Ramadan Pllana: Reagimet e mekura e meskine të Abdullah Prapashticës

0
1304

(Në lidhje me reagimin «Çka është dëshmi e çka jo? » të Abdullah Prapashticës, botuar në « albaniapress », më 14 shtator 2011 )

Është hera e tretë që z. Abdullah Prapashtica reagon ndaj shkrimeve të mia, si kujdestar e ish-hetues profesional mundohet t’më bëjë një censurë edhe ndaj kujtimeve të mia, si në kohën e vet zyrtare titiste…
Se është kështu do dëshmoj për lexuesit kureshtarë që do të bindën në këtë reagim timin që e bëj për hir të realitetit historik. Hera e parë që më « këshilloi » që mos të merrem me shkrime historike ishte në shkrimin me titull, «DËSHMI MBI THEMELIMIN E LRSHJ-së», publikuar në «Albaniapress», shkruar më 19 mars 2009, që në të vërtetë ishte sa për të çuar pluhur provokativ ose sa për të mos thënë asgjë të re. Ky prapë i bjen avazit të njejtë! Këto shkrime, për veteveten, ai i ka përsëritur shumë herë, dhe është e drejtë e tij që t’i përsërit sa herë të dojë; hera e dytë ishte më 23 mars, 2009, në reagimin e tij « LETËR MIKUT RAMADAN PLLANA », ku në fund të reagimit shkruan:

« E përshëndes z. Ramadan Pllana për këtë punë të mirë që ka bërë në këtë intervistë, duke dëshmuar për ato vite plot dhimbje dhe plot krenari nga koha e ilegales së lavdishme dhe i uroj shëndet e jetë të gjatë. Zemra ma do dhe uroj që me çdo luftëtar të lirisë, të ulemi edhe gju më gju për të qarë hallet e atdheut, të cilat ende nuk kanë marrë fund, dhe më pak të merremi me të kaluarën para se ta kryejmë misionin që i kemi shtruar vetes. Kemi tepër shumë punë me armiqtë, për të pas kohe me u marrë me vetveten. Me konsideratë të lartë!
Me konsideratë të lartë!
Abdullah Prapashtica ».

Mendoja se me këtë i dha fund censurimeve të shkrimeve të mia !…
Në reagimin tim « Pse të trazojnë kujtimet e mia, Abdullah Prapashtica?! », publikuar më 20 mars 2009, përveç tjerash i shkruaj edhe këtë : Urdhëro, eja kur të duash e flasim si vëllezër, nuk jemi larg, nëse jeton në Zvicër, edhe nëse kemi kundërthënie, e mos më nxit në polemika që nuk çojnë në dobi të çështjes kombëtare! Tani e kam kuptuar se e ky jeton në Gjermani.
Ky prapë më provokon me një zë të mekur e meskin duke më « këshilluar » që mos të shkruaj histori se nuk qenkam kompetent-historian, shtron dyshimin se çka është dëshmi e çka jo në kujtimet e mia DËSHMI TË KOHËS etj., etj. Në FJALORIN E GJUHËS SË SOTME SHQIPE fjala dëshmoj shkruhet kështu:
Dëshm/oj jokal., Pohoj me gojë ose me shkrim për atë që kam parë e kam dëgjuar… Unë thjeshtë e bëjë këtë gjë, asgjë tjetër!
Sa për ndonjë lëshim a mospërputhje të datave jam i vetëdijshëm, këtë e kam thënë disa herë, këtë e them edhe në shkrimin kushtuar heroit Xhavit Haziri, ku them:
Në shkrimet e mia që i publikoj në mediat elektronike jam përpjekur që të jem sa më objektiv, mirëpo i vetëdijshëm se në mungesë të konsultimit me dokumentet e mundshme arkivore do të ketë disa lëshime kujtese e ndonjëherë edhe mospërputhje në datat e sakta historike që i kam marrë nga shkrimet e autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për ngjarjet e Lëvizjeve tona Gjithëkombëtare. Njerëzore është që të gabojmë! Besoj se në të ardhmen këto pasaktësi të ngjarjeve do t’i përmirësojnë historianët shkencorë duke u bazuar në dokumentet arkivore.
Tani, për hir të lexuesëve të nderuar, do të dëshmoj edhe një herë për « pikat kontestuese » sipas « historianit » « kompetent » z. Abdullah Prapashtica:

Pikat kontestuese të kësaj dëshmie janë aty ku thuhet:
1. “…kur me ndërmjetësimin e ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxha shpallin bashkimin e organizatave ilegale…” Unë, pajtohem pjesërisht me konstatimin se Bujar Hoxha nuk ka qenë ambasador i Shqipërisë në Turqi dhe se nuk ka qenë i pranishëm në shpalljen e formimit të LRSSHJ-së, por nga historia dihet se Bujar Hoxha ka qenë i përcaktuar nga K.Q. i PPSH-së, me urdhër të Enver Hoxhës, për të ndihmuar në bashkimin e organizatave ilegale në Kosovë e vise të tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Këtë e kam marrë nga historiku i LPK-së, ku shkruan:

17 shkurt 1982 në Turqi, përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politik nga Kosova), në prezencë edhe të ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, z. Bujar Hoxha shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ). Prandaj i mbetet historisë që ta korigjojë këtë lëshim.
Për këtë takim shkruan edhe Ibrahim Kelmendi në librin « ATENTATET », ku përveç tjerash, në faqën 386, shkruan : Më 17 shkurt 1982, në Turqi u takuan Sabit Katunriu (Sabri Novosella, shënimi im), alias Rrobaqepësi, i shoqëruar nga Xhafar Durdeli (Xhafer Durmishi, shënimi im), alias Skënderi, me Avdyl Prapashpinën (Abdullah Prapashtica, shënimi im). Në takim asistoi edhe diplomati i Republikës së Shqipërisë, Bujar Hoxha, siç e dekonspiruan pastaj sejmanët e Xhafarit. I njejti pat marrë pjesë edhe në takimin e tetorit 1981, po në Turqi, midis Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës me Sabit Katunruin. Pra, profesor, komunist, këshilltar, konsull, diplomat apo ambasador, sido që ta quajmë, ky ishte ndërmjetësuesi për bashkimin e organizatave ilegale, kësaj popullorçe i thonë : Ali Hoxha – Hoxhë Alia!…
ÇKA ËSHTË DËSHMI E ÇKA JO ABDULLAH PRAPASHTICA?!

2. Ramadan Pllana në vazhdim thotë:

“…praktikisht nuk u arrit bashkimi-shkrirja e mirëfilltë, sepse krerët e ish-organizatave, Sabri Novosella (LNÇKVSHJ), Abdullah Prapashtica (PKMLSHJ) dhe Xhafer Shatri (OMLK) nuk ishin të denjë për një bashkim-shkrirje të vërtetë të kësaj organizate të re, sepse nga përçarjet e tyre, madje edhe duke e quajtur njeri-tjetrin spiun të UDB-as, kishin ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e organizimit të përgjithshëm kombëtar, si jashtë ashtu edhe brenda atdheut…” Mbasi ti z. Prapashtica po insiston që ti them ato që janë të shkruara e të argumentuara me letra e me procesverbale për marrëdhënjet tuaja, të tre udhëheqësve të lartpërmendur, po shërbehem me këto të dhëna që vijojnë më poshtë, pa i cekur emrat e anëtarëve të LRSHJ-së. Në faqën 65 të librit të Faridin Tafallarit « TERROR, DHEMBJE, QËNDRESË… », ku të dhënat merren nga proces-verbali, anëtarët e krahut tënd insistojnë që fotografia e satrapit Tito mos të hiqet nga klubet e mërgimtarëve , aty shkruan « Megjithëse keni bërë gabime, ju nuk po dëgjoni. Ju hoqët nga klubet fotografinë e Titos dhe po e shani ». pastaj, tjetri « Kush flet keq për Titon, ai çon ujë në mulli të armikut etj. » Po në të njejtin libër në faqet 242,243 dhe 244, njëri nga udhëheqësit me të cilin u bashkuat , në një KOMUNIKATË, shruan për Xhafer Shatrin zi e më zi nga xhelozia, vetëm pse ky ishte më intelektual se ju, ja dëshmia: « Konkluzion:
Në bazë të këtyre veprimeve të Xh. Shatrit shihet se kemi të bëjmë me një kriminel të atij niveli sa që edhe Udba sot mund të pendohet pse një kriminel i tillë nuk ia ka hapur dyert shumë më heret që t’ia kryejë shumë punë të cilat ajo nuk do të mund t’i kryente në asnjë mënyrë tjetër… » Me fotografinë e Titos bëhej bashkimi?! Kurse në librin e Nuhi Sylejmanit « Vrasje e trefishtë » (Kujtime e fakte), botuar në « KOMBI » (IKDFK), Prishtinë, 2010, në faqen 149, përveç tjerash shkruan « …Ia bëra me dije se boll mirë po e di se çka po lyp ti, por nuk do të hy në ato ujëra të turbullta, pavarësisht se situaten po e çon drejt vëllavrasjses…Plumbat do t’i ruaj për armikun, që po na rri këmbëkryq në ballë të vatrës dhe herë pas herë po na e hedhë nga një asht…ja si tani, për t’u sharë e vrarë mes veti! » etj. Ja pra, Z. Prapashtica, pse nuk ishit të denjë për një bashkim-shkrirje të vërtetë të kësaj organizate të re! Unë nuk e kam imagjinuar këtë shkrim, këtë e argumenton shoku yt nga dokumentet e LRSHJ-së … Duke u sharë e duke u vrarë në mes veti bëhet bashkimi?!

ÇKA ËSHTË DËSHMI E ÇKA JO ABDULLAH PRAPASHTICA?!

3. Ramadan Pllana në vazhdim thotë:
“…LRSSHJ ishte vazhdimësi e organizatave, LNÇKVSHJ, OMLK, FKP dhe i PKMLSHJ…” këtë dëshmi e kam marrë nga libri i Faridin Tafallarit « TERROR, DHEMBJE, QËNDRESË… » (faqe 219) nga dokumenti « STATUT I LËVIZJËS PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ), shtypur në Shtypshkronjën « EURORILINDJA », TIRANË, 1997. LPRK, më vonë LPK ishin shkrirje, pa përjashtim e antarësisë së gjërë, në këtë Lëvizje.
ÇKA ËSHTË DËSHMI E ÇKA JO ABDULLAH PRAPASHTICA?!

4. Radio Diaspora/ Ramadan Pllana thotë se:
(Fillimi i citatit – vërejtje ime, në vazhdim VI) (pyetja e gazetarit-VI)” …e Grupi i Hydajet Hysenit?! Jo, jo grupi i Hydajet Hysenit ka qenë OMLK, Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës, të Kadri Zekës, Mehmet Hajrizit etj, e kanë pasur të njëjtin program (si LNÇKVSHJ – VI), sa i përket bashkimit me shtetin amë, me Shqipërinë. Kurse, PKMLSHJ e Abdullah Prapashticës, po e përsëris, ka qenë e vetmja organizatë që e ka pas programin e saj për Republikën e Kosovës…”. Fundi i citatit nga deklarata e Ramadan Pllanës! Si duket Abdullah Prapashticës iu kanë mbyllur sytë e nuk e ka të qartë, as pyetjën e Astrit Gashit, një veprimtar i ri i cili pyet, më tepër për vete, se a ishte edhe OMLK, grupi i Hydajetit, në Stamboll për bisedime më 17 shkurt 1982, sepse nuk e njihte organizatën e PKMLSHJ, këtu mirë sqarohet dhe se e verteta historike qëndron se, LNÇKVSHJ, OMLK e organizata tjera ilegale ishin për bashkim me shtetin amë, përveç PKMLSHJ e Abdullah Prapashticës…
ÇKA ËSHTË DËSHMI E ÇKA JO ABDULLAH PRAPASHTICA?!

5. Por ne “DËSHMI TË KOHËS”Ramadan Pllana në vazhdim thotë:
“…Në këto rrethana delikate të vazhdimësisë organizative të LPRK-së, kur mungonin udhëheqësit potencialë, u mbajt Konferenca e Dytë e jashtëzakonshme në fillim të shkurtit të vitit 1991 në fshatin Prapashticë të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë këta veprimtarë: Xhavit Haziri, Azem Syla, Halil Selimi, Ismet Sulejmani, Ramadan Avdiu, Ramadan Pllana, Raif Qela, Behajdin Allaqi, Hydajete Krasniqi, Zyrafete Muriqi, Halit Krasniqi, Ilaz Kadolli, Menderes Zeneli, Irfan Musmurati, Hulusi Beqiri etj….” Ngase u tha më lartë dhe duke parë se udhëheqësia e LRSHJ-së, jo anëtarësia e thjeshtë, po e akuzonin njëri tjetrin për « tradhtarë të popullit, udbash e të shitur. Nuk lanë pa e marrë nëpër gojë edhe Kadri Zekën . » (nga libri Faridin Tafallarit « TERROR, DHEMBJE, QËNDRESË… » faqe 80, shihet qartë çfarë udhëheqës potencialë ishit ju z. Prapashtica!… Me tradhtarë të popullit, udbash e të shitur bëhet bashkimi?!
ÇKA ËSHTË DËSHMI E ÇKA JO ABDULLAH PRAPASHTICA?!

Z. Abdullah Prapashtica, Se ke çuar pluhur provokativ ose sa për të mos thënë asgjë të re, ashtu siç kam thënë edhe më heret, shihet në këtë reagim timin. Lavdohu për vete sa të duash, po më mirë le të flasin të tjerët për ty! Unë, thellë në shpirt, e ndiej si obligim, si borxh moral, si detyrë kombëtare, shoqërore e historike që të shkruaj për shokët e rënë, për dëshmorët, për histori, si dëshmi; e ndiej si amanet të dëshmorëve dhe do shkruaj kështu deri në vdekje!… Këtë amanet e kam mësuar nga i madhi Hasan Prishtina!
Unë, me shkrimet e mia, si Dëshmi të Kohës, kam fituar shumë miqë, nga letrat dhe përshëndetjet e tyre mund të përmblidhet një libër. Qe njëri prej tyre, sa për dëshmi:
“Kushtrimi | Friday, 05 November 2010 at 17:00
Përshëndetje!
Deshta vetëm ta përshëndes autorin më se origjinal (Ramadan PLLANA) qe deri me sot shkroi për atdhetarin dhe simbolin e ribashkimit te Shqipërisë natyrale Metush KRASNIQI. I nderuar zotri Ramadan PLLANA, ju keni bere shume, keni shkruar fakte ndërsa pas jush kane shkruar edhe te tjerët…
Ne, u jemi mirënjohës te gjithëve qe shkruajnë por më së tepërmi atyre qe janë origjinal, por sa i përket institucioneve të Kosovës, ato për punën, sakrificën dhe veprën përplot një jete te te pavdekshmit Metush Krasniqi, ato mos qofshin fare ngaqë për te nuk kane bere as 0.0001%! Respekt dhe falënderime për zoteriun Ramadan Pllana dhe shumë të fala »

Mirëpo, në postën elektronike më kanë ardhur edhe dy letra nga « Nora Gashi », me gjasë një pseudonim yti, ku më « këshillon » e « sugjeron » që ti lexoj të vertetat historike nga « Besnik Prishtina », alias Abdullah Prapashtica, për këtë kam hulumtuar mirë e mirë dhe jam shumë i bindur se je ti d.v. pas këtij pseudonimi. Në të ardhmën do ta publikojë letrën, nëse ti e mohon këtë fakt!… Gjithashtu, mu ka mbushur mendja se ti fshihesh pas pseudonimit « Justina Pali », e cila i mbështet dhe i përkrah shkrimet e « Besnik Prishtinës »…Ngase nuk ke guxim të ballafaqohesh me kritikat që i merr nga reagues të ndryshëm ndaj teje, ti shkruan në emër të femrave, kjo, pa i nënvlerësuar femrat, i bjen se po vishesh me tesha të grave!…Ti nuk ke pasur guxim që të reagosh ndaj shkrimit të Faridin Tafallarit, « …ËSHTË KORREKTE KUR THUA TË VËRTETËN, POR JO NGA STAMBOLLI », publikuar më 26 mars, 2009 në « albaniapress », dhe iu ke hakmarrur, si frikacak e dinak titist që je, me këtë koment në « Zëripress» në artikullin tim «METUSH KRASNIQI – SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR », publikuar më 10 nëntor 2009. Ja komenti yt:
Justina Pali 24-04-2010, 22:14 Nga burimet arkivore të UDB-e është blerë informacioni se Selim Brosha e ka pas një bashkëpunëtor në udhëheqjen e ngushtë të LNÇKVSHJ. Nga të njëjtat burime vërtetohet se gjate hetimeve ai ka dhanë të dhënat për çdo anëtar të organizues së vet për të cilin ai ka pas njohuri dhe për të cilët UDB me par nuk ka pas njohuri tjera. Disa nga ata janë ftuar në ballafaqim për të pranuar veprat. Sa i përket Tafallarit hyn në rrethin e ngushtë të njerëzve të dyshimtë se ka qenë pëshpëritës kundër mërgimtarëve patriote të konsulata jugosllave në rrethinën e Shtutgardit. E cila kohe pas kohe e detyron Tafallarin të publikon intriga kundër Adem Demaçit dhe kundër veprimtarëve tjerë me të cilët ai nuk ka bashkëpunua ndonjëherë dhe të cilët ai nuk i njeh fare. Tafallari kurrë nuk ka qenë anëtar i KD të LPK dhe kurrë nuk ka pas qasje ne informacionet udhëheqjes kryesore te LPK! Nga shkrimet e Tafallarit dhe tipave si ai me së shumti ka me pas dobi industria e letrës te tualetit! Me që arkivat e UDB-es do të hapen së shpejti në tërësi, në kohë të afërt do të del në shesh e lakuriq e vërteta për se cilin pseudopatriot ve e veç! Vetëm edhe pak durim!

Ramadan PLLANA 06-11-2010, 14:42
Unë kam reaguar ndaj shpifjeve tua, dhe ti mund të përgjigjsh edhe penalisht për këtë shpifje që ia bënë këtij atdhetari të devotshëm, bashkëveprimtar i yjeve të pashuara, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Turp të kesh, ty të pengon të thuhet e të shkruhet e verteta!

Më poshtë reagimi im ndaj « Justina Palit », alias Abdullah Prapashtica.
Redaksi e nderuar e “Zërit”,
Duke e parë se ende shkruhën komente nga lexuesit e nderuar për shkrimin tim “METUSH KRASNIQI – SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR” dëshiroj që t’i falenderoj të gjithë lexuesit me ndjenjat më përzemërta! Unë jam shumë i kënaqur nga të gjithë ata që më përkrahin dhe më stimulojnë për shkrimet e mia në të cilat mundohem të jem sa më objektiv. Shumë përkrahje dhe përgëzime më kanë ardhur edhe në adresën time elektronike.Natyrisht se ka ende shumë për t’u thënë për të gjitha ngjarjet historike në të cilat ishim edhe ne pjesëmarrës ose dëshmitarë të kohës – së bashku, me bashkëpunim, mund t’i plotësojmë vakumet … Për sa i përket shkrimit të lartpërmendur, për dëshmorin e rangut më të lartë të çështjës kombëtare, Bacë Metush Krasniqit, i falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan dhe më stimuluam për këtë figurë madhore të Shqipërisë Etnike. I falenderoj Lorik Krasniqin, Shefik Sadikun dhe Kushtrimin për komentet e tyre shumë dashamirëse e të sinqerta! Kurse sa i përket komentit me pseudonimin “Justina Pali” nuk jam fare i kënaqur! Në kohën e sotme të demokracisë e të shprehjës së lirë mendoj se një koment i tillë është shumë negativ e përçarës!…Pse nuk del me emër të vertetë komentuesi dhe pse nuk e ep emrin e vertetë të bashkëpunëtorit të Selim Broshës kur thotë se ” Nga burimet arkivore të UDB-e është blerë informacioni se Selim Brosha e ka pas një bashkëpunëtor në udhëheqjen e ngushtë të LNÇKVSHJ.”?! Një informacion argumentus do t’ishte shumë me rëndësi historike dhe do të shërbente për të zbuluar “Kalin e Trojës » në LNÇKVSHJ. që deri më sot nuk është përmendur në historikun e kësaj organizate. Komentuesi anonim është shumë përçarës dhe hakmarrës, për interesa personale, ndaj atdhetarit të devotshëm, Farindin Tafallarit, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të dëshmorit Jusuf Gërvalla, duke e etiketuar si të dyshimtë e pseudopatriot! Prandaj e thërras “Justina Palin” që të delë me emër të vertetë e ta thotë me argumente atë që shkruan?! Vetëm me emër reali i shërbehët të vertetës!
Duke ju dëshiruar punë të mbarë, juve të stafit të “Zërit” si dhe bashkëpunëtorëve e lexuesëve të nderuar, ju përshëndes të gjithëve me ndjenjat më të përzemërta! Ramadan PLLANA

Z. Abdullah Prapashtica, Në fund të këtij reagimi kisha për ta shtruar pyetjën sugjestive, të cilën ti ma ke bërë mua më heret: Kemi tepër shumë punë me armiqtë, për të pas kohe me u marrë me vetveten?! Ti pse merresh me vetveten?! Unë nuk po merrem me ty, vetem po dëshmoj të vërteten para historisë, sipas veprimeve dhe përjetiemeve të mia, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt!… Turp të kesh, ty të pengon të thuhet e të shkruhet e verteta!…
– « Je dis ce que je vois. Ce que je sais, ce qui est vrais”. (Paul Eluard)
– “E them atë që e shoh, atë që e di, atë që është e vërtetë”. ( Pol Eluar)

Unë konsideroj se nuk ke pasur kurfarë arsye për të reaguar dhe nga ana ime i ep fund reagimit tim ndaj shkrimit tënd për të cilin ndjeva një obligim moral, kombëtar e historik që të përgjigjem.

Zvicër, më 17 shtator 2011

 

Ramadan Pllana

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu