Rasti ‘Brezovica’, Prokurori: Pronarët që s’janë përfshirë në vepra penale mund ta padisin Shtërpcën për kompensim

0
176

Numri i lartë i ndërtimeve të kundërligjshme të Brezovicës ka bërë që prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku të dalë në inspektim me inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, inspektoratin e Komunës së Shtërpcës, Agjencinë Kadastrale si dhe Agjencinë për Planifikim brenda Agjencisë për Mbrojte të Mjedisit në mënyrë që të përcaktohet saktë se cilat objekte janë ndërtuar në Zonën III e cilat në Zonën II.

Nga ky inspektim thotë se 75 objekte janë të ndërtuara në Zonën e Dytë, zonë kjo që nuk lejohet ndërtimi.

“Të gjitha janë kategori të vilave, i kemi sekuestruar në një aksion që ka ndodhur në datën 11-12 tetor të vitit 2021”, ka thënë Maloku.

Ai tha se qytetarët të cilët kanë blerë villa në këtë zone, duke mos i ditur rrethanat, do të kenë të drejtë që të padisin Komunën për kompensim të dëmit në rast që nuk kanë qenë të përfshirë në vepra penale.

Prokurori Maloku, theksoi se në vitin 2016 inspektorati i Ministrisë së Mjedisit kishte urdhëruar inspektoratin komunal që ti anuloj lejet ndërtimore për disa villa që kishin nisur të ndërtoheshin në këtë zonë, mirëpo përkundër kësaj ato kanë vazhduar të ndërtohen.

“Por çfarë ka ndodhë, për shkak të veprimeve korruptive të zyrtarëve por edhe të investuesve ato objekte prapë janë ndërtu, edhe sot edhe ato janë sekuestrua, të këto raste kemi dy elemente; elementin penal dhe elementin pasuror”, është shprehur Maloku.

Tutje, ai tha se në portale është shkruar se ka tendenca ndaj investuesve qoftë vendor apo jashtë, mirëpo sipas tij ky hetim nuk është politik, por është puro penal duke shtuar se ka pasur investues që janë tërhequr për shkak të keqpërdorimeve.

“Një investues nga Shqipëria që është me emër “Lajthiza”, që ka tentu të ndërtojë në këtë Zonë, për shkak të veprimeve korruptive sepse iu kanë kërku 200 mijë euro nga ish kryetari i Komunës ai është tërheqë nga investimi dhe projekti i tij ka qenë të investojë në një fabrikë të ujit dhe të punësojë të paktën 50 punëtorë të komunitetit serbë”, theksoi Maloku në një intervistë për ‘betimiperdrejtesi’.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu