmë e dini se ky variant i Demarkacionit është i papranueshëm për ne”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë ka vlerësuar se Komisioni për Matjen e Territorit është vegël e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Ndërsa, sa i përket komisionit paralel që e ka krijuar z. Mustafa, është vetëm një komision-vegël i tij dhe komision i cili do të jetë në shërbim të marrëveshjes, e cila po e rrezikon territorin e vendit tonë”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, në Komisionin për Matje të Territorit janë të përfshirë përfaqësues të organizatave shkencore, kryetarët e katër komunave që kufizohen me Malin e Zi, Komunës së Pejës, Istogut, Deçanit dhe Junikut, përfaqësues të shoqërisë civile si ekspertë dhe dy përfaqësues nga regjioni i Rugovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu