Rasti “Monstra”, zbardhen detaje kundër akuzës

0
743

Shkup, 9 janar – Në Gjykatën Penale Shkupi 1 sot ka nisur procesi gjyqësor për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Aktakuza e ngritur ngarkon për vepër terrorizëm dhe vrasjen e kryer Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Azirin, Rami Sejdinin si dhe Haki Hazirin për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Dy të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në arrati.

Agim Ismailoviq ka thënë se ditën e vrasjes ka qenë në xhami, në lagjen Hasanbeg të Shkupit, dhe se nuk ka të bëjë aspak me akuzën e ngritur ndaj tij. Ai më pastaj ka shtuar se nuk njeh aspak dy të akuzuarit e tjerë Fejzi Aziri dhe Rami Sejdini, ndërsa me Alil Demirin ishte njohur përmes vëllait të tij dhe se të tre kishin punuar në një internet kafe. “Në ditën e krimit unë kam qenë në xhami rreth orës 18 dhe 19, ndërsa më pas kam shkuar në punë në ndërrimin e natës, ku kam punuar deri në orën 4 të mëngjesit”, ka theksuar Agimi, raporton agjencia e lajmeve Ina.

Ai ka hedhur poshtë dëshmitë e prezantuara nga dëshmitari i mbrojtur me kodin E1, se në datat 9, 10 , 11 dhe 12 prill në orën 18:30 ka qenë tek Liqeni i Smilkovcit, ku ka ndodhur vrasja e pesëfishtë. Dëshmitari E1 ka dëshmuar për Agimin se ka pasur mjekër, por Agimi ka dëshmuar se ai asnjëherë në jetën e tij nuk ka pasur mjekër dhe se përshkrimi i tillë është shpifës.

Agimi gjithashtu ka përgënjeshtruar edhe dëshmitë e dhëna nga i akuzuari tjetër Haki Aziri, i njohur më parë si dëshmitari i mbrojtur dhe më pas i zbuluar, që doli si i akuzuar nga prokuroria. “Unë i hedh poshtë si të pabaza deklaratat e Haki Azirit se në ditën kritike në orën 18:30 më ka marrë nga shtëpia Haki Aziri dhe më ka dërguar në Fushën e Topanes, dhe më pas është larguar gjoja nga vetura. Këto deklarata nuk janë të Hakiut, por janë shkruar nga prokuroria”, ka theksuar Agim Ismailoviq.

Ai gjithashtu ka dëshmuar se vëllanë e tij nuk e ka parë që nga fundi i prillit, pasi që ai gjatë prillit ishte fshehur nga policia, për shkak se ndaj tij kishte pasur vendim gjyqësor për vuajtjen e një dënimi me burg prej një viti.

I dyshuari tjetër për vrasjen e pesëfishtë dhe i akuzuar nga Prokuroria, Fejzi Aziri ka deklaruar para trupit gjykues se në kohën kur ka ndodhur kjo vrasje ai ka qenë në fermën e tij dhe se ka pasur disa aktivitete ditore.

Ai në detaje ka përshkruar lëvizjen e tij gjatë tërë ditës së 12 prillit, kur ndodhi vrasja e pesëfishtë. “Në mëngjes kam qenë në gjykatë, pasi që kam pasur një proces gjykimi për një sulm të armatosur në vitin 2009, që kishte ndodhur tek ferma në Belimbegë, për të cilën vepër isha i akuzuar edhe unë. Pasdite kam qenë në komunën e Ilindenit, ku jam takuar me kryetarin e Komunës, Zhika Stojanovski, dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, në ceremoninë e ndarjes së vendimeve për legalizimin e objekteve. Gjatë kësaj ngjarje kam pasur rastin të bisedoj shkurtimisht me ministrin Janakievski lidhur me punët bujqësore dhe aktivitetet e mia”, ka rrëfyer Aziri.

Ai gjithashtu theksoi se në këtë ceremoni kishte marrë mirënjohje nga kryetari i Komunës së Ilindenit për bashkëpunim, duke shtuar se në orën 17:30 kishte shkuar në fermën e tij, pasi që kryetari i Ilindenit dhe një mik i tij e kishin lutur që t’ju japë ndonjë qengj për festën e Pashkëve. “Në fermë kam kaluar periudhën kur ka ndodhur vrasja në Smilkovc, ndërsa në orën 21:30 kam qenë tek një i njohur, për çështje të një borxhi, ndërsa pas orës 23 kam fjetur në shtëpinë time”, ka thënë Aziri, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura në aktakuzë.

Ai ka theksuar se të akuzuarit Alil Demiri dhe Haki Aziri janë nipër për nga motra dhe vëllai, dhe se me ta deri në muajin prill as që kishte kontaktuar shumë, por vetëm në raste kur ka pasur nevojë për ngarkesa apo shkarkim të mallrave në fermë.

Lidhur me tokën pranë lumit Smilkovc, Aziri ka theksuar se ka pronën me koncesion në këtë lokalitet dhe se 10 për qind e liqenit artificial ishte pjesë e tokës së tij. Ai dhe Agim Ismailoviq kanë hedhur postë akuzat se kanë qenë në Afganistan apo në ndonjë vend tjetër arab.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu