Ramush Haradinaj, Naser Kelmendi dhe agjenti 000

0
773

 

Vet i treti, në Gjermani do t’i kalojë katër ditë. Do ta vizitojë edhe zyrën e Angela Merkel. Me gruan më të fuqishme të botës nuk ka asgjë të përbashkët, pëveç që të dy janë të lindur në muajin Korrik dhe momentalisht që të dyve po ua “gjurmojnë” të kaluarën.  Këto ditë në Gjermani po shkruhet për një libër të ri me titull “Jeta e panjohur e Angela Merkel në Gjermaninë komuniste”, ndërsa në Kosovë për Ramushin po flitet si për Naser Kelmendin.

Gjermanëve do t’ua shpalos planin e tij se çfarë do të bëjë me Kosovën pasi që të bëhet kryeministër. Një pjesë të programit e shpalosi pardje (10 Maj), në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Tha se 30 ditët e para të qeverisjes së tij do t’i kalojë së bashku me shokët e tij në pastrimin e Kosovës nga bërlloku. Shumë mirë. Paqja e rreme që e arriti me Thaçin pas kthimit të tij nga Haga përfundoi pardje. Paqen e rreme nuk e prishi Ramushi. E prishën “ushtarët” e Thaçit.
Thaçi ishte në Stamboll, kur Ramushit ia botuan një shkrim me titullin bombahedhës: “Obama: Haradinaj në lidhje me Naser Kelmendin”.
Shkrimi pa gazetar (autor), që nuk ka asnjë referencë, as raportin e presidentit Obama, thotë se në raportin e Departamentit Amerikan të Thesarit, të datës 4 qershor 2012, thuhet se, ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, ka patur lidhje të afërta me të dyshuarin për kontrabandë ndërkombëtare të drogës, Naser Kelmendin.  Në raportin zyrtar të Departamentit Amerikan të Thesarit, thuhet se: “Presidenti amerikan, Barack Obama, ka njoftuar Kongresin për sanksionimin e Naser Kelmendit, sipas ligjit Kingpin, i cili implementohet nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Jashtme të Departamentit amerikan të Thesarit”. (kjo fjali është e vërtetë. Shih dokumentin si dëshmi),  http://www.whitehouse.gov/the-press-office/2012/06/01/letter-president-regarding-sanctions-foreign-narcotics-kingpins.
Por, autori fantazmë i shkrimit duket të jetë jashtëzakonisht i fantast që për nevojat e rivalitetit politik të Kosovës, ia shton raportit do fjali të vetat, dhe guxon të flas (pa emër), në emrin e presidentit Obama, pa fakte, kur thotë se “në raportin e presidentit Obama thuhet se Naser Kelmendi ka lidhje edhe me biznesmenin kosovar, Ekrem Lluka, me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me malazezët, Rok Stanaj dhe Safet Kalic”. Ky “zbulim”, fjalë për fjalë është nxjerrë nga raporti i OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project) , dhe në origjinal thotë: “OCCRP has written extensively on Kelmendi publishing police reports connecting Kelmendi with two of Bosnia’s best known wartime military leaders, Naser Oric, a former commander of the defense of Srebrenica, and Nihad Bojadzic, Colonel of the Army of BiH. His best man is Muhamet Gasi, suspected of being a “capo of the Albanian mafia in Bosnia.” He is also reportedly connected to Kosovo businessman Ekrem Luka and former Prime Minister Government of Kosovo, Ramush Haradinaj, as well as Montenegrins Rok Stanaj and Safet ‘Sajo’ Kalic.”.
“Organized Crime and Corruption Reporting Project”, e themeluar më 2006, është një koncorsium i qendrave hetuese, me gazetarë dhe media në Evropë, Kaukaz, Azinë Qendrore dhe Meksikë. Ramush Haradinaj nuk ka media të vetat, prandaj në emrin e tij Avni Arifi u tha mediave të “tyre” që “Kurrë në jetë nuk e kam njohur Naser Kelmendin. Kurrë në jetë nuk e kam takuar. Kurrë në jetë nuk kam folur me të. Për herë të parë kam dëgjuar për të kur kohëve të fundit,ka dalë në media”.  Partia e Ramushit thotë se këto shkrime janë të ndikuara nga agjenturat e huaja. Por, kjo fjali e tyre nuk mjafton për t’u sqaruar, prandaj opinioni publik mbeti pa mend. E paramendoi Ramushin si bashkëpunëtor të krimit.  Shqiptarët i besojnë Obamës më shumë se Ramushit dhe cilitdo shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë.
Në deklaratën e AAK-së thuhet se këto agjentura kanë nisur që të punojnë kundër Haradinajt që kur ai ishte në proces gjyqësor në Hagë.  Meqenëse shkrimi pa gezatar (autor), e përmendi Obamën me emër, Ramushi u fundos edhe më thellë në padijen e tij për t’u mbrojtur.  Se, përveç që përfytyrimi i tij në pasqyrën e Obamas u duk i rrezikshëm, u bë edhe qesharak. A po e quan Obamën kryeagjent?
Çfarë! Ramushi e di saktë për kë e ka pasur fjalën por nuk ia merr mendja që edhe një herë të buças si atëherë nga stadiumi i Prishtinës, kur ua shau nanat “komandantëve të Bllacës”.  Nuk e lënë të kënaqet, pasi që një ditë më parë gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung botoi një shkrim deri diku afirmativ për Ramushin me titull “Vallëzimi në Ballkan”.  E tipizuan si një figurë të çuditshme, më shumë folklorike, por kundërshtarëve të tij iu duk shumë ky tipizim i gazetës gjermane për rivalin e tyre, prandaj ia morën edhe këtë shkrim dhe e botuan me titullin “Haradinaj: Qeveria Thaçi është OK”.
Po luajnë me Ramushin, e “mbytën”. Po mirë po ia bëjnë. Ky e meriton ta “tradhtojnë”, sepse prej se është kthyer nga Haga po sillet si “ndërruar”, tash “komandantët e Bllacës” po i duken të mirë. Ramushi po sillet si nëndegë e PDK-së. Për Hashim Thaçin, gazeta amerikane The New Yorker ditë më parë botoi një shkrim me titull origjinal, “Are Kosovo’s Leaders Guilty of War Crimes?”, që kur e botuan të shkurtuar në shqip këtë shkrim të gjatë, ia vunë një titull simpatik, bazuar në idenë e Fransua Fitou, “Hashim Thaçi ishte Mik Jageri i UÇK-së”, që do të thotë se Hashim Thaçi ka bërë në UÇK, luftë kundër luftës.
Se Mick Jager, dihet, ka qenë kundër luftës në përgjithësi, dhe sidomos kundër luftës së Vietnamit.
Ata që nuk e lexojnë origjinalin e shkrimit, krijojnë përshtypje që Thaçi ka qenë avant-garde e UÇK-së, por ata që e kanë lexuar në original shkrimin e kuptojnë se aty në atë shkrim kërkohet përgjigja në pyetjen se “a ka ndodhur trafikimi me organet njerëzore në shtëpinë e verdhë, apo jo”.  Në këtë shkrim nuk u kërkua përgjigja edhe në pyetjen: Pse Hashim Thaçi nuk e ka publikuar listën me emrat e shqiptarëve që i kanë ndihmuar Dick Marty-t që ta përpilojë raportin më famkeq në historinë e shqiptarëve.
Thaçi nuk e mbajti fjalën as kur tha se i di emrat e atyre shqiptarëve që e ndihmuan Marty-n dhe do t’i publikojë ata emra, por nuk e mbajti fjalën as kur tha se do ta padisë Marty-n. Asnjë fjalë nuk e mbajti sa i përket tregtisë me organe. Heshti. Dhe, ende po hesht. Pse? Ndoshta e dinë vetëm anëtarët e listës incognito të Thaçit, që i ndihmuan Marty-t për ta “varrosur për së gjalli” Thaçin. Por, ish-kryeministri momentalisht i ka punët më mirë se kryeministri.Se, kryeministri është nën hetime, e ish-kryeminishtri u shpall i pafajshëm.
Shkruan: Kimete Berisha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu