Qeveria e Kosovës: Nuk lëshojmë pe dhe pikë

0
518

Isa Mustafa dhe Vucic

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nuk do të lëshojë pe për shkak të presioneve kriminale, por me besimin e qytetarëve dhe me përkrahjen e vendeve mike perëndimore, do të punojë me përkushtim të plotë për zhvillim të mëtejshëm ekonomik të vendit, integrime euroatlantike, si dhe fuqizimin e gjithanshëm të partneritetit dhe miqësisë me SHBA-të dhe BE-në, procese që nuk mund të zbehen nga dhuna e skajshme që po manifestohet nga grupe parapolitike dhe kriminale të veshura me petk politik.
Duke respektuar të drejtën për protestë të ligjshme dhe paqësore, Qeveria e Kosovës e konsideron sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin kushtetues të Kosovës, djegien e një pjese të objektit të Qeverisë, goditjen dhe hedhjen e koktejit të molotovit mbi zyrtarët policorë dhe aktet e tjera të shumta të dhunës ndaj qytetarëve, pronës publike dhe private.
Qeveria e Kosovës vlerëson se dhuna e shfaqur në këtë protestë, është e organizuar nga humbësit e dëshpëruar të të gjitha zgjedhjeve në Kosovë, të cilët ambiciet e tyre politike, po përpiqen t’i realizojnë me djegie të institucioneve legjitime dhe përmes zhytjes së vendit në krim dhe anarki.
Qeveria e Kosovës dënon, po ashtu, djegiet dhe rrënimet e kryera në Prishtinë, të prira dhe të nxitura nga kryetari i kryeqytetit dhe drejtuesit tjerë politikë të emëruar së fundi në Komunën e Prishtinës, si dhe thekson se distancimi “sa për sy e faqe” nga dhuna ndaj institucioneve kushtetuese, si largon ata nga përgjegjësia.
Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë për qytetarët e Kosovës, që me gjithë propagandën dhe manipulimet e sponsoruara nga burime të dyshimta, nuk iu bashkëngjitën kësaj proteste, ku nuk u pa asnjë flamur dhe simbol i shtetit të Kosovës, pasi që qytetarët e dinin se në këtë protestë do të kishte elementë kriminalë.
“Qeveria e Kosovës konsideron se kjo protestë kishte për synim rrëzimin me dhunë të Qeverisë dhe lënien e vendit në duar të të inkriminuarve që sot ia vunë zjarrin objektit dhe policisë, ka po ashtu për qëllim prishjen e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, parandalimin e liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera eurointegruese, si dhe stopimin e zhvillimit ekonomik të vendit “, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës vlerëson punën e organeve për zbatimin e ligjit, që në përputhje të kompetencat dhe detyrat e tyre si dhe aktet ligjore, po mbrojnë institucionet, qytetarët dhe pronën publike e private nga dhuna, si dhe kërkon nga organet e zbatimit të ligjit, që konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, të marrin masat për zbardhjen e plotë të zhvillimeve të sotme, ku u lënduan disa pjesëtarë të Policisë, gazetarë dhe qytetarë të rastit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu