Ramosaj: Isa Mustafa njeriu i shëmbëlltyrës Socialiste

0
666

Kuvendi i Punës i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë ditës së shtunë nuk kaloi në frymë uniteti, por pati kritika të ashpra nga anëtarët e saj për punën e deritashme të Isa Mustafës, ndryshimit të statutit të kësaj partie. Madje në këtë kuvend pati edhe eliminime të dy anëtarëve të këshillit të LDK-së Berim Ramosaj dhe Haxhi Kamberaj. Këta dy të fundit konsideruan se një veprim i tillë i kryetarit Mustafa tregon se ai ka shkelur statutin e LDK-së ende pa u miratuar. Madje ata cilësuan se Mustafa po tenton me çdo kusht të imponojë mendim uniform të anëtarëve të LDK-së dhe këtë e ka vërtetuar edhe me ndryshimin e dy neneve të statutit të kësaj partie.

 

Sejdiu, një sërë kritikash

Kritiku i ashpër mbeti edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të cilit as nuk iu dha fjala në pjesën hyrëse të këtij kuvendi. Madje përveç tjerash Sejdiu kritikoi edhe statutin e LDK-së për të cilin konsideroi se nuk është bërë ndonjë progres i veçantë me ndryshimin që kanë bërë. I ashpër në kritika Sejdiu u shpreh edhe në atë se delegatët që ishin pjesëmarrës nuk u pyetën për rendin e ditës se si të zhvillohet puna e kuvendit. Por përkundër këtyre kritikave, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është dukur i qetë. I pritur në mënyrë solemne, i duartrokitur vazhdimisht në sallën ku po mbahej kuvendi, ai deklaroi se reformat në këtë parti janë të orientuara drejt përshtatjes ndaj ndryshimeve dhe drejt ballafaqimeve me sfidat e shtetndërtimit dhe të integrimeve evropiane. Por pas më shumë se pesë orë pune të këtij kuvendi, Mustafa doli në një konferencë për medie ku tregoi se është miratuar programi politik dhe statuti i LDK-së.

Pas përfundimit të kuvendit të punës së LDK-së, ish- presidenti Fatmir Sejdiu ka adresuar një sërë kritikash. Ai ka thënë se do të ishte e dobishme që delegatët e LDK-së të pyeten për rendin e punës së ditës për këtë kuvend.

” Do të kishte qenë e udhës të pyeten edhe delegatët e punës për rendin e ditës se si të zhvillohet puna e kuvendit, por ishte mënyra se si u prezantua. Mendoj se është e rëndësishme që secili anëtar i LDK-së të japë kontributin e vet maksimal në këtë kohë për zhvillimin e mëtejshëm të LDK-së dhe orientimet e saj, posaçërisht me vendimet e mëdha që kanë të bëjnë me politikën vendore dhe temat e mëdha që lidhen me politikën e jashtme për Kosovën. Sigurisht se do të jetë e nevojshme që në sesionet e tjera qoftë edhe të këshillit të përgjithshëm të debatohet thellë cili është roli dhe opozita e LDK-së sot dhe sa LDK-ja do të zhvillojë vetveten, duke pasur parasysh ato premisa që të jetë ofertë e mirë për qytetarët dhe paralelisht të jetë një partner i miqësisë së mirë esencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Unë ofrova disa nga shikimet e mia në dy temat, edhe pse ishte punë e sesioneve”, ka thënë Sejdiu duke shtuar se ai ka dhënë vlerësimet e tij rreth orientimit programor dhe statutit të LDK-së.

I pyetur se çka do të ndodhë nëse LDK-ja nuk do t’i marrë parasysh propozimet e tij, Sejdiu ka thënë se nuk ka ide tjetër përveç të vazhdojë të investojë për zhvillimin e kësaj partie.

 

Ramosaj nuk e prish vikendin për LDK-në

Të revoltuar me largimin e tyre nga këshilli i LDK-së janë shprehur edhe dy ish- anëtarët Haxhi Kamberaj dhe Berim Ramosaj.

” Ende pa hyrë në fuqi statuti i LDK-së, kuvendi i sotëm i punës shkeli statutin e ri dhe atë të vjetër, të cilët e përcaktojnë qartë mandatin e delegatit me afat 4 vjeçar. Kjo çka ka ndodhur sot nuk përkon aspak me frymën rugoviane, të cilën po e trasojmë ne. Ky përjashtim mbase ka të bëjë me kritikat tona ndaj ecurive ndaj të cilave po kalon LDK-ja dhe animit tonë pro Fatmir Sejdiut. Por për këtë ju kisha lutur ta pyesni lidershipin e LDK-së. Ne do të vazhdojmë t’i mbesim besnikë LDK-së gjithnjë duke u bazuar në vlerat e saj rugoviane”, ka thënë, Haxhi Kamberaj.

Ndërkaq Berim Ramosaj, i cili kishte lëshuar kuvendin e punës në orët e para, është informuar nga vetë mediet se është larguar nga këshilli i LDK-së. Ai madje për gazetën ‘Kosova Sot’ ka thënë se nuk e prish vikendin për LDK-në. Ramosaj ka pranuar se është larguar nga këshilli vetëm se kishte dhënë ide të reja, gjë që sipas tij lidershipi i tanishëm i LDK-së nuk është mësuar me ketë, por ka për qëllim t’i disiplinojë anëtarët e saj në kuptimin e mbajtjes së qëndrimit uniform karshi raporteve dhe koncepteve të reja.

“Kjo tregon se LDK-ja nuk është e gatshme të ballafaqohet me mendimin ndryshe. Në periudhën e debatit publik për statutin dhe programin unë kam dhënë kontributin tim në kuptimin e asaj se si duhet me qenë një statut i një partie që pretendon të jetë liberale dhe demokratike. Lidershipi i LDK-së nuk është i gatshëm për mendime të reja përveç atij mendimi uniform që del si rezultat i atyre klaneve të udhëheqjes së ngushtë të partisë. Asnjëherë nuk kam qenë krah i askujt dhe e them me përgjegjësi se ato ide që i kam dhënë janë krejtësisht të natyrës konceptuale, që vërtetë më ka penguar disiplinimi me norma të caktuara të anëtarëve të partisë. Sidomos neni 13 dhe 14 që janë aprovuar tashmë në statut të LDK-së mundohen me çdo kusht të imponojnë mendimin e njëjtë, pra atë uniform që në fakt nuk i shkon për shtati partive neoliberale siç është LDK-ja”, ka thënë Ramosaj.

 

“Mustafa na ruante të mos e shkruajmë “Kosova Republikë”

Ramosaj mes tjerash ka treguar se është larguar nga këshilli vetëm për shkak të qëndrimeve të tij, gjë që sipas tij këto nuk i kanë konvenuar as Isa Mustafës e as lidershipit aktual të LDK-së. ” Sigurisht se qëndrimet e mia më kanë penalizuar. Nuk kam qenë politikisht i ngjashëm asnjëherë me ta. Udhëheqja e LDK-së veçanërisht e Isa Mustafës, të cilit duhet t’i kujtohet mirë që në vitin 1981 unë kam qenë student dhe ka ardhur e na ka ruajtur të mos e shkruajmë Kosova Republikë në konviktet numër 2 dhe 3. Prandaj këto janë ballafaqime të ideve konceptuale që në fakt e kanë kuptimin e ndryshëm. Gjithë jetën kam luftuar për të drejtën e individit dhe kolektivitetit. Jam njëri ndër themeluesit e LDK-së kur Isa Mustafa apo një pjesë e lidershipit të kësaj partie nuk kanë guxuar as të jenë aty”, ka deklaruar Ramosaj.

Ndërkaq sa i përket ndryshimit të statutit të LDK-së, Ramosaj ka thënë se e gjithë kjo ka për qëllim t’i disiplinojë anëtarët e saj në kuptimin e mbajtjes së qëndrimit shumë uniform karshi raporteve dhe koncepteve të reja.

” Unë nuk e kuptoj këtë proces, pra si një parti në shekullin 21 dëshiron të disiplinojë anëtarët e vet në kuptimin e ideve të reja dhe mendimeve ndryshe. Unë hyj në grupin e atyre njerëzve që mendojnë ndryshe me kokë. Jam njeri që kam punuar dhe punoj me kokën time dhe mendimet i kam krejt origjinale dhe nëse dikush mendon që në kuptimin politik të disiplinojë Blerimin, mund të gabojë rëndë. Ky lidership i LDK-së nëse mendon që me këto masa të largimit të japë shembull për të tjerët të mos mendojnë ndryshe e shkatërrojnë esencën e mendimit origjinal, kreativ e politik të një partie. Kjo mund të shkaktojë vetëm telashe”, ka deklaruar Ramosaj.

Ai madje ka kritikuar Isa Mustafën i cili në orientimin programor të LDK-së premton që ky subjekt politik do të sjellë një ekonomi sociale të tregut. Këtë gjë Ramosaj e ka krahasuar me qeverisjen e socialistëve, që sipas tij është një non sens për LDK-në. “Keni mundur të shihni në orientimin programor ku Isa Mustafa thotë se ne jemi për një ekonomi sociale të tregut. A dini cili sistem ka qenë për një ekonomi të tillë, ai i socializmit qeverisës. E në këtë kohë të mendosh se LDK-ja si parti demokratike e qendrës së djathtë të zhvillojë një ekonomi sociale të tregut ai është një non sens”, është shprehur Ramosaj.

Në fund të deklaratës së tij, Ramosaj ka thënë se LDK-ja është frymë proamerikane, por lidershipi aktual i kësaj parti sipas tij është orientuar më shumë në programet e partive social-demokratike.

“Lidershipi aktual i LDK-së nuk po mund të gjejë vetveten në këtë orientim shumë proamerikan, por po mundohet të zbulojë rrugë të reja që më tepër janë të orientuara nga programet e partive social -demokrate, që janë të lidhura me partitë socialiste, komuniste të Evropës. Kështu që padyshim kjo nuk është në harmoni me qasje antikomuniste të cilën e zhvillon edhe lidershipi amerikan. Unë nuk dua ta identifikoj LDK-në si antiamerikane, por lidershipi aktual e ka humbur rrugën dhe vërtetë nuk e di më se me kë është”, ka thënë Ramosaj.

 

“Nuk i mbyllim dyert askujt”

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbarimit të punës së kuvendit në një konferencë për medie ka thënë se gjatë këtij kuvendi kanë pranuar edhe 20 anëtarë të rinj në këshillin e përgjithshëm, ku në mesin e tyre janë 11 femra dhe 9 meshkuj. Ndërsa para medieve ai ka thënë se ish-presidenti Fatmir Sejdiu është i treti në këshillin e përgjithshëm të LDK-së, i cili sipas tij është njëri nga anëtarët që ka punuar dhe kontribuar për këtë subjekt politik.

I pyetur se përse janë larguar nga këshilli Ramosaj dhe Kamberaj, kreu i LDK-së ka thënë se nuk kanë përfaqësuar degët e tyre dhe këtë e ka marrë parasysh komisioni i partisë. ” Në bazë të normave të reja statutare kemi zvogëluar numrin nga 107 anëtarë në 99 sish. Kështu që një pjesë që ka qenë aty dhe gjithmonë nuk i përfaqësojnë degët e tyre ka qenë orientimi të mos jenë. Ose një pjesë e anëtarëve që vijnë nga diaspora të cilët kanë qenë të mbipërfaqësuar, sepse disa degë kanë pasur më shumë njerëz sesa ka vend në këshillin e përgjithshëm nuk janë më. Janë disa prej tyre që nuk kanë qenë aktivë, pra nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, kështu që këto kanë qenë kriteret që komisioni i ka marrë parasysh. Është bërë në mënyrë demokratike, pra është votuar dhe prej 314 anëtarëve 5 kanë qenë kundër dhe 4 abstenuar, ndërsa të tjerët kanë votuar pro. Mund të ketë të pakënaqur, por ne nuk ia mbyllim dyert asnjërit që të angazhohet në organet dhe forumet e LDK-së dhe dëshirojnë t’i bashkëngjiten kësaj partie. Me qenë anëtar i devotshëm i LDK-së nuk do të thotë se duhet të jesh domosdoshmërish në këshillin e përgjithshëm ose në kryesinë e LDK-së”, ka deklaruar Mustafa.

I pari i LDK-së i është kundërpërgjigjur edhe Haxhi Kamberajt duke thënë se me largimin e tyre nuk kanë shkelur statutin dhe ky subjekt politik nuk është pronë e askujt.

“Nuk është përjashtuar nga partia Haxhi Kamberaj, por vetëm nuk do të jetë pjesë e këshillit të LDK-së, sepse nuk është pjesë e degës së Gjakovës”, ka deklaruar Mustafa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu