Ramush Haradinaj, rigjykim për asgje

0
792

Pothuajse katër muaj kaluan që kur filloi rigjykimi në mes të muajit gusht, ndërsa qëllimi i deklaruar ende nuk është arritur, për shkak se asnjëri nga dy dëshmitarët nuk dha dëshmi gjatë fazës së ndjekjes penale, që përfundoi më 25 nëntor. Kjo kishte për qëllim që t’i japë kohë prokurorisë deri më 13 shkurt të sjellë dëshmitarin e fundit të pavullnetshëm para përfundimit të gjykimit, që pritet në muajin shkurt. Në deklaratën hyrëse, avokati mbrojtës i Haradinajt, Ben Emmerson, madje e quajti rigjykimin edhe “artificial”. “Ja ku jemi edhe njëherë mjaft afër qëndrimit të njëjtë”.

Haradinaj është ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të shqiptarëve etnik që luftoi luftën për pavarësinë e Kosovës kundër forcave të sigurisë së Serbisë, në vitin 1998. Ai akuzohet, së bashku me vartësit e tij Idriz Bala dhe Lahi Brahimaj, për krimet kundër civilëve romë, shqiptarë dhe serbë në qendrën e paraburgimit të UÇK-së në Jabllanicë, në Kosovën perëndimore, duke përfshirë vrasjen dhe torturën.

Në fund të gjykimit të parë të mbajtur në vitin 2008, gjykata liroi Haradinajn dhe Balajn nga 37 akuzat për krime dhe dënoi Brahimajn me gjashtë vjet burgim. Vitin e kaluar, Dhoma e Apelit urdhëroi rigjykimin e pjesshëm pasi që gjyqtarët e procesit gjyqësor “kishin dështuar në sigurimin” e dëshmive nga dy dëshmitarët kryesorë “kështu duke i pamundësuar prokurorisë mbështetjen vendimtare të rastit të tyre”.

Arsyeja e qartë për këtë zbrazëti të gjatë në rigjykim është synimi i vazhdueshëm dhe kokëfortë i prokurorisë që të paraqesë një nga dëshmitarët e saj, të njohur vetëm si PË-80, që përfundimisht të dëshmojë.

Në kërkesën e fundit për lirimin e përkohshëm më 29 nëntor, mbrojtja e Haradinajt deklaroi se “për shkak të refuzimit për të dhënë dëshmi në gjykimin fillestar dhe gjatë rigjykimit”, PË-80 “përballet me procedurën gjyqësore për mospërfillje të ICTY-së”. “Nuk ka pasur indikacione se ai ka ndryshuar mendjen dhe se do të dëshmojë”, deklaroi mbrojtja.

Dëshmitari tjetër “kryesor”, Shefqet Kabashi, u paraqit para gjykatës në fillim të rigjykimit dhe vetëm përsëriti se ai nuk mund të dëshmojë për arsye të cilat nuk mundet dhe nuk dëshiron t’i tregojë. Kabashi më pas u dënua dhe mbajti dënimin prej dy muajve për mospërfillje të gjykatës në gjykimin fillestar. Ai nuk u përball me akuzat për mospërfillje për refuzim të dëshmisë gjatë rigjykimit – së paku publikisht.

Nuk u shtua asgjë e re

Tetë dëshmitarët tjerë të prokurorisë që dëshmuan gjatë rigjykimit, në mesin e të cilëve ishte një polic serb, të burgosurit e Jabllanicës dhe oficerët e UÇK-së, nuk shtuan pothuajse asgjë të re gjykimit fillestar me dëshmitë që i dhanë. Megjithatë, i nënti, që dëshmoi për herë të parë në nëntor nën pseudonimin e mbrojtur PË-081, ofroi atë që duken dëshmi okulare të hollësishme dhe të tmerrshme rreth vrasjeve të urdhëruara nga Haradinaj dhe torturave, përfshirë prerjen e veshëve dhe nxjerrjen e syve të të burgosurve, nga Bala dhe Brahimaj.

Rezultoi se, PË-081 vazhdimisht ndryshonte pjesën thelbësore të dëshmisë së tij: se cili nga të akuzuarit, çfarë i kishte bërë cilit të burgosur.

Për dallim nga sugjerimi i avokatit mbrojtës se ai “kishte shpikur” tërë rrëfimin, në emër të shërbimeve serbe të sigurimit, dëshmitar, që thuhej se ishte ish-ushtar i UÇK-së, tha se deklaratat e tij kundërthënëse në Beograd ishin bërë “nën stres”, sepse ishte i “frikësuar” nga policia serbe.

Përkundër frikës së dëshmitarëve të prokurorisë, sikurse e theksuan gjyqtarët në aktgjykimin e parë, një nga tiparet më të rëndësishme të këtij gjykimi është e pretenduara, nënkuptuara apo e perceptuara “dorë e zgjatur” e UÇK-së.

Duke folur së fundi me gazetarët, kryeprokurori i tribunalit Serge Brammertz theksoi se “frikësimi i dëshmitarëve” dhe “mbrojtja e dëshmitarëve” janë “çështje kryesore”. “Është një rast shumë i vështirë. Këtu shihen edhe kufijtë e hapave që mund t’i ndërmarrim, tha Brammertz.

Nga ana tjetër, ekipi i mbrojtjes vazhdimisht ka mohuar çfarëdo lidhjeje me frikësimin e pretenduar të dëshmitarëve, duke sugjeruar se disa nga dëshmitarët i përdorin këto pretendime për të mbuluar gënjeshtrat e tyre. Gjatë vendosjes për kërkesat e ndryshme për lirim të përkohshëm të Haradinajt, që nga viti 2005, kolegjet e ndryshme gjykuese të ICTY kanë konstatuar se ai nuk paraqet rrezik ndaj dëshmitarëve ose viktimave.

Sidoqoftë, në vendimin e tij të fundit të marrë në muajin korrik, dhoma e apelit ka mohuar kërkesën për lirim të përkohshëm mbi bazën se prania e Haradinajt në Kosovë, do të “mund t’i kontribuonte krijimit të atmosferës së pafavorshme për dëshmitarët”.

Duke argumentuar se të gjithë dëshmitarët tashmë kishin dhënë dëshmitë e tyre, përveç dëshmitarit të fundit, i cili nuk ka treguar vullnet për të dhënë dëshminë, në nëntor Haradinaj përsëri ka aplikuar për lirim të përkohshëm “për një periudhë të shkurtër kohore” gjatë pushimeve të fundvitit, pas 16 muajve të paraburgimit. Vendimi ende nuk është marrë.

Sa i përket rezultatit të rigjykimit, përfundimi i rastit të prokurorisë do të mund të nënkuptonte përmbyllje të shpejtë të këtij procesi. Por, kjo varet nga ajo nëse avokatët mbrojtës të Haradinajt vendosin të mos parashtrojnë dëshmi të reja mbrojtëse, sikurse kanë bërë në gjykimin e parë.

(Radio Netherland Worldwide/indeksonline)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu