Qeveria do zbardhte “Tivarin”, po nuk zbardhi dot as “21 janarin”

0
875

Historia jonë ka plot ngjarje të dhimbshme, që kanë shkaktuar trauma të rënda e që, për këtë arsye, qytetarët e këtij vendi, të Shqipërisë e të Kosovës, kanë obligim jo vetëm t’i përkujtojnë e të mos i harrojnë, por dhe t’i studiojnë e t’i ndriçojnë në të gjitha pamjet dhe elementët e tyre. Kjo është e domosdoshme, sepse ato bartin në vetvete dhimbje, por dhe mësime; ato shërbejnë për të njohur ngjarjen, por dhe njëri-tjetrin. Mirëpo fatkeqësisht, në jo pak raste, ato janë keqpërdorur e janë shfrytëzuar për qëllime e interesa politike. Kësaj nuk i ka shpëtuar dot edhe një ngjarje e tillë e rëndë, siç është masakra e Tivarit, një tragjedi e vërtetë, jo vetëm për nga numri i madh i të masakruarve, që kurrë nuk u bë i ditur me saktësi, por që pa mëdyshje arrin në disa qindra apo dhe mijëra, por dhe nga mënyra se si u realizua e si u trajtua nga serbomëdhenjtë, autorët e saj, por dhe nga ne, në Shqipëri e në Kosovë. Në regjimin komunist, asnjëherë dhe askush nuk u mor seriozisht me këtë ngjarje, as në Kosovë dhe as në Shqipëri. Trajtimi dhe interesimi mbeti thjesht në fushën e propagandës, me deklaratat e herëpashershme të udhëheqësve politikë, kryesisht në Tiranë, që e konsideronin dhe e denonconin atë si një shfaqje e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por më tej nuk iu shkua kësaj çështjeje, për rrjedhojë nuk u bë e mundur të ndërmerrej ndonjë gjë serioze për hetimin e ngjarjes, as kur marrëdhëniet me fqinjin verior ishin normale e tej normales, dhe as kur ato u ndërprenë. Sot më të shqetësuar e më të preokupuar se askush për ngjarjen, që u dhimbsen gjasme më shumë se kujtdo viktimat, po na dalin ballistët dhe kolaboracionistët, ata që në bilancin e tyre, në historinë e tyre nuk kanë tjetër veç krime e pabesi, në kurriz të Kosovës e të Shqipërisë, si në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, ashtu dhe pas saj. Në vitet e Luftës, bënë aleancë me fashistët e me nazistët, me qëllim që të likuidonin Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që synonte t’i rikthente vendit pavarësinë. Në kuadër të kësaj aleance bënë masakra të tmerrshme ndaj popullit, si më 4 dhe 28 shkurt në Tiranë, në ekspeditat e ndërmarra së bashku me nazistët gjatë muajve janar, shkurt e mars 1944, në kulmin e operacionit të dimrit, anë e kënd vendit, në jug e në veri, në fshatra e në qytete, duke vrarë e masakruar qindra qytetarë të pafajshëm. Ato janë të pasqyruara e të dokumentuara në dokumentet e kohës, jo vetëm të pushtuesit e të qeverisë kuislinge, por dhe të vetë kësaj organizate. Ndërkohë, ndërsa kritikonin Lëvizjen Nacionalçlirimtare që bashkëpunonte me Lëvizjen jugosllave, e cila bënte pjesë në Koalicionin Antifashist, vetë krijuan lidhje me Mihajllovicët e me Nedicët, të njohur për armiqësinë ndaj shqiptarëve të Kosovës, organizatorë të sa e sa masakrave çnjerëzore ndaj tyre. Këta të ashtuquajtur patriotë, që gjasme u digjet shpirti për Kosovën, së cilës ia kthyen krahët në vitet e Luftës, bënë të njëjtën gjë dhe pas saj, duke pranuar të vihen në shërbim të Beogradit, vetëm që të ndërmerreshin së bashku veprime për të përmbysur situatën në Shqipëri, kundrejt një çmimi shumë të lartë, duke sakrifikuar Kosovën, duke hequr dorë nga çdo kërkesë e pretendim ndaj saj e duke pranuar dhe një copëtim e një ndarje të re të Shqipërisë në mes Jugosllavisë e Greqisë dhe krijimin kështu të një Shqipërie të rrudhur në minimum, që do të përfshinte vetëm Shqipërinë e Mesme, me kusht që ajo të qeverisej e të sundohej prej tyre. Këto nuk janë tashmë vetëm supozime e hamendësime, por një realitet, me të cilin na njohin dokumentet e botuara kohët e fundit nga Auron Tare, të cilat janë nxjerrë nga hulumtimet në arkivat e vendeve që organizuan bisedimet e fshehta të ballistëve e legalistëve me Beogradin, përfundimi i të cilave ishte një tjetër turp për ish-mbretin Zog dhe për kryetarin e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri. E thuaj pastaj se ballistët nuk janë të interesuar për Kosovën, thuaj se nuk u dhemb në shpirt e nuk u pikon zemra gjak për Tivarin, për të masakruarit aty! Por, sot nuk janë vetëm ballistët të preokupuar për ngjarjen, por dhe pushtetarët e Tiranës. Edhe këta e kanë treguar me vepra, me qëndrimin e tyre, se po u digjet vërtet shpirti për Kosovën dhe nuk mund të rrinin të qetë pa zbardhur masakrën e pa u dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve.
KOMISIONI HETIMOR
Për të mos u futur thellë në histori e për të mos hyrë në rrugën e spekulimeve, mjafton të kujtojmë se rreth dy vjet më parë, kjo mazhorancë dhe kryeministri i vendit, krejt papritur e sigurisht dhe pa përgatitur, me nxitim e me zell të madh, siç e kanë zakon, gjasme të preokupuar në kulm, hapën diskutimin e kësaj çështjeje dhe premtuan hetimin e saj. Një veprim i tillë do të ishte sigurisht i mirëpritur, në se vërtet preokupimi në këtë rast do të ishin masakra dhe të masakruarit, pavarësisht se me vonesë, pasi, siç thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Mirëpo opinioni do të përjetonte zhgënjimin e radhës, pasi do të shihte se nuk ishte ky qëllimi, as i prononcimeve të kryeministrit dhe as i gjasme hetimit që u tha se do t’i bëhej ngjarjes. Qëllimi ishte gjetkë dhe kjo do të bëhej e qartë nga vetë kryeministri. Në një nga daljet e tij të zakonshme, ai do të lëshonte një breshëri sulmesh dhe akuzash ndaj udhëheqësve të luftës, në mënyrë të veçantë ndaj Ramiz Alisë, ish-president i vendit dhe ish-komisar i Divizionit të 5-të, që zhvilloi luftime kundër forcave naziste në Kosovë e në Jugosllavi, të cilat, sipas tij, qenkëshin implikuar drejtpërsëdrejti në masakrën e Tivarit. Ai bëri të ditur gjithashtu se kjo mazhorancë do të ngrinte një komision parlamentar për hetimin e kësaj ngjarjeje, i cili do të faktonte implikimin dhe përgjegjësinë e ish- udhëheqësve komunistë, që së bashku me Beogradin e paskëshin orkestruar e organizuar masakrën. Nga organizatorët e kësaj loje mesa duket qe menduar e qe shpresuar se çdo gjë do të shkonte si në vaj dhe veprimet që do të ndërmerreshin në këtë kuadër do të cilësoheshin e do të çmoheshin nga opinioni publik, këtu e në Kosovë, si qëndrime nacionaliste dhe përkujdesje ndaj Kosovës, çka do të çonte në rritjen e kuotave të besimit e të mbështetjes për ta. Mirëpo nuk do të ndodhte kështu; nisma gjasme për hetimin e saj do të degjeneronte në një fushatë sulmesh e shpifjesh të rëndomta ndaj luftës dhe udhëheqësve të luftës, e ndoshta edhe për këtë arsye, shpejt ajo do të shuhej si flluskë sapuni, pa asnjë rezultat, pa asnjë përfundim. Sot, pas gati dy vjetësh, veç ndonjë pene që pritet e dihet përse shfaqet, për të thënë po ato gjëra që i ka thënë disa herë në gazeta te ndryshme, askush nuk e zë më në gojë këtë ngjarje, as nismën gjasme për hetimin e saj, as komisionin parlamentar të ngritur me bujë dhe as dokumentet që gjasme u zbuluan, në fakt u sajuan, në këtë rast. Ç’u bë me të gjitha këto, me gjithë atë zhurmë e me gjithë atë angazhim, që të krijonin përshtypjen se tani do të bëhej nami dhe ngjarjes e autorëve, si atyre që e organizuan dhe atyre që e mbuluan, do t’u nxirrej fundi? Ku janë rezultatet e hetimit? Komisioni parlamentar u shpërbë pa lënë gjurmë, pa lënë asnjë dokument, asnjë konkluzion, asnjë përfundim mbi ngjarjen. Edhe ato gjasme studime që vazhdojnë të botohen herë pas here në shtyp, u ndërmorën jo nga historianët, jo nga ata që janë marrë me ngjarjen e me periudhën, që i njihnin ato, por nga politikanët dhe jo në Kosovë, e cila afër mendsh është më e interesuar për ngjarjen, por në Shqipëri. Që këtu nisen dhe dyshimet mbi motivet e lëvizjes, si dhe të zhurmës që e shoqëroi atë. Kishim të bënim me një preokupim të vërtetë mbi ngjarjen e viktimat e saj, apo me një nga lojërat e zakonshme të politikës alla shqiptarçe, një orvatje për t’i përdorur ata në luftën e pandershme politike. Dyshimet bazoheshin në faktin se kishim gati një çerek shekulli që qemë larguar nga ai regjim, për të cilin aludohej se gjoja paska pasur lidhje dhe paska bashkëpunuar me Beogradin në realizimin e masakrës. Atëherë, përse ishte heshtur deri tani, çfarë i kishte penguar që ta bënin këtë hetim me kohë, që kur morën pushtetin? Mjetet dhe mundësitë i kishin pasur me pash, pasi pjesën më të madhe të kohës e kishin qeverisur vetë vendin, duke pasur kështu në dorë ekzekutivin dhe gjyqësorin, institucionet e hetimit e të kërkimit shkencor, mediat etj. Atëherë, përse ishte heshtur, përse nuk ishte vepruar deri tani? Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kishin lënë ngjarje e figurë historike pa përgojuar, pa përbaltë e pa gjasme rivlerësuar, sipas shijeve dhe interesave të tyre, siç bënë dhe me figurat e pavarësisë vitin e kaluar në njëqindvjetorin e saj, kurse për Tivarin nuk e kishin hapur kurrë gojën, nuk kishin treguar kurrfarë interesimi. Përse ky qëndrim, kur qenka ditur se fajtorët e këtij krimi paskan qenë, jo në Beograd, por këtu, në Tiranë? Dhe më në fund, çfarë kishte ndodhur që u zgjuan tani? Cilat ishin motivet e këtij angazhimi? Çfarë synohej në këtë rast? Pikërisht këto pyetje nisën të shqetësonin e të turbullonin opinionin publik. Shqetësimet e dyshimet kishin një bazë logjike edhe në një kuptim tjetër. Politikanët, por dhe historianët në Shqipëri, nuk kishin treguar deri në këto momente ndonjë vëmendje, nuk kishin qenë ndonjëherë kaq të ndjeshëm ndaj vrasjeve të shqiptarëve në përgjithësi, përndryshe do të ishin angazhuar në zbardhjen më së pari të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Shqipëri, jo në vitin 1945, por në ditët tona, në regjimin demokratik, dhe jo në shkrepat e malet e Pukës e të Fushë Arrësit, por në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të kryeqytetit shqiptar, siç ishte ’97-ta, ’98-ta, “Gërdeci”, “21 janari” etj., që, siç dihet, kishin rezultuar me viktima disa herë më të mëdha se në Tivar dhe këta të ashtuquajtur demokratë, qofshin historianë apo politikanë, nuk kishin guxuar të thonë as gjysmë fjale. Pikërisht këto qëndrime u bënë dhe shkak që nisma të shihej qysh në fillim me dyshim e me skepticizëm. Ti kërkon të zbardhësh Tivarin, kur nuk zbardh dot vrasjet e ndodhura këtu, në vendin tënd, në vitet e demokracisë, kur ke qenë vetë në krye të shtetit shqiptar. Kjo mesa duket ishte dhe arsyeja që opinioni, këtu dhe në Kosovë, nuk tregoi kurrfarë interesimi për këtë gjasme iniciativë të mazhorancës qeverisëse. Veprimet e ndërmarra në këtë kuadër nuk tërhoqën vëmendjen e askujt, përkundrazi, ato u ndoqën me indiferencë të plotë. Opinioni me sa duket e kuptoi lojën që po tentohej të luhej me këtë rast, në kurriz të kësaj ngjarjeje, kuptoi synimet që organizatorët kërkonin të arrinin me këtë çështje, prandaj dhe nuk treguan kurrfarë interesimi për të. I pyetur në atë kohë nga shtypi kosovar, përse politikanët në Kosovë nuk po tregonin interes për diskutimin e hapur në Tiranë mbi ngjarjen e Tivarit, njëri ndër politikanët e njohur kosovarë iu përgjigj se për momentin Kosova kishte në axhendën e vet të tjera probleme. Një përgjigje e drejtë, logjike, që fliste shumë, por që politikanët në Tiranë nuk donin t’ia dinin, pasi ata i kishin zgjidhur problemet e tjera dhe tani vetëm historia u kish mbetur që ta rregullojnë, ashtu siç dinë ata, siç bënë dhe me figurat e pavarësisë vitin e kaluar.
Pas gjithë këtij parashtrimi, lind pyetja: Përse vërtet u hap pikërisht në këtë moment kjo çështje, kush u bë sebep që politikanët tanë të zgjohen e ta marrin kaq “seriozisht” hetimin e Tivarit, për të cilën, siç thamë, për gati një çerek shekulli nuk kishin treguar kurrfarë interesimi; çfarë kishte ngjarë? Për çudi zhurma për këtë ngjarje nisi sapo Ramiz Alia, ish-presidenti i vendit, kishte hedhur në treg librin e tij të fundit me kujtime, në të cilin sillte të dhëna dhe bënte vlerësime dhe për disa nga politikanët që qeverisin sot vendin, për aktivitetin e tyre, para dhe pas përmbysjes së sistemit komunist. Të jetë kjo një koincidencë e rastit, apo një reagim për t’iu kundërvënë ish-presidentit, në mënyrën më inatçore e më primitive? Këtë e dinë vetëm ata që ndërmorën nismën për të hetuar gjoja masakrën, të cilën shpejt do ta braktisnin vetë, pa bërë kurrfarë hetimi e pa nxjerrë kurrfarë përfundimi.
Mirë, kjo mazhorancë, lojërat e qëllimet e së cilës tashmë dihen, po ballistët, që janë burra të mençur, ç’patën, ç’deshën, ç’kërkonin, që iu bashkuan nismës së saj për gjasme hetimin e Tivarit? Qëndrimi i ballistëve në këtë rast nuk mund të shpjegohet thjesht dhe vetëm me alergjinë ndaj luftës e me gatishmërinë për të hedhur baltë ndaj saj. Edhe për ta kishte, e ka edhe sot, një rrethanë, një shkak konkret që të vazhdojnë zhurmën për Tivarin; ai lidhet dhe me disa zhvillime në fushën e historiografisë shqiptare, me botimin e disa veprave historike nga autorë të njohur, siç ishte dhe monografia e prof. Putos “Lufta italo-greke. Diktatorë dhe kuislingë” e tani së fundi dhe vepra shkencore e profesor Kristo Frashërit mbi historinë e Ballit Kombëtar, një vepër unikale për këtë çështje, por dhe i kujtimeve të disa personazheve të njohura të kohës së luftës, si Xhelal Staravecka, ish-komandant i një batalioni ballist etj. Publikimi përmes tyre i fakteve dhe dokumenteve që komprometonin rëndë Ballin dhe krerët e tij për krime të kryera së bashku me nazistët, mesa duket i tronditi qarqet e interesuara, të cilat, për të tërhequr vëmendjen nga efekti i tyre, u treguan të gatshëm që t’i bashkohen nismës së mazhorancës për gjasme hetimin e ngjarjes dhe të përfshihen aktivisht në zhurmën e ngritur për të.
* * *
Hetimi i Tivarit, zbardhja e plotë e asaj çka ndodhi aty rreth shtatëdhjetë vjet më parë, ka qenë dhe mbetet një obligim i Kosovës dhe i Shqipërisë, jo vetëm në planin politik, por dhe në atë historik, shkencor. Si e tillë ajo nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve dhe institucioneve studimore, para viteve nëntëdhjetë dhe më pas, këtu e në Kosovë. Unë vetë personalisht, në monografinë “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në vitet e Luftës Antifashiste”, botuar në vitin 1985, kam trajtuar aspekte të kësaj ngjarjeje dhe masakrave të tjera që serbomëdhenjtë kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës, mbështetur në dokumentet që, me gjithë kufizimet e kohës, m’u mundësuan të konsultoja në arkiva. Më tej, para dy-tre vitesh, ato janë trajtuar gjithashtu dhe në vëllimin IV, Historia e Popullit shqiptar, një botim akademik, i përgatitur nga autorë të njohur nga Shqipëria e nga Kosova, që janë marrë me këtë ngjarje. Por, trajtimin më të plotë e ka bërë autori kosovar, prof. Muhamet Pirraku, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, në një punim të hartuar enkas për të. Gjatë punës për përgatitjen e punimit, siç na thotë vetë autori, ai ka pasur mundësi të hulumtojë në arkivat e Kosovës dhe të disa vendeve të ish- Jugosllavisë dhe të kontaktojë me disa nga të masakruarit, që kanë arritur të shpëtojnë gjallë, pra me dëshmitarë okularë të ngjarjes, si dhe me udhëheqës të Luftës Nacionalçlirimtare të Kosovës, si Fadil Hoxha etj. Në këtë mënyrë punimi ka si të thuash një bazë dokumentare më të plotë, informacion më interesant, e sigurisht dhe përfundime më të sakta. Është për t’u vënë në dukje se, kur kjo çështje u hap në Tiranë, historiani kosovar u prononcua hapur në shtyp kundër spekulimeve që po bëheshin në këtë rast, duke deklaruar se akuzat ndaj Ramiz Alisë, ish- presidentit të vendit dhe udhëheqësve të tjerë të Luftës Nacionalçlirimtare e të shtetit shqiptar, janë pa baza, pasi në dokumente del fare e qartë se ata nuk kanë kurrfarë implikimi apo lidhje me ngjarjen e se autori i vetëm i saj është Beogradi.
Natyrisht, punimet dhe hulumtimet e kryera deri tani mbi masakrën e Tivarit, sado të arrira të jenë, nuk mund të konsiderohen të plota e të përfunduara, aq më tepër për një ngjarje si kjo, dokumentacioni kryesor i së cilës qëndron i kyçur fort në arkivat e Beogradit. Për rrjedhojë, studimet e kryera deri tani mbi këtë ngjarje, si për çdo punim, kanë nevojë të plotësohen e të thellohen më tej, me të dhëna e fakte të reja. Por kjo nuk mund të bëhet pa hulumtime në arkivat jugosllave, në Beograd kryesisht, por dhe në Podgoricë, në Tivar etj., pa pasur dokumente të reja, të dhëna të reja, të panjohura e të pathëna më parë, përndryshe do të vazhdojmë të përsëritim veten ose të tjerët. Historiani, studiuesi serioz nuk hyn në këtë rrugë, nuk ia lejon vetes spekulime të tilla, që ulin dinjitetin e tij shkencor. Në raste të tilla, kur nuk ke për të thënë gjëra të reja, dokumente e përfundime të reja, është më mirë të heshtësh.
Zbardhja e Tivarit kërkon në radhë të parë angazhimin e historianëve, por kjo nuk do të thotë se politika nuk ka të drejtë të merret me këtë çështje. Madje, angazhimi i politikës sidomos në këtë rast, në këtë ngjarje është më se i domosdoshëm, pasi dokumentacioni i saj, siç u tha, ndodhet i kyçur në një vend që vështirë se do të jetë ndonjëherë i gatshëm t’ua hapë portat studiuesve. Pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme ndërhyrja e politikës, e shtetit, që përmes marrëveshjeve me shtetin fqinj, të arrijë të bllokojë këtë situatë dhe t’u krijojë mundësitë studiuesve që të hulumtojnë në arkivat e Beogradit. Bile, që këtu duhet të nisë kjo punë, nëse duam që ngjarja të sqarohet e të ndriçohet më së pari shkencërisht, historikisht, e më pas të trajtohet, pse jo, dhe politikisht. Shembullin më të freskët se si duhet vepruar në raste të tilla, në ngjarje të tilla, na e sjell hetimi që iu bë, para ca kohëve, masakrës së Katinit në Poloni. Polakët nuk u morën me lojëra e me akuza politike në vend, por e adresuan qysh në fillim problemin atje ku duhej, atje ku fshihej e vërteta. Me një këmbëngulje të admirueshme ata ia arritën të hyjnë në arkivat e Moskës dhe të zbulojnë tërë fijet e tragjedisë së luajtur në kurriz të tyre. Përfundimet që rezultuan nga një hetim i tillë serioz, ata ia bënë të ditur popullit që priste me ankth, por dhe opinionit ndërkombëtar. Përballë fakteve të pakundërshtueshme, edhe rusët, më në fund, u detyruan të pranojnë përgjegjësinë që e kishin mohuar në vite dhe të kërkojnë falje. Po ne, përse nuk ndjekin këtë rrugë, përse nuk veprojmë në këtë mënyrë? Sepse, së pari, preokupimi ynë nuk është ngjarja, nuk janë të masakruarit, por përdorimi i tyre në luftën e pandershme politike, për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. Së dyti, shteti ynë nuk ka këllqe që t’i drejtohet Serbisë, serbomëdhenjve, fajtorëve të vërtetë të ngjarjes; ai e ka më të lehtë të merret me të shkuarën, me mullinjtë e erës, se me të sotmen, me një realitet konkret, me autorët e vërtetë të krimit. Prandaj, nuk ka gjasa, edhe për shumë kohë, që masakra e Tivarit të hetohet e të ndriçohet.


(vijon në numrin e nesërm)

Nga: Xhelal Gjeçovi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu