Raporti për Bonapartin më 1797: Himara ka 19 fshatra

0
792

Dimo dhe Nikolo Stefanopoli janë dy korsikanë prej familje maionote të Moresë të ikur pas aventurës së Orlovit në More për të shpëtuar nga persekutimet e Tyrqisë. Plaku Dimo, që është mjek dhe botanist, po vente në Greqi të mblidhte një bar të vlefshëm kundër rreve, krimbave të zorrëve, mbi zallin e detit Jonian. Tre nipër të tij e shoqërojnë, po dy mbesin në Korfuz dhe vetëm Nikolo mbetet gjer në fund misionit.
Të dy udhëtarët nisen nga Parisi më 1797 dhe vizitojnë Morenë dhe të Shtatë Nisitë. Pjesën më të madhe të dy vëllimeve (shkruar prej një të treti dhe jo vetë prej udhëtarëve sikundër që e rrëfen dhe titulli) e zë rrëfimi i Moresë. Por, misioni i Stefanopolit plak ka edhe një qëllim politik: Në Milano. Dimua piqet me gjeneralin Buonaparte, imperatorin Napolon të pritmit, (të ardhshem-red) i cili thotë se: “Nuk është mjaft të kërkoni barëra në nisitë e Levantit; ka edhe një punë më të dobishme që mund të bëni: Të përhapni farën e lirisë së vërtetë, t’i bëni bijtë e Greqisë të denjë për stërgjyshët e tyre dhe për kombin e madh që u theu zinxhirët e tyre; mbase edhe mund po s’ka ardhur akoma koha”.
Mbi këto porosi verbale Bonaparti i jep Dimos edhe urdhrin e shkruar, datuar 12 Thermidor, moti 5 i Republikës, të cilin po e japim përkthimin në integritet të tij:
“Do të veni me karrocë në Ankonë dhe atje do t’i hipni korvetës që po arrin nga Korfuzi dhe së cilës po i jap urdhër të niset sakaqëherë.
Në Korfuz do të shihni gjeneralin Gentili, që komandon nisinë: Do të kërkoni bimët detare, punë e cila ka bërë objektin e parë të nisjes suaj nga Parisi. Do të veni në Shqipëri ku do të rrini disa ditë për të marrë lajme mbi situatën politike të mendimeve dhe njerëzve në ato anë. S’andejmi, bashkë me shtetasin Arnaud, do të veni tek beu i Mantës. Do t’i bëni të fala nga ana ime; do t’i jipni letrën këtu bashkuar dhe do të përktheni nëqoftë e nevojshme. Para se të nisi nga Korfuzi, do të më dërgoni gjithë informatat që do të keni marrë në atë anë të Greqisë”. “Buonaparte”
Shpenzimet e udhëtimit u bënë prej gjeneralit Buonaparte dhe Dimo arriti në Korfuz, ku natën në mes të kësaj nisjeje dhe të Qefalonisë, dëgjoi gjëmime topash: “Ali pasha, që komandonte pjesën e Shqipërisë të situatur (të vendosur-red) ndërmjet të dy mëngave të Prevezës dhe të Lepantit, kishte marrë leje nga gjenerali i Francës që të dalë në det me tri anije, gjë që s’e kishte obtenuar (marrë, fituar si të drejtë-red) kurrë prej venecianëve; nxorri artileri në tokë dhe ra befas mbi Himarën, i shpërndau banorët, të cilët në këtë mënyrë humbën për herën e parë lirinë dhe i u sul pashait të Delvinës…”.
(Është për të vënë re se Dimo Stefanopoli, një grek, e quan Shqipëri vendin që sot thuhet Akarnani dhe në kohët e moçme barte emrin Epir) Në More, Dimo me Nikolon piqen me beun e Maines, i cili u rrëfen tradhtinë e Orlovit, ardhur si për të shpëtuar Greqinë po që i la në mes dhe i harroi grekët; beu i Maines rrëfen keqbërjet e një qind e pesëdhjetë mijë shqiptarëve që u sulën mbi Morenë duke shkretuar vendin dhe shfarosur popullsinë dhe qysh, tre vjet pas aventurës së Orlovit, erdhi Hasan Pasha për të ndjekur dhe përzënë këta shqiptarë.
Tekdo në të Shtatë Nisitë në Morê, ungji dhe nipi bëjnë propagandën e lirisë, flasin për parimet e revolucionit të Francës dhe mbi zaptimet e mrekullueshme të gjeneralit Buonaparte. Bashkë me historinë e fjalimeve të tyre, udhëtarët përshkruajnë edhe vendin, japin hollësina për popullsinë dhe jetën e tyre dhe i riu Nikolo nuk mëson të ndjejë në zemër të tij shigjetat e amorit.
Një pjesë e madhe e vëllimit të parë dhe afër gjer te mezi i vëllimit të dytë shkon me Morenë; pastaj të dy Stefanopolet nisen për në Zante dhe arrijnë në Prevezë. Këtu duhet të ekzekutojnë misionin që i ka ngarkuar gjenerali i Francës për shqiptarët. Por, Dimo që ka marrë një ide të keqe për këtë racë nga sjelljet e saj pas kryengritjes së Moresë, ka mosbesim kundër njerëzve të Shqipërisë dhe informohet pranë grekëve që gjen në Prevezë.
Dimo na mëson se, Shqipëria është një vend i gjerë, banuar prej turqish dhe grekësh, fjalë me të cilat padyshim qëllon të thotë myslimanë dhe ortodoksë; “Popullsia e saj do të ishte një mrekulli, sikur çdo mëmë të mos u jipte sisë bijve të saj. Natyra e despotëve të vegjël i shtyn të kërkojnë të marrin në dorë autoritetin suprem dhe kështu pashallarët e Shqipërisë janë kurdoherë në luftë midis tyre ose kundrejt sulltanit, me një mënyrë që populli ka gjithnjë armët në dorë. Mos pandehet se në shqiptarët s’ka njerëz që s’dinë të mbrojnë të drejtat e tyre…” “Fryma e përgjithshme e banorëve të Shqipërisë është ndarë, si dhe vetë ata, në dy pjesë, e myslimanëve dhe e të krishterëve. Të parëve u pëlqen të rrojnë në parregullsi, pa ligj, pa dritë, të dytët, meqenëse nuk durojnë dot më zgjedhën që po i shtyp, tani rrinë në mbrojtje për të prapsur hajdutërinë e vagabondëve të armatosur të cilët mjerojnë paprerë vendin; prandaj të krishterët janë gati t’i ndihmojnë çdokujt që do të paraqitet për të zaptuar Shqipërinë: prandaj edhe gëzimi i tyre ka arritur në kulm qëkurse francezët kanë marrë nisitë joniane”.
Pas Prevezes Dimo vete në Korfuz dhe s’andejmi kthehet në Francë, gjysëm i verbuar prej një katarakti dhe pjek gjeneralin Buonaparte në Paris, të cilit i jep një raport për misionin e mbaruar. “Duke udhëtuar në Lindje sipas instruksioneve që më dhatë në Milano, pata rastin të frekuentoj banorët e Moresë, të Shqipërisë, të Rumelisë dhe, indirekt, ata të Stambollit: Dragoman i dëshi-rave të tyre po vij edhe unë t’ju paraqit nderimet e tyre dhe t’ju them me sa padurim po ju presin që të veni në ato anë…”.
Mbi këtë pason një raport i titulluar “Lajme të marra mbi Shqipërinë, Rumelinë dhe Morenë”, raport i paraqitur në gjuhën italiane po i shoqëruar me përkthimin frëngjisht në libër.
“Shqipëria ndahet në dy pjesë: Njëra është kufi me Dalmatinë dhe banohet prej myslimanësh dhe të krishterësh katolikë; këta të fundit formojnë fuqinë e pashait të Shkodrës. Por, duke qenë shtypur prej një zgjedhe që po u bëhet çdo ditë më e padurueshme, janë gati të bashkohen me të parin në pushtet të krishterë që do të paraqitet për të zaptuar vendin. “Banorët e Grykave të Kotorrit janë dhjetë mijë njerëz që mund të luftojnë. Tani janë nën urdhër të Perandorit. Në mes banorëve të Malit të Zi ka pothuaj njëzet e pesë mijë njerëz, gjithë independentë, armiq për vdekje të tyrqve; edhe ata të Kataros dhe malazezët janë ortodokse. Këta popuj luftëtarë okupojnë kufirin e Dalmatisë nga deti e në malet. Malazezët janë kurdoherë gati të shqetësojnë tyrqit kur këta gjenden në luftë me ndonjë pushtet. “Tjetra pjesë e Shqipërisë fillon në Vlorë, që është një qind milje larg prej kufisë së Dalmacisë dhe shtrihet gjer në istmin e Moresë. Gjithë ky vend, gjatësia e të cilit është gati dyqind milje, është banuar prej tyrqish dhe grekësh. Këta të fundit formojnë të paktën gjashtë të shtatat e popullsisë. Gjithë ky vend është sunduar prej pesë pashallarëve që janë në luftë midis tyre. Më i pasuri dhe më i forti është Ali pasha. Po përpiqet të bëhet despoti absolut i Shqipërisë. Ka mundur dy prej kolegëve të tij pashanë e Delvinës, në vend të cilit vuri të birin dhe atë të Vlorës. Ky u mund dhe hyri nën urdhër të Ali Pashës dhe tani pa kërkon të bashkohet me pashallarët e tjerë që të mund t’i kundërqëndrojë forcave të Ali pashës”. “Himara ka nëtëmbëdhjetë katunde, me afër dhjetë mijë njerëz, që mund të bartin armë, gjithë ortodoksë dhe independentë që tre vjet e tëhu. Megjithëkëtë, tani janë shtrënguar t’i shtrohen fuqisë së Ali pashës. Ky sot rri në Janinë, qytet me tridhjetë mijë banorë, prej të cilëve dy të tretat janë të krishterë. Nën urdhër të tij janë treqind katunde, të gjitha të banuara me të krishterë, një qindmijë njerëz, që mund të mbajnë acme në total, duke nisur nga Preveza, që e kanë francezët dhe duke vajtur në Sul, gjashtë orë nga Preveza dhe banesa e një populli të lirë dhe të, Narta, që është në fund të mëngës së Prevezës, Janina dhe gjithë vendi ndërmjet mëngëve të Prevezës dhe të Lepantit gjer te istmi i Moresë që quhet Rumeli, nxjerrë treqind mijë ushtarë të krishterë dhe dyzet mijë myslimanë. Këta janë nënshtetasit e shtruar tek urdhri i Ali Pashës. “Gjithë këto informata janë rezultati i bisedimeve që kemi pasur me të parët e këtyre vendeve. Na thanë mjetet që kanë për t’ju ndihur, në qofte se ti, o gjeneral, shtin sytë mbi këtë komb që lëngon prej shumë shekujsh nën zgjedhën me tiranike që është parë gjermë sot. Në qoftë kështu, po ju paraqitim një plan që do t’ju mësojë sa është për t’u dhënë lirinë gjithë këtyre popujve të Levantit”. Pas këtij raporti mbi Shqipërinë Stefanopoli flet për mënyrën e zaptimit të Moresë, pastaj jep informata mbi Mainen, mbi të Shtatë Nisitë e hyra nën sundimin e Francës dhe në faqe 187-188, me titullin Vërejtje, shton:
“Veç këtyre nisive Franca pronon (zotëron-red) katër pika mbi zallin e Shqipërisë: Butrinti, Parga, Preveza, Vonica. Butrinti është gjashtë milje nga Korfuzi: Është një vend i vogël me një kështjellë dhe disa familje.
Parga është një qytet i pazaptueshëm prej pozitës së tij, dyzet milje prej Korfuzit. Banorët e tij janë formuar vetëm prej treqind familjesh: S’kanë tokë të tyre; punojnë dheun e myslimanëve. Preveza është larg nga Korfuzi shtatëdhjetë milje; është mbi mëngën që mban tërë atë emër. Ky qytet ka katërmbëdhjetë mijë banorë dhe po shtohet çdo ditë me familje që vijnë dhe kërkojnë mbrojtje nga zgjedha e Tyrkut. Vendi s’është i proporcionuar me popullatën. Thuhet se Tyrku, kur u themelua qyteti, kishte dhënë aq tokë sa mund të marrë një kalë në një orë. Sot vendi i qytetit duket fort i ngushtë. Prevezën e ruan një kështjellë e vogël dhe disa njerëz me armë që thirren armatolë; kështu ngjanë edhe në gjitha anët e Shqipërisë. Vonica është një vend i forcuar me një qytet të vogël. Dheu i saj është pjellor dhe i madh gjashtëdhjetë milje. Gjendet situatur (i vendosur-red) mbi mëngën e Nartës, që thuhet ndryshe edhe mënga e Prevezës”.

 

Nga, Mit’hat Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu