Rama bëri atë që nuk bëri Enveri

1
901

adem demaci

Fjalimi i kryeministrit shqiptar në Beograd sipas veprimtari Adem Demaçi është një akt i guximshëm. Sipas tij Rama i bëri të ditur botës se serbët vijojnë të luajnë rolin e hipokritit

Ish-i burgosuri në kampet e ish-Jugosllavisë, veprimtari Adem Demaçi, në një intervistë për gazetën “Shekulli” vizitën dhe qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në Beograd e ka cilësuar një akt burrëror, ndërsa vizitën e Enver Hoxhës në 1946 e quan tradhti kombëtare. “E dija që Edi Rama do të guxojë të thotë në Beograd të vërtetën që e ka njohur dhe e ka pranuar e gjithë bota” , tha Demaçi. Ai tha se ky është një rast i mirë edhe për Europën që ti tregohet se Serbia ka qenë shtet çetnik dhe politika e tyre nuk ka ndryshuar nga ajo e 200 viteve më parë.

Mirëmbrëma, ju shqetësojmë nga gazeta “Shekulli”, si ju kemi me shëndet baci Adem ?

Mirë jam, mirë, nuk duhet të qahem. Kënaqësi që flasim.

Z. Demaçi, kryeministri shqiptar ishte për një vizitë në Beograd. E ndoqët konferencën për shtyp të dy kryeministrave?

E ndoqa dhe ja sa e mbylla një intervistë për Radio Kosovën ku dhashë përgjigjen time në lidhje me vizitën e Z. Rama. Jam i emocionuar nga ajo që na dhuroi Edi Rama.

Z. Demaçi, fjalimi i z. Rama në konferncën për shtyp, a i përmbushi pritshmëritë tuaja ?

Me qëndrimin e tij në Beograd, Rama i dha fund iluzioneve qindra vjeçare të politikës serbe se Shqipëria nuk duhet të flasë për Kosovën. Shqipëria i tregoi Serbisë se ajo është e pavarur nga Evropa dhe Edi Rama i tregoi atyre se çfarë duhet të bëjnë, i tregoi atyre se serbët duhet të shohin nga Evropa dhe i tha që të mos shohin ëndrra me sy hapur për Kosovën. Rama i tha Vuçiçit atë që i ka kërkuar edhe vet Evropa, dhe Rama në Beograd i përçoi qëndrimin e Europës. Atë që foli Rama e thonë çdo ditë liderët e Evropës dhe të gjithë botës. Kombet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën. Gjyqi Ndërkombëtar i ka dhënë të drejtë kauzës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Serbia vijon të luajë rolin e hipokritit, dhe deklaratat e lajthitura të politikanëve serbë vetëm sa i shërbejnë faktorit ndërkombëtar për ta njohur më mirë megallomaninë e serbëve. Po shpresojmë që ky të jetë një mësim për Amerikën që të mos vazhdojë t’i bëjë lëshime Serbisë në dëm të shqiptarëve. Serbia vazhdon të luajë me dy porta, në njërën anë dëshiron edhe të jetë me Evropën demokratike dhe nga ana tjetër nuk arrin të ndahet nga ideologjia e historia e saj dramatike.

 Nga ajo që pamë sot a mund të themi se politika serbe ka ecur përpara apo i ka mbetur ora 20 vite mbrapa? 

Politika serbe nuk është kthyer 20 vite mbrapa, por është kthyer 100 vite. Edhe pse vetë Vuçiç ka thënë se politika 200 vjeçare serbe ishte e gabuar dhe tashmë bie në kundërshtim me veten. Ai vetë ka deklaruar se Evropa i duhet Serbisë dhe ka nxjerrë vrer ndaj politikës serbe nacionaliste dhe ja tek shfaqet vet njësoj si ata që ka akuzuar. Ai ka rënë në kundërshtim me veten dhe zoti e ndihmoftë atë.

 Cila është sipas jush gjëja pozitive nga kjo vizitë? 

Kjo është vizitë është e gjitha pozitive. Disa e kanë konsideruar vizitën e Ramës me atë që bëri Enveri në ‘46 kur e vizitoi ish-Jugosllavinë, e cila ishte një vizitë e turpshme. Hoxha ishte një servil dhe ishte i përulur ndaj serbëve. Ndërsa, kjo e sotmja, ishte një vizitë e lavdishme dhe na bëri krenarë, pasi Rama u tregoi atyre se Shqipëria nuk do të përulet më ndaj askujt. Ai i bëri me dije të gjithëve se Shqipëria është pro marrëveshjeve diplomatike, ekonomike me të gjithë shtetet më të forta të botës, duke filluar me SHBA-në mike të madhe, Kinën dhe me Gjermaninë dhe gjithë shtetet e zhvilluara. Përulje më nga Shqipëria nuk do të ketë, do të ketë fqinjësi të mirë dhe do të jemi të barabartë. Serbia nëse nuk do që të “sharrojë” edhe më thellë, le të ndjekë rrugën e saj drejt Rusisë, në të kundërt, nëse do që të ndjekë rrugën e saj drejt Brukselit duhet të ndryshojë dhe retorikën e saj nacionaliste.

Nga vizita në Preshevë, çfarë prisni?

Sa isha në Radio Kosovë, dëgjova një nga përfaqësuesit e Preshevës që tha se Edi Ramën do ta presin në një sallë të mbyllur dhe më pas do të dalin në Shesh. Mendoj se Rama në Preshevë do të kërkojë të drejtat e tyre që ju takojnë. Rama edhe sot (dje) në Beograd i ka thënë serbëve se shqiptarët duhet të kenë të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi njësoj siç kanë serbët në Kosovë. D.m.th Rama e ka shpaguar vetveten teksa i ka thënë troç serbëve se akoma silleni në mënyrë të poshtër ndaj shqiptarëve.

Intervistoi: Isuf Kurtaj

1 Koment

  1. Adem Demaçi, ti përveç që je, ndër të tjera NEGATIVITETEVE, edhe MANJAK dhe PSIKOPAT i vërtetuar sa herë deri më tash; je për GJYNAH e për SHTATË GJYNAHE, sikurse vazhdimisht po vërtetohet, Ti, backa Adem, mbase por, edhe shumë e mundur se je i tillë sikurse edhe të CILËSOVA ngase, je I LINDUR i tillë; oh, medet e vaj për ty ADEMAÇK sepse, ti ende deri më sot, kurrë nuk vërtetove se ia di hallet veti e, dhe ende më pak, deri më tsh ke vërtetuar se e NJEH VETVETEN!?! …Prandaj, trus e mos e zë ngojë ENVER HOXHË-ZOTIN spse, as ti ADEMAÇK dhe, as Edi Rama -nuk i vini… as të zogu i këmbës -ENVER HOXHËS, për SHQIPTARIZMEM, për nga TRIMËRIA, dhe për nga VLERAT E TJERA!?! …Sot, edhe “QYQET” E VËRTETA mund t’i luajnë TRIMAT E TRIMOSHAT kurse, në kohën e në kohët e ENVER HOXHËS -vetëm TRIMI I VËRTË ka mundur dhe ka guxuar të jetë e të tregohet -TRIM I NJËMENDTË!?! …Ademaçk, as ti, as Edi Rama -as në endërra nuk mund …as t’i afrohëni sadopak Enver Hoxhës -as për nga trimëria, as për nga patriotizmi dhe as për nga cilat do qoftë VLERA !?!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu