Qeveria e Kosovës shton luksin

0
760

Luksi edhe më tej vazhdon të jetë pjesë e pandashme e Qeverisë së Kosovës. Të dhënat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti flasin për rritje enorme të shpenzimeve për derivate, shërbime telefonike, por edhe për shërbime tjera të luksit.

Në raportin e gjashtëmujorit, i cili është publikuar të enjten nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, shihet se për mallrat dhe shërbimet e paguara gjatë gjashtëmujorit të parë 2011 janë shpenzuar 58 milionë e 757 mijë euro.

Në këtë raport thuhet se për derivate dhe lëndë djegëse janë shpenzuar hiç më pak se 11 milionë e 212 mijë euro, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin shpenzuar 8 milionë e 196 mijë euro, ku vërehet një rritje prej 37 për qind. Po ashtu, në raport shihet se për shërbimet e telekomunikimit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë shpenzuar 1 milion e 883 mijë euro, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar janë shpenzuar 1 milion e 625 mijë euro, ku vërehet një rritje prej 16 për qind.

Edhe tek Shërbimet Financiare, sipas raportit, vërehet rritje e shpenzimeve, ku brenda këtij gjashtëmujori u shpenzuan 78 mijë e 351 euro, ndërsa për vitin e kaluar ishin shpenzuar 66 mijë 979 euro. Po ashtu, edhe në këtë kategori buxhetore vërehet një rritje prej 17 për qind në raport më vitin paraprak.

Raporti gjashtëmujor tregon se Kuvendi i Kosovës vetëm për paga ka shpenzuar hiç më pak se 2 milionë 64 mijë euro, Zyra e Presidentit ka shpenzuar 159 mijë euro, kurse Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 936 mijë. Ministri i Financave Bedri Hamza, gjatë prezantimit të raportit ka vlerësuar se në këtë periudhë ka pasur një rritje të të hyrave prej nëntë për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Të hyrat nga tatimet që i administron Dogana kanë arritur 42.4 për qind të planit vjetor, dhe shprehur në vlerë monetare janë 352 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, kemi një rritje prej 20.4 për qind”, ka thënë ai.

Ministri Hamza tha se të hyrat vetjake komunale janë 23 milionë euro, që kapin vlerën prej 40.7 për qind të planit vjetor. Sipas tij, të hyrat janë rritur prej më shumë se 13,1 në raport me vitin paraprak. Ai po ashtu tha se të hyrat vetjake të nivelit qindor janë rritur 24 për qind, që kapin vlerën 45,2 për qind të planifikimeve vjetore.

Ministri i Ekonomisë ka bërë me dije se pranimet jotatimore qeveritare arrijnë në 23.3 milionë, apo 51 për qind të planifikimeve vjetore. Po ashtu, ministri Hamza tha se këtë gjysmëvjetor është bërë edhe derdhja në buxhet e dividentës prej 45 milionë eurosh në buxhet, ku 40 milionë janë nga PTK-ja, kurse 5 milionë të tjera nga Aeroporti.

Ministri Hamza, duke prezantuar shpenzimet për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, tha se deri më tash për paga dhe mëditje janë shpenzuar hiç më pak se 148 milionë euro, për mallra dhe shërbime 58 milionë euro, subvencione dhe transfere 119 milionë euro, investime kapitale 170 milionë euro, si dhe 21 milionë financime tjera, ku përfshihen huaja për KEK-un dhe servisimi i borxhit të jashtëm. (Zeri)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu