Qeveria edhe 6 milionë euro për “Al Trade”

0
1002

Kompania “Al Trade”, pronë e vëllezërve Gashani nga komuna e Drenasit, e cila në opinion njihet si e afërme me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) është shpërblyer të hënën edhe me një tender prej hiç më pak se 5,8 milionë eurosh, nga Ministra e Administratës Publike (MAP).

Kjo e fundit e ka shpallur kompaninë në fjalë si fituese e tenderi për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prishtinë. Në këtë tender përpos kompanisë fituese kanë konkurruar edhe 7 kompani të tjera, emri i të cilave nuk po bëhet publik nga MAP-i.

Në njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) konfirmohet se tenderin në fjalë e ka fituar kompania “Al Trade”, ku person kontaktues figuron Bajram Gashani. Më tej në njoftim thuhet se kontrata mes Ministrisë dhe kompanisë në fjalë, pritet të nënshkruhet më 16 tetor të këtij viti.

Mirëpo, në anën tjetër zyrtarë të kompanisë fituese nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje, ngase siç kanë thënë ata nuk janë të autorizuar nga kompania në fjalë.

“Personat zyrtarë që janë të autorizuar të flasin për media nuk do të jenë në Kosovë së paku për dy javë”, tha përmes telefonit, njëri nga punëtoret e kompanisë në fjalë e i cili nuk deshi të identifikohej për gazetë.

Në anën tjetër, informata për tenderin milionësh nuk ka as vetë ministrit i Administratës, Mahir Yakgjillar. Ai përmes telefonit tha se ka marrë informacione se kompania në fjalë është shpallur fitues i tenderit, mirëpo ai tha se nuk ka asnjë informatë, qoftë më të voglën rreth këtij tenderi.

“Nesër në mëngjes do të marr informatat e nevojshme rreth kësaj çështjeje dhe mund t’jua jap juve”, ka thënë ai përmes telefonit. Me tej ministri mohon në mënyrë kategorike se kompania në fjalë është shpërblyer me tender vetëm e vetëm pse është e afërme me partinë në pushtet.

“Asnjë ndikim politik nuk ka pasur në këtë tender, sido që të jetë të martën do t’i marr të gjitha informacionet rreth këtij tenderi”, ka thënë ai.

Po ashtu, kompania në fjalë aktualisht është duke e bërë renovimin e fasadës së objektit të KOSTT-it në Prishtinë. Tenderi në fjalë është prej rreth 1,8 milionë euro. Sipas kompanisë në fjalë, punët në realizimin e projektit pritet të përfundojnë në vitin 2014.

Kjo kompani po ashtu është duke bërë edhe ndërtimin e palestrës sportive, kazermën e FSK-së në Mitrovicë, e ku vlera e tenderit është 471 mijë euro. Po ashtu edhe në këtë tender, punët pritet të përfundojnë në vitin 2014.

Përpos këtyre kompania në fjalë aktualisht është duke e bërë edhe ndërtimin e konviktit të ri të kategorisë së lartë në qendrën e studentëve në shkollën e policisë në Vushtrri, e ku vlera e tenderit është 932 mijë euro.

 

Nga: Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu