Qeveria e Shqipris si mbron dot as Kufijt detar dhe as ate Toksor

0
779

Mungesa e kufijve të qartë ujorë të Shqipërisë me vendet fqinje, ka ndezur debate të ashpra në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Opozita kërkoi sqarime për Paktin Detar me Greqinë dhe për anëtarët e grupit të punës që po merren me  hartimin e  një marrëveshjeje të re ndërmjet dy vendeve.  Nisur dhe nga shqetësimi i peshkatarëve shqiptarë për gjobat e vendosura nga flota greke, deputetët e majtë në komision kërkuan që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe kërkuan prej Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të  Brendshëm dhe atij të Jashtëm që të ndërmarrin të gjitha masat për normalizimin e situatës.

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë shprehën nevojën e futjes në axhendën parlamentare të amendimit të ligjit për Kufijtë Detarë të propozuar nga Partia Socialiste. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë,Ilir Gjoni, Ministri i Jashtëm duhet të raportojë në Kuvend për ecurinë e negociatave me fqinjin tonë jugor  për marrëveshjen e detit. “Qeveria jonë, ndonëse marrëveshjen e kufijve me Greqinë e ka të rrëzuar nga gjykata Kushtetuese, nuk është në gjendje që tu garantojë shtetasve shqiptarë sigurinë e kufijve dhe mundësinë që ata të operojnë brenda kufijve dhe territorin e Shqipërisë të njohur këtu e  100 vjet më parë.

I njëjti problem qëndron edhe me banorët e Vermoshit, të cilët kanë deklaruar se jo më larg se dy javë më parë se të gjithë shërbimet i marrin nga Mali i Zi”, deklaroi Gjoni. Por , për mazhorancën kufijtë e Shqipërisë janë mëse të mbrojtur  nga çdo kërcënim. Sipas kryetarit të Komisionit, Leonard Demi, me anëtarësimin në organizatën Euro-Atlantike, vendi ynë është i garantuar nga rreziqet për cenim territorial. “Sot vendi ynë është më i sigurt se kurrë ndonjëherë në historinë e vet shekullore. Nën drejtimin e kësaj qeveri vendi unë sot është anëtar I Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe është i garantuar për një mbrojte të pathyeshme kolektive nga çdo cenim apo kërcënim që mund ti vijë”, tha Demi.

Prej një muaji, në Kuvend është depozituar një nismë ligjore nga Partia Socialiste për caktimin e kufijve detarë. Ndryshe nga ligji i 2008-ës që e la vendin pa kufij, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë duke vendosur dhe koordinatat e sakta. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, thuhet në draft, shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit ( Kalasë së Turrës) derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit.

Ndërsa gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det, deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Nisma e paraqitur në Kuvend nga grupi parlamentar socialist përcakton dhe kufijtë e brendshëm të vendit tonë. “Ujërat e brendshëm territorialë të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur më sipër, dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë”, përfundon propozimi. Në këtë mënyrë ligji i ri i mbyll derën pretendimeve të shteteve fqinjë dhe marrëveshjeve që dalin jashtë kësaj kornize ligjore.

 

Emërimi i kreut të Flotës, PS akuza për puç Berishës

Anëtarët e Komisionit parlamentar të Sigurisë akuzuan mazhorancën për puç institucional duke anashkaluar Presidentin nga emërimi i Komandantit të Flotës Detare. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, deputeti Piro Lutaj, në emër të opozitës akuzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe kryeministrin Berisha për shkelje të procedurave të emërimit të Kapiten Ferdinand Kreshpani në krye të Flotës Detare. “Që nga drejtuesi kryesor i një force ushtarake që emërohet në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin për “Organizimin e Pushteteve të Drejtimit dhe të Komandimit të Forcave të Armatosura, do të doja një prononcim të qartë . Do të kërkoja një prononcim urgjent të Presidentit për këtë krim kushtetues.

Do të kërkoja prononcimin e Kryeministrit për këtë puç institucional dhe nga Ministri i Mbrojtjes që të anulojë menjëherë urdhrin e nxjerrë, të përpilojë praktikën ligjore dhe t’ia çojë Presidentit. I bëj thirrje Kapitenit të Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani të mos e ushtrojë detyrën e Komandantit të Flotës Detare të Republikës së Shqipërisë pasi me firmosien e urdhrit si Komandat i Flotës Detare, ai do të bëhet objekt i procedimit Penal”, theksoi Piro Lutaj , anëtar në Komisionin e Sigurisë. Për Ministrinë e Mbrojtjes , procedura kalon për dekretim tek Presidenti në rast se komandanti ka gradën gjeneral, kurse në rastin konkret për Forcat Detare mungon një gradë e tij dhe sipas ligjit të autoritetit të komandimit të emërohet një kolonel bazuar në një traditë të gjatë që ka ndjekur Ministria e Mbrojtjes për këtë komandë.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, u shpreh se në rast të konstatimit të shkeljeve proceduriale për emërimin e Komandantit të Flotës Detare, do të ngrihet një Komision inspektimi  për të vërtetuar të gjitha shkeljet proceduriale. “Jeni i miratuar nga ky komision për të parë se si ka vepruar Ministria e Mbrojtjes.  Nëse ajo letër që ju sot paraqitët në Komision, është jo në përputhje me ligjin, ti je një nga anëtarët që do të miratojë komisioni për të vërtetuar nëse është shkelur ose jo ligji”, tha Demi.  Në ditët në vijim pritet raportimi i Ministrit të Mbrojtjes për të dhënë sqarime rreth emërimit të  Kapitenit të Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani, në krye të Forcave Detare.

 

 

Komandant Kreshpanit i treten nëndetëset, zhduken 300 tonë skrap

Ku shkuan 300 tonë skrap nga nëndetëset? Kjo pyetje i është bërë me shkresë Komandantit të Forcës Detare. Ai ka qenë më parë komandant i bazës së Pashalimanit dhe duhet të përgjigjet. “E kanë humbur peshën nga ndryshku”, – kjo është një nga përgjigjet që nuk të bind dhe aq.

 

Nëndetëset për skrap

Kanë nisur udhëtimin nga Baltiku në vitet ’50 për të përfunduar në skrap çeliku dhe bronxi në Shqipëri në vitin 2012, ndërkaq i janë nënshtruar vjedhjes dhe grabitjes. Kjo zbulohet nga një informacion që drejtues të bazës së Pashalimanit në Orikum i kanë nisur në datën 13 janar 2012 Komandës së Forcës Detare, në të cilin sqarohet mospërmbushja e kontratës së shitjes së tri nëndetëseve,  madje “keqllogaritja” e termave të saj si pasojë e amortizimit të tejskajshëm të mjeteve lundruese. Sipas ish-komandantit të Bazës Detare të Pashalimanit, Kapiten i Rangut I, Ferdinand Kreshpani nga copëtimi dhe prerja e tri mjeteve, janë përftuar 1513,9 tonë çelik dhe 3 tonë skrap bronz.

Kjo sasi sipas të njëjtit burim nuk plotëson parashikimet e kontratës së nënshkruar me dy kompanitë private që kanë kryer procesin, pasi në termat fillestarë parashikohej përftimi i 1830 tonë skrap çelik dhe 3 tonë skrap bronz. “Në vlerë leku realizimi i Kontratës është 34 700 582 lekë me TVSH. Sipas parashikimit, vlera e kontratës me TVSh ishte 42 640 000 Lekë. Në përqindje, realizimi i Kontratës është 81%. Por nga llogaritjet tona, vlera e kontratës duhet të ishte 41 639 962 lekë (nga të cilat 40 163 962 lekë çeliku dhe 1 476 000 lekë bronxi). Theksojmë se në kontratë vlera me TVSH është llogaritur gabim. Rrjedhimisht realizimi faktik i vlerës së saktë të kontratës është 83,3%”, shpjegon Kreshpani në informacionin dërguar komandës së Forcës Detare. Çfarë rezulton është gabimi në inventarizimin e tri mjeteve lundruese, mos vlerësimi i saktë i gjendjes së tyre, pajisjeve dhe instrumenteve që i përbëjnë, të cilat në tërësi si logjikë çojnë në një boshllëk të llogaritjes financiare.

 

“Pesha humbi nga korrozioni”

Në vijim, ai vijon me arsyetimin e karakterit teknik për këto firo të konstatuara në procesin e asgjësimit të nëndetëseve, të cilat nisin me korrozionin për shkak të qëndrimit 25 vjet në ujë pa bërë dokimin e tyre,  humbja e kundërpeshave, gjendja gjysmë e mbytur e njërës prej nëndetëseve, vjedhja e konsumuar në vitin 1997,  për të cilat nuk është bërë asnjëherë informacion i plotë. Që këtej kuptohet se nxjerrja përfundimtare e këtyre mjeteve lundruese nga përdorimi nuk është shoqëruar me një pasqyrë të saktë edhe pas vitit 1997, duke bërë dekomisionimin dhe shkatërrimin e tyre në terma kontrate të supozuara vetëm teorikisht.

Por gabimin ai e kërkon edhe në specifikimet teknike të përcjella në përpilimin e kontratës të cilat “çuditërisht” kanë shtuar në peshë edhe bateritë, të cilat në rrugë zyrtare dihet mirë se janë vjedhur. “Përveç arsyeve që përmendëm më sipër mbetet e paqartë vendosja e tonazhit prej 610 tonë për një nëndetëse, pasi mund të jetë llogaritur edhe pesha e baterive të hequra nga nëndetëset dhe të vendosura në afërsi të Parkut të transportit Pashaliman, të cilat janë vjedhur në vitin 2007.”, përfundon Kreshpani informacionin e tij.

 

Komisioni

Mungesa e kufijve detarë është shtruar disa herë edhe në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Në procesverbalin e mbledhjes së këtij komisioni në datë 1 nëntor 2011, nënkryetari i Komisionit, Ilir Gjoni, ka shprehur shqetësimin e mungesës së kufijve detarë. Shqetësimi është ngritur dhe nga ekspertë të fushës të cilët kanë hedhur dyshime të forta që kjo është bërë për ti hapur rrugë pretendimeve të Greqisë për “kufi të ri detar” me Shqipërinë, pra për Paktin Detar të qeverisë së Sali Berishës, të rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese.

 

Shfuqizimi

Ligjet e hartuara për kufijtë, përkatësisht në vitet 1970, 1976 dhe 1980 janë shfuqizuar në vitin 2001. Në ligjin e këtij viti janë përcaktuar kufijtë tokësorë dhe detarë të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë në vitin 2008 qeveria ka miratuar një ligj tjetër për menaxhimin e kufijve duke shfuqizuar të gjitha ligjet paraardhëse. Tashmë i vetmi vend ku janë përcaktuar kufijtë e shtetit tonë janë arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje.

Myslim Pashaj

Mesi i kanalit të Korfuzit është vija e vërtetë ndarëse detare dhe shkelja e saj është cenim i hapur i integritetit territorial të Shqipërisë. Kjo situatë vjen pikërisht nga fshirja e ligjeve të brendshme për territorin, fakt i cili e ka lënë këtë hapësirë të pambrojtur dhe të pamenaxhuar, e për rrjedhoje po krijohen situata delikate dhe të dëmshme në kurriz të shqiptarëve.

 

AK

Aleanca Kuq e Zi e konsideroi patrullimin e rojeve bregdetare të autoriteteve greke si shkelje të hapur të integritetit territorial. Kjo lëvizje është vënë në qendër të akuzave nga mazhoranca, madje kreu I saj Kreshnik Spahu  është akuzuar se po luan në favor të interesave të Turqisë. Nga ana e tij,, Spahiu ka deklaruar se qeveria shqiptare është nënshtruar ndaj politikës greke.

 

Debati

Gjoni: Është fatkeqësi, për ne është turp që e quajmë vetën komision i Sigurisë kur ndërkohë kur Ekzekutivi nuk do t’ia dijë fare për sigurinë e këtij vendi. Peshkatarët tanë nuk lejojnë të kalojnë një vijë imagjinare të caktuar nga autoritetet shtetërore greke. Kjo lidhjet me faktin se qeveria jonë, ndonëse marrëveshjen e kufijve me Greqinë e ka të rrëzuar nga gjykata Kushtetuese, nuk është në gjendje që t’u garantojë shtetasve shqiptarë sigurinë e kufijve dhe mundësinë që ata të operojnë brenda kufijve dhe territorin e Shqipërisë të njohur këtu e  100 vjet më parë.

Demi: Kualifikimet politike çdo krah mund t’i bëjë kur të dojë. Incidente që mund të ndodhin edhe në kufirin e Shqipërisë nuk kanë të bëjnë aspak me sigurinë e jo sigurinë e vendit tonë, sepse ai është më i sigurt se kurrë. Por ata mund të zgjidhen shumë mirë, në se janë ashtu siç pretendon opozita, me bisedime dhe në bazë të rregullave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjoni: Këto nuk janë fare kualifikime politike, as elektorale, por për kufij nuk ka të tillë. Unë do ju parashtroja kërkesën  se duke parë situatën e vështirë që është krijuar në kufirin jugor detar, duke pasur parasysh se amendimi jonë i ligjit të kufijve nuk është përfshirë në axhendë e parlamentit, duke pasur parasysh se ne kemi informacion, por jo zyrtar dhe të referueshëm, se kanë nisur negociatat me palën greke, unë do t’ju lutesha ju si kryetar i komisionit të thërrisni në një seancë dëgjimore Ministrin e Jashtëm.

Leonard Demi: Zoti Gjoni ju përsëris dhe një herë. Çdo gjë që është në autoritetin e komisionit do të bëhet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu