Qytetarët i besojnë KFOR-it e BE-së më shumë se institucioneve kyçe shtetërore

0
701

Eluxei

Në konferencën për media të thirrur nga Instituti Riinvest me temë “Qeverisja e Hapur në Kosovë 2014”, janë prezantuar gjetjet nga raporti “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Juglindore”, të dala nga sondazhi i realizuar nga ekipi hulumtues i Institutit Riinvest me 1000 qytetarë nga mbarë Kosova.

Gjetjet e raportit dhe përgjigjet në pyetjet si “cilat janë pikëpamjet e qytetarëve lidhur me transparencën”, “korrupsionin”, “llogaridhënien”, “participimin e tyre në politika publike”, janë shpalosur nga hulumtuesit e avancuar në Riinvest, Premton Hyseni dhe Agon Nixha.

Ekipi hulumtues i institutit në fjalë, përgjatë punës kërkimore, vlerësoi se reformat e qeverisjes dhe politikat anti-korrupsion nuk janë konsoliduar. Për më tepër, sipas hulumtimit, korrupsioni tek politikanët e zgjedhur dhe gjyqtarët është në rritje, dhe zbatimi i legjislaturës anti-korrupsion është jo i rregullt, raporton Koha.net.

Ndërkohë sa i përket besimit të qytetarëve në institucione, Agon Nixha, Hulumtues i Avancuar në Institutin Riinvest, deklaroi se “Qytetarët e Kosovës më së shumti ju besojnë institucioneve ndërkombëtare, si KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa më së paku ju besojnë shtyllave kryesore të pushtetit vendor, ku hyjnë Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Gjyqësori, Qeveria e Kosovës dhe Partitë Politike”.

Nga të gjeturat e dala nga raporti “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore”, është konstatuar që zgjidhja e sfidës së korrupsionit në rajon do të kërkonte përpjekje të qëndrueshme në shumë fronte, duke përfshirë pjesëmarrjen e të gjithë grupeve lokale dhe ndërkombëtare në periudhë afatgjate.

Për më tepër, si rekomandime kyçe ndër të tjera janë theksuar: ndjekja penale efektive e politikanëve dhe shërbyesve civilë të nivelit të lartë të korruptuar dhe futja e një mekanizmi monitorues dhe të pavarur anti-korrupsion.

Studimi “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore” është pjesë e nismës rajonale SELDI (Iniciativa për Zhvillim dhe Integritet në Evropën Juglindore), nismë kjo e cila ka për qëllim diagnostikimin e korrupsionit dhe boshllëkut të qeverisjes në rajon, si parakusht për avokim në politika anti-korrupsion.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu