Rama dhe Thaçi janë dy kalamaj që nuk njohin historinë

0
1098

Spartak Ngjela

“Edi Rama dhe Hashim Thaçi janë dy kalamaj që nuk e njohin historinë e Shqipërisë”. Kështu ka deklaruar shkurt kryetari i partisë Ligj Për Drejtësi, Spartak Ngjela, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”.

Pas frazave të përsëritura për vëllazërinë shqiptaro-turke nga Kryeministri Erdogan i Turqisë, Rama i Shqipërisë dhe Thaçi i Kosovës, kanë reaguar një numër i madh historianësh, analistësh, politikanësh etj. Veç Ngjelës, kundër deklaratave vëllazërore turko-shqiptare në rang kryeministrash është shfaqur edhe Preç Zogaj.

“Ishte një manifestim i papranueshëm, që nuk ishte nevoja të mbahej”, tha ai, duke iu referuar fjalimeve të Erdogan, Ramës e Thaçit. Sipas tij, prania e tre kryeministrave në Kosovë, duke referuar deklarime vëllazërie me njëri-tjetrin, u bënë për politikë dhe jo për histori. “Ai manifestim ishte shumë i rëndë. Jo rastësisht nuk u fol aspak për perspektivën europiane. Për herë të parë Europa nuk u zu në gojë, në një takim me 3 kryeministra që aspirojnë t’i bëjnë shtetet që qeverisin pjesë të projektit europian. Ishte një turp i vërtetë”, theksoi Zogaj, ndërsa ishte i ftuar në emision “Opinion” të Blendi Fevziut.

“Erdogan kërkon që t’i bëjë presion Europës, me dy sejmenë që ka gjetur në Ballkan, Rama dhe Thaçi”, shtoi më tej Zogaj, i cili u kundërshtua disa herë nga historiani Pëllumb Xhufi. Ky i fundit i kërkoi Zogajt që të ndajë Perandorinë Osmane nga Turqia aktuale, politikat dhe historitë e tyre.

“Manifestimi ishte një version ballkanik, krejtësisht normal”, replikoi Xhufi, ndërsa në vijim bëri një radiografi të marrëdhënieve Shqipëri-Turqi ndër vite. Pjesë e këtij debati në “Opinion” ishte edhe Fatos Lubonja.

“Ka një demonizim të osmanëve, sikur këta po na prishin punë me Europën”, tha Lubonja. Sa i përket frazës së Kryeministrit turk se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, shkrimtari dhe publicisti Lubonja është i mendimit se është deklaratë e tejkaluar, sidomos nëse nxirret jashtë kontekstit. “Në kontekstin gjeopolitik është një deklaratë e tepruar”, ritheksoi Lubonja. (Panorama)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu