Qeveria PDK-LDK: fillimi i ri ose fundosja e Kosovës!

0
639

Cufaj

Prej një papjekurie pothuajse të pashembullt politike që treguan të gjithë liderët e të gjitha partive parlamentare të dala nga zgjedhjet e para rrafsh gjashtë muajve duket që nga sot Kosova i kthehet normalitetit politik. Për dikënd koalicioni PDK-LDK duket i panatyrshëm, koalicion i “zorit”, i “natës”, i “shantazhit” e çka jo tjetër, për dikënd tjetër edhe nënshtrim i të nënshtruarve. Por fakt është: këto janë dy partitë më të mëdha politike të Republikës së Kosovës dhe i qëndroj mendimit se në rrethanat e krijuara politike, pas një krize të tmerrshme politike ka qenë dhe është e vetmja mundësi që vendi të bie në binarë: me një shumicë parlamentare më tepër se solide ku pakicat nuk munden të shantazhojnë shumicën (absolute) shqiptare dhe ku Kosova duhet që në mënyrë urgjente të ballafaqohet qoftë me problemet e mëdha ekonomike ashtu edhe obligimet ndërkombëtare që i ka dhe që e presin.

Mësime nga kjo krizë morën, apo nëse doni morëm, të gjithë. Së pari Hashim Thaçi dhe PDK. Të ushtruar me zejen e arrogancës së të qenmit në pushtet tash 7 vite, por edhe në periudha para pavarësisë, PDK-istët u mbushën mend sesi nuk mund të bëhet çdo gjë vet. Për më tepër: kur e panë që asnjë parti parlamentare e Kosovës nuk dëshiroi të lidhej me ta PDK-ja kaloi fazën e rëndë të vetmisë dhe realizimit që në demokraci duhet të ketë rregull(a) dhe marrëveshje për të krijuar institucione dhe para së gjithash për të ushtruar mbajtjen e pushtetit. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të kem dyshimet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese por është për t’u lavdëruar që si partitë ashtu edhe popullata respektoi atë vendim… Pritja e PDK-së u shpagua më së shumti për këtë parti. Sepse përmes atij vendimi PDK nga të qenmit de facto në opozitë u ringjall dhe rikthye aty ku më së paku pritej: në një koalicion me konkurrentin kryesor- Isa Mustafën dhe LDK-në. Çmimi i gabimeve që Thaçi dhe PDK-ja bënë që nga bashkëqeverisja me së pari Fatmir Sejdiun e mëpas Behgjet Pacollin është dorëzimi që kjo parti i bëri postit të Kryeministrit dhe drejtimit të Qeverisë. Fitimi: vazhdojnë të mbeten në shtëpi (ku LDK do të duket si mysafire): me Kadri Veselin Kryetar Kuvendi dhe më në fund me zhveshjen totale të vellove të mitizimit dhe misteriozitetit që ish shef i SHIK-ut kishte dhe një Hashim Thaç që për partinë dha karrigen e Kryeministrit për të pritur tjetrën pas një viti: atë të të parit të vendit. Në një mënyrë a tjetrën në PDK humbën të gjithë ngapak- por fitues dolën vetëm dy: më së shumti Kadri Veseli i cili do të ketë një post ku mundet të heqë njëherë e përgjithmonë të gjitha paragjykimet për të dhe pak më pak edhe Hashim Thaçin i cili konkurrentëve, opinionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar u tregoi që është i gatshëm të tejkalojë meskinitetet ballkanike dhe të merr postin e “vetëm” të dytit- për një vit. Nëse kjo formulë do të ecë? Mbetet të shihet. Thaçi e Mustafa i janë dorëzuar në një mënyrë të çuditshme njëri-tjetrit dhe kjo s’ka dyshim që ose shënon fillimin e një bashkëjetese të gjatë apo fillimin e një fundi të palavdishëm si për njërin ashtu edhe tjetrin. Por edhe, apo sidomos, partitë e tyre, PDK-në dhe LDK-në.

Sidomos LDK-ja është futur në torishtën e ujkut. Sepse kur e kthejmë kokën prapa dhe shohim krejt bagazhin e peisazhit politik të LDK-së dhe liderit të saj Isa Mustafës s’ka si të mos frikësohemi që kjo parti do ta ketë tepër të vështirë të ketë dorëshkrim në qeverisjen e re. Por para kësaj: nga ky koalicion LDK më thjesht nuk ka të drejtën e suadave të gadi një dekade për vetviktimizim- sqarim të vrasjeve të pasluftës- as për Haradinajn me të cilin njëherë provuan sa ky ishte Kryeministër për 100 ditë dhe herën e dytë kur ia dhanë postin e Kryeministrit (fiktiv) për gjashtë muaj me radhë- kur ky edhe nuk u bë kryeministër. LDK nuk ka të drejtë më as ta drejtojë gishtin e keq- qeverisjes së PDK-së. Sepse tashti me bashkëqeverisjen me PDK-në e ka rastin të na dëshmojë që do të fusë vlera të reja përmes të qenmit në ekzekutiv si udhëheqëse. LDK humbet edhe një kartë tjetër: për herë të parë kjo parti ka rastin të Qeverisë dhe më nuk mund të na shesë as edhe një poezi politike që me PDK nuk mund të qeveriset (siç ishte rasti me koalicionin Thaçi-Sejdiu). Kjo sepse shefi i Qeverisë do të jetë i LDK-së.

E detyrat që këtë koalicion e presin nuk janë të mëdha. Ato janë të frikshme. Në vendin më të varfër, më të izoluar dhe më të korruptuar të Europës duhet të nisë diçka e re që ose do ta nxjerrë atë nga krizat permanente ose do ta fundosin tërësisht.

Në dorë e kanë PDK dhe LDK me liderët e tyre Thaçin e Mustafën.

E nëse edhe kjo bashkëjetesë nuk do zgjasë nuk ka dyshim që nuk do fundosen as PDK e as LDK. Sepse si njëra ashtu edhe tjetra parti kanë jo edhe aq votuesit e tyre sa klientët e tyre.

Këtu vijmë tek opozita: Kurti, Haradinaj dhe Limaj. Këta s’kanë as numra. Por e kanë një rast të mirë: që të bashkohen dhe shikojnë ta gjenerojnë qoftë votën e tyre të bashkuar ashtu edhe votuesin e pavendosur apo edhe të dëshpëruarin që s’del aspak në vendvotim. Edhe ashtu as 40 përqind e qytetarëve të Kosovës nuk dalin në vendvotime. Prandaj le të shohim nëse do munden të lëvizin përpara.

Me Koalicionin PDK-LDK, Hashim Thaçi e Isa Mustafa kanë futur veten dhe sidomos vendin tonë në një rrugë e cila ende nuk dihet nga do të çojë- drejt plotësimit të nevojave të tyre personale për poste ose drejt nisjes së bërjes së shtetit të ri- shtet normal. Kosova është para një fillimi të ri. Ose fundosjes së saj.

Nga: Beqë Cufaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu