Rasti PTK: Drejtori Haxha implikon kryeministrin Thaçi

0
791

Drejtori ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, u ka thënë hetuesve të EULEX-it se është detyruar nga kryeministri Hashim Thaçi që ta nënshkruajë kontratën me kompaninë Dardafon.net.

Gjatë intervistës në fillim të hetimeve që u ka dhënë hetuesve, nënshkrimin e kontratës e cila nga prokuroria është vlerësuar si e dëmshme për PTK-në për çka Haxha është akuzuar, ai ka thënë se e ka bërë si rezultat i presionit nga kryeministri Hashim Thaçi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Burime nga Prokuroria Speciale e Kosovës i kanë thënë gazetës se nënshkrimin e kontratës Haxha e ka arsyetuar me presion nga Thaçi. Ai u ka thënë hetuesve se pak kohë para nënshkrimit të kontratës kishte marrë një telefonatë nga Thaçi, i cili e kishte “këshilluar” që ta nënshkruante kontratën me Dardafon.net për telefoninë mobile virtuale.

“Në kohën kur z. Haxha e ka dhënë këtë intervistë nuk ka qenë nën hetime. Javë më vonë prokurori ka nxjerrë vendimin për zgjerimin e hetimeve edhe kundër z. Haxha dhe kryetarit të Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj”, ka thënë burimi.

Por disa muaj më vonë gjatë intervistës që i ka dhënë prokurorit në cilësinë e të dyshuarit për tri vepra penale, Shyqyri Haxha nuk e ka përmendur presionin e ushtruar nga kryeministri Thaçi. Madje ai e ka mohuar kategorikisht të ketë pasur presion.

Pasi prokurori ia ka lexuar të drejtat dhe është pyetur për shumë çështje nga jeta personale deri në ditën e ardhjes në krye të PTK-së, prokurori special e ka pyetur Haxhën për këtë presion.

“Gjatë hetimit ju keni thënë hetuesve të EULEX-it se keni pranuar një telefonatë nga Hashim Thaçi gjatë së cilës ai ju ka ‘inkurajuar’ që ta nënshkruani kontratën me Dardafon.net. Ju lutëm shpjegojeni këtë”, i ka thënë prokurori ndërkombëtar. Mirëpo Haxha është bërë sikur për herë të parë po dëgjon për këtë

“Kjo është hera e parë që dëgjoj për këtë”, ka thënë Haxha. Ai nuk e ka mohuar kontaktin me kryeministrin Thaçi, por ka thënë se ai i ka telefonuar Thaçit.

“Kam thirrur Hashim Thaçin kur jemi përballur me problemin e Ardianit (Shatkut v.j.), Andy Sparkes (ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, tani zëvendës shef i EULEX-it v.j.) më sugjeroi ta thërrisja Thaçin. E thirra dhe i thashë se imazhi i kompanisë po dëmtohet, sepse kemi mësuar se dy aksionarë kanë probleme. Ai më tha se ky nuk ishte problemi i tij dhe se unë duhet ta zgjidhja atë. Ai nuk deshi të përfshihej në këtë”, i ka thënë Haxha prokurorit dëshminë e të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”.

“Nuk është e vërtetë se Thaçi më ka thirrur në telefon. Kam përjetuar një padrejtësi të madhe gjatë këtij procesi dhe kjo ka qenë qasje e përjashtuar dhe ka nxitur hetimin”, ka thënë ai më tej.

Më 8 qershor Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër njeriut që disa herë është shpallur si menaxheri më i mirë për menaxhim të keq dhe humbje të mëdha të kompanisë që drejton. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe kundër kryetarit të Bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj dhe pronarëve të kompanisë “Devolli”, Blerim e Shkëlqim Devolli, si dhe përfaqësuesit ligjor të kësaj kompanie Ismet Bojku. Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Isabelle Arnal dhe prokurori Joachim Stollberg e kanë finalizuar një hetim mbi njëvjeçar me ngritje të aktakuzës kundër pesë të pandehurve lidhur me një kontratë për operatorin e rrjetit mobil virtual (ORRMV) të lidhur në mes të PTK-së dhe Dardafon dhe transferimin e mëvonshëm të licencës në mënyrë të paligjshme për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009.

Akuzat kundër kryeshefit të PTK-së Shyqyri Haxha dhe kryetarit të Bordit Rexhë Gjonbalaj janë lidhja e kontratave të dëmshme, shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi. Ndërsa akuzat kundër Blerim Devollit, Shkëlqim Devollit dhe Ismet Bojku janë mashtrim, lidhja e kontratave të dëmshme, keqpërdorim i besimit, falsifikimi i dokumenteve dhe krimit të organizuar.

I akuzuari Haxha nuk e ka mohuar e as pohuar deklaratën e dhënë para hetuesve të EULEX-it. Ndonëse pyetjet e gazetës kanë qenë konkrete se për çfarë presioni bëhet fjalë, Haxha ka thënë se ka vepruar plotësisht në përputhje me ligjin.

“Z. Haxha ka vepruar plotësisht në përputhje me vendimin ekzekutiv të Bordit të drejtorëve të PTK-se, hierarkisë se vendimmarrjes, politikave të Korporatës dhe Ligjit për ndërmarrje publike”, ka thënë zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, i cili ka transmetuar qëndrimin e Haxhës. Gazeta ka provuar të hënën të flasë me avokatin e Haxhës, Ramë Gashi, por nuk ka mundur, për shkak se në telefonin e tij nuk ka pasur qasje.

Për dëshminë që ka dhënë para hetuesve financiarë të EULEX-it dhe presionin e ushtruar nga kryeministri Thaçi nuk ka folur as ky mision. Zëdhënësi Blerim Krasniqi ka thënë ka sugjeruar që pyetjet për “presionin qeveritar mbi Haxhën” të drejtohen në PTK ose në Qeveri. Të hënën gazeta nuk ka mundur të marrë një qëndrim nga kryeministri rreth kësaj çështjeje.

“Koha Ditore” ka raportuar javën e kaluar bazuar në aktakuzën e ngritur dhe në shkresat e lëndës në të cilat mungon vetëm dëshmia e dhënë nga Shyqyri Haxha para hetuesve se kryeshefi i PTK-së ishte i ndërgjegjshëm se po e nënshkruan një kontratë të dëmshme për kompaninë që drejton. Sipas prokurorit që nga koha kur kishte ardhur në krye të PTK-së si drejtor menaxhues, Haxha kishte në tavolinë të gjitha provat dhe analizat që tregonin se po të nënshkruhej kontrata ashtu siç ka ndodhur në fakt ndërmjet Postës dhe Dardafon.net kompania publike do të dëmtohej për miliona euro.

Mirëpo gjatë intervistës që i ka dhënë prokurorit, Haxha ka thënë se nuk e ka analizuar kontratën, por vetëm e ka nënshkruar. Ai ka mohuar ta ketë hedhur firmën në çdo faqe të kontratës, por vetëm inicialet Sh.H. “Unë nuk e kam nënshkruar, por vetëm i ka vënë inicialet. Këtë e kam bërë për t’u siguruar që të mos ndërrohet kontrata”, ka thënë ai.

Ndërkohë sipas aktakuzës së plotë dhe intervistave të dhëna në prokurori nga të pandehurit dhe dëshmitarët përfshirë edhe ekspertët, Haxha ishte pajtuar që kjo kontratë të realizohej. Ai madje kishte degraduar dhe iu kishte presion kundërshtuesve të nënshkrimit të kësaj kontratave që ishin angazhuar në një grup punues që njiheshin si Task Force 2 për analizimin e marrëveshjes për operator virtual. Haxha që kishte marrë pozitën e kryeshefit më 14 dhjetor 2008, sipas aktakuzës, kishte kërkuar raportin e Task Force 2 dhe kishte filluar ta studionte atë dhe draftmarrëveshjen për MVNO. “Haxha konsultoi një kompani ndërkombëtare OVUM Consulting mbi çështjen e MVNO, e cila e këshilloi atë se kontrata ishte shumë e pabalancuar për MVNO”, theksohet në aktakuzë.

Haxha kishte konfirmuar se gjatë një takimi me anëtarët e ICO-së kishte pranuar se marrëveshja ishte e dëmshme për PTK-në dhe se kishte një mosmarrëveshje me Andrea Capusselan, por kishte pretenduar se Capussela ishte nën ndikimin e ish-kryetarit të Bordit të PTK-së, Ilir Salihu, aktualisht këshilltar ekonomik në ICO dhe se kishte qëllim shkatërrimin e PTK-së.

Javën e kaluar avokati mbrojtës i Shyqyri Haxhës, Ramë Gashi e ka shfajësuar klientin e tij për kontratën. “Kur Haxha ka marrë postin e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, kontrata ka qenë para nënshkrimit, ndërsa ka ekzekutuar atë që ka miratuar Bordi i drejtorëve të PTK-së”, ka thënë Gashi. Sipas tij Haxha ia ka dalë që të rrisë përfitim për PTK-në për pesë për qind në kontratën me Dardafone.net.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu