Rama: Gati projekti për Jugun, do rrisim investimet

0
1180

lungomare-porti

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e premte për çeljen e një konkursi ndërkombëtar që do të hapet në muajin shtator për bregun e Himarës. Përmes postimit të një fotoje në rrjetin e tij social Twitter, kreu i qeverisë deklaroi se konkursi do të hapet për rehabilitimin e fshatrave të bukur të Himarës: “Në shtator çelet dhe konkursi ndërkombëtar për bregun e Himarës së Re e për rehabilitimin e fshatrave të saj të bukur”, u shpreh Rama.

Në një njoftim të dytë në Twitter, kreu i qeverisë njoftoi se projekti RAB do të jetë baza për programin e ri të zhvillimit ekonomik të Himarës: “Projekti RAB një bazë për programin e ri të zhvillimit ekonomik të Himarës së rilindur nga ndarja e re territoriale”, u shpreh Rama.

Gjatë një takimi që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje me banorët e Borshit dhe Dhërmiut, bëri të ditur se projekti RAB është një bazë për programin e ri të zhvillimit ekonomik të Himarës së rilindur nga ndarja e re territoriale. Pavarësisht se Himara është bërë çështje mjaft e diskutueshme kohët e fundit, përsa i përket ndarjes së re territoriale që u propozua nga qeveria dhe u miratua në 31 korrik në Parlament, pritet që projekti fitues të ketë një potencial të madh zhvillimi për vendin.

Ndalimi i dytë ishte Borshi, hyrja në plazhin e të cilit do të bëhet tashmë nëpërmjet rrugës së rikonstruktuar Qazim Pali, një investim prej 100 milionë lekësh, me gjatësi 2 km që lidh rrugën nacionale Sarandë-Vlorë me Plazhin e Borshit. Gjatë takimit me banorët e Borshit, kryeministri u ndal në efektet që ndarja e re territoriale do të ketë për komunitetet. Sipas Ramës, qeveria shqiptare është e vendosur t’i japë fund epokës së mungesës së ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, në bregdetin e jugut, i cili është i njohur për ujërat e kristalta.

“Deri më sot ka rezultuar tërësisht i falimentuar, me pasoja të tmerrshme për komunitete të tëra dhe për zona si kjo, që në vend që të ishin zona ku cilësia e ujit të ishte një nga arsyet  për t’u krenuar dhe për të promovuar zonën, është një nga arsyet për të ulur kokën, sepse e dimë fare mirë se çfarë problemesh ka këtu me ujërat e ndotur, ashtu sikundër sa probleme të mëdha ka me ujin e pijshëm. Kemi gati dhe jo gati me fjalë, por ka filluar realizimi i projektit të rehabilitimit të rrjetit të furnizimit me energji të gjithë zonës. Janë dy nënstacione të reja që do të ndërtohen dhe financimi për to është garantuar dhe kështu besojmë që zgjidhim përfundimisht problemin  e madh që hasni ju dhe gjatë sezonit turistik, të gjithë strukturat hoteliere, të nivelit shumë të ulët të tensionit,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri tha se numri i investimeve, t? vendosura në dispozicion të kësaj zone, nuk është bërë për shumë vite të marra së bashku dhe se realizimi me sukses i tyre, do të sjellë ndryshime të dukshme, nga viti në vit.

“Besojmë shumë që vitin e ardhëm do të kemi mundësi të flasim për më shumë gjëra dhe do të kemi vënë në vijë më shumë investime. Edhe, thjesht, këtë vit kemi vendosur në dispozicion të zonës një sasi investimesh të atillë që nuk është bërë në shumë vite të marra së bashku, duke përfshirë investimet në rrjetin elektroenergjitik, duke përfshirë investimet për rrugën ku jemi këtu, por edhe për unazën e re të Himarës, por edhe për rrugën e re që do të lidhë Kuçin me bregdetin , por edhe për modelin e parë të zhvillimit të ri urban të shëtitores së Qeparoit që fillon, besoj, në fund të këtij muaji dhe vitin e ardhshëm do të shkojmë më tutje, me më shumë besoj,” – u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë Edi Rama zhvilloi një takim edhe me kampin e vullnetarëve, në Dhërmi, fryt i programit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për plazhe të pastra, një bashkëpunim mes Forcave të Armatosura, vullnetarëve, si dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile. Duke vlerësuar kontributin e tyre dhe përgjegjshmërinë e lartë qytetare, Kryeministri theksoi se falë punës kolosale që është bërë në këtë drejtim, këtë vit bregdeti është shumë më i pastër krahasuar me vitet paraardhëse.

Plani për rehabilitimin e bregut të Himarës pason atë të Vlorës, projekti fitues i së cilës u shpall 10 ditë më parë nga studioja belge që dorëzoi projektin e përfundimtar të fazës së parë të ndërtimit, që nis nga Porti i qytetit deri te Tuneli. Më herët Rama ka njoftuar se projekti i madh i Lungomares do të vazhdojë me bashkinë e Himarës:

“Bashkia e Vlorës do të kthehet në një hapësirë më të gjerë dhe vija bregdetare e Jonit, do fillojë me Vlorën, do të vijojë me Himarën e do të përfundojë me bashkinë e Sarandës.  Të tre pikat kyçe Vlorë, Himarë, Sarandë kanë marrë një forcë të re dhe janë në një potencial të zhvillimit urban ekonomik e social, falë integrimit të komunave ekzistuese në përbërje të këtyre bashkive të mëdha”.

 

Projekte vetëm për Jugun? Rama: Rruga për në Vermosh, deri në Plavë-Guci

Shumë nga miqtë e tij virtualë e kanë inkurajuar Kryeministrin për nismat e publikuara, mirëpo ka pasur edhe nga ata që janë bërë kuriozë dhe e kanë pyetur atë për rrugët e Veriut të vendit. Dikush i ka kujtuar Rrugën e Arbrit, të tjerë Shkodrën, Velipojën dhe Pogradecin.

Në mbrëmje, në orën 23:00, Kryeministri i ka lexuar shqetësimet e banorëve dhe iu është përgjigjur, duke i kujtuar se në muajin gusht nisi ndërtimi i rrugës turistike që të çon në Vermosh, duke u zotuar se do të ndërtohet aksi deri në Plavë dhe Guci.

“Pyesni pse projekte vetëm në bregun e Jugut? Jo jo, p.sh brenda gushtit nisim rrugën turistike për Vermosh e do ta çojmë deri në Plave-Guci”.:-)”, ka shkruar Rama në Facebook.

 

Inspektim punimeve në bregdetin e Dhërmiut

Në kuadër të masave të qeverisë shqiptare për rehabilitimin e zonave bregdetare, Kryeministri Rama, deputeti i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare zhvilluan dje një takim në Dhërmi, me kryetarët e Partisë Socialiste dhe kryepleqtë e fshatrave të zonës së Himarës.

Në qendër të diskutimit ishin problematikat me të cilat përballet zona e Himarës, pas ndarjes së re territoriale. Po ashtu, u diskutuan edhe çështje të tjera me rëndësi për zonën, si rendi dhe policia, turizmi dhe pronat e ndërtimet në bregdet, probleme këto që kërkojnë trajtim të veçantë për shkak keqmenaxhimit nga qeveria e mëparshme.

Në vijim të aktivitetit, janë inspektuar nga afër punimet që po kryhen në terren në plazhin e Dhërrmiut.

 

/Shekulli Online/L.B./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu