‘Qytetin e përjetësisë’ e ka mbuluar harresa

0
699

Varrezat e Deshmorve Polac1

Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Skenderajt nuk mirëmbahen dhe ato janë shkatërruar, madje para 5 vjetëve edhe janë djegur. “Qyteti i përjetësisë”, siç e quajnë, sipas një projekti, duhet të zhvendoset në Marinë, në kuadër të Memorialit të UÇK-së, në të cilin në një pllakë të mermertë janë skalitur emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve të luftës së UÇK-së nga e gjithë Kosova

Ka më shumë se 10 vjet që për mirëmbajtjen e kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Polac të Skenderajt nuk është investuar asnjë cent.

Në kohën kur me Komunën e Skenderajt qeveriste Ramadan Gashi, Komuna kishte ndarë 11 mijë euro për rregullimin e varrezave dhe të rrethojës e dyerve, pastaj aty ishte vendosur edhe një kontejner dhe ishte caktuar një mbikëqyrës, por kjo kishte zgjatur shumë pak kohë, ndërsa tani gjithçka është shkatërruar, madje para 5 vjetëve edhe janë djegur.

Brahim Misimi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve në Skenderajt, thotë se ose duhet të realizohet projekti për bartjen e mbetjeve mortore të dëshmorëve nga Polaci në Marinë, ose duhet të investohet për rregullimin e varrezave në Polac.

“Ashtu si janë tani, është e mjerueshme. Ose lë të punojnë që t’i zhvendosin varrezat në Marinë, ose le të investojnë për rregullimin e varrezave të Polacit, kjo gjendje na bën që të ndihemi shumë keq”, ka thënë Misimi për “Zëri“.

“Qyteti i përjetësisë”, siç i quajnë Varrezat e Dëshmorëve në Polac, do të zhvendoset në Marinë, në varrezat që kanë mbetur bosh që nga përfundimi i fazës së parë të punimeve, në Memorialin e UÇK-së, në vitin 2005, e në të cilin në një pllakë të mermertë janë skalitur emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve të luftës së UÇK-së nga e gjithë Kosova.

Projekti i filluar para më shumë se tre vjet për zhvendosjen e 122 dëshmorëve, jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të Drenasit, të Suharekës, të Malishevës, të Ferizajt, të Shtimes, të Vushtrrisë, të Klinës, të Rahovecit, të Lipjanit, por edhe dëshmorë që janë të shënuar pa emër me vetëm N.N., ndërsa një vetëm me inicialet S.B., e të cilët nuk dihen as prej nga janë, nuk ka mundur të realizohet, pasi që ai ishte ndërprerë pa ndonjë sqarim..

Varrezat e Deshmoreve 1

Varrezat e Deshmorve Polac

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu