Qeveria e Kosovës organizon zgjedhjet serbe!

0
804

(E plotësuar) Pavarësisht nga deklaratat e ashpra se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të vendit, Qeveria e Kosovës, jo vetëm që nuk do t’i ndalojë, por edhe do t’i organizojë ato.

Madje, për t’i “shërbyer” sa më mirë shtetit serb, qeveria që drejtohet nga Hashim Thaçi, ka hartuar një plan konkret, me të cilin udhëzohet se si do të votojnë qytetarët serbë në Kosovë, më 6 maj 2012.

Dokumentin të cilin e ka parë “Zëri” përcakton në detaje se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit zgjedhor, ndërkaq, për gjithçka që ka të bëjë me procesin në fjalë do të angazhohet një trup ndërkombëtar.

Sipas këtij plani, trupi ndërkombëtar, mes tjerash, do të angazhohet që të sigurojë fletëvotimet, do të ketë përgjegjësi për numrin e fletëvotime të shpërndara, do ta mbikëqyrin futjen e fletëvotimeve në kutitë e votimit, dhe do të merret me transportin e fletëvotimeve dhe kutive të votimit nga vendvotimet tek autoritetet serbe.

“Qytetarët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në komunat në vijim: Prishtinë, Graçanicë, Novobërdë, Ranillug, Kllokot, Gjilan, Shtërpc, Prizren, Deçan, Pejë, Klinë, Mitrovicë, Zveçan, Zubim-Potok, Leposaviq dhe në vendet tjera për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët e saj zbatues mund të japin miratimin më vonë”, thuhet në njërën nga pikat e këtij plani që e ka parë gazeta.

KQZ-ja e Serbisë vepron në Kosovë

Por, sipas planit të Qeverisë së Kosovës, në organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë punë do të ketë edhe për institucionet e Serbisë.

“Të gjitha procedurat, ku ndër të tjera përfshihen edhe përcaktimi i së drejtës për të votuar, vlefshmëria e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e votimit, harmonizimi i numrit të fletëvotime të shpërndara me numrin e votave, klasifikimi i rezultateve dhe aplikimi i procedurave për të siguruar integritetin e votës do të jenë përgjegjësi e Komisionit Zgjedhor Kombëtar të Serbisë”, thuhet në pikën katër të këtij dokumenti.

Ndërkaq, ndër pikat më interesante është ajo e parafundit, e cila thotë se në vendvotimet nuk do të ketë simbole shtetërore të Republikës së Serbisë, por Qeveria e Kosovës është pajtuar që në fletëvotime të ketë gjëra të tilla, qofshin ato simbole shtetërore apo të partive politike, të ngjashme me fletëvotimet në Serbi.

Mirëpo, drejtuesit e Qeverisë së Kosovës të shtunën nuk kanë qenë në gjendje që të japin informata konkrete rreth rolit të qeverisë dhe përfshirjes së saj në procesin e zgjedhjeve serbe.

I kontaktuar nga “Zëri”, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk ka informata që ekziston një dokument i tillë, duke iu shmangur pyetjes pse duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës në këtë proces. “Unë nuk e kam pa (dokumentin), ka thënë shkurt zëvendëskryeministri Kuçi.

Opozita: Serbia po forcohet në Kosovë

Mirëpo, derisa qeveria përgatitet që t’ua lehtësojë “punët në terren” institucioneve serbe, partitë opozitare në Kosovë i kundërshtojnë ashpër ato, duke vlerësuar se me këtë veprim ekzekutivi kosovar po kontribuon në forcimin e Serbisë brenda Kosovës.

“Çdo gjë që bie ndesh me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për ne është e papranueshme dhe e nivelit të ulët edhe institucional edhe demokratik dhe besoi që vetëm sa do të krijojë probleme në të ardhmen dhe do të krijojë favore kriminale serbe që janë pjesë e strukturave kriminale, posaçërisht në veri”, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Sipas tij, në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës po bëhet partnere e Qeverisë së Serbisë që të organizojë, siç thotë ai, zgjedhje ilegale në Kosovë.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se në vend që të angazhohet për t’i organizuar zgjedhjet serbe brenda territorit të Kosovës, ekzekutivi kosovar duhet t’i parandalojë ato në çdo formë.

“Ne i kemi bërë publik edhe herën e kaluar kur janë mbajtur zgjedhjet, në vitin 2008, por edhe tash disa hapa që neve na e merr mendja që janë hapa të domosdoshëm për t’i parandaluar këto zgjedhje, e që janë, nën një, konfiskimi i secilit material zgjedhor, nën dy, arrestimi i të gjithë atyre personave të cilët bartin material zgjedhor ose i zyrtarëve të Serbisë, të cilët organizojnë zgjedhje në Kosovë, e treta, pamundësimi i shfrytëzimit të objekteve publike të Kosovës në cilëndo pjesë të territorit për t’i mbajtur këto zgjedhje”, thotë Ymeri.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se jo vetëm duke u bërë pjesë e organizimit të zgjedhjeve serbe, por edhe duke i lejuar ato, Qeveria e Kosovës po e poshtëron qytetarin e vendit.

“Kjo qeveri po tregon se e ka ulur nivelin shtetëror të funksionimit të Kosovës, prandaj, si e tillë me veprimet që ka pranuar po e poshtëron edhe popullin e Kosovës dhe interesat institucionale të Kosovës. Prandaj, nuk duhet pranuar zgjedhjet e një shteti tjetër dhe mënyra se si po sillet Kosova po tregon se kjo qeveri po ia humb dinjitetin shtetit dhe popullit të Kosovës”, thotë Isufi.

Serbia po forcohet në Kosovë

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se Qeveria e Serbisë i merr seriozisht zgjedhjet në Kosovë, meqenëse ajo dëshiron që ta forcojë praninë e saj në Kosovë çdo ditë e më shumë.

“Ne e kemi parë që në secilën palë zgjedhje që i ka organizuar këtu, ajo i ka arritur dy gjëra të cilat ajo i sheh shumë të rëndësishme, një që e ka forcuar edhe më tej pushtetin e vet përmbi pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, dhe e dyta, e ka forcuar pushtetin përmbi serbët e Kosovës”, thotë Ymeri.

 

Nga, Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu