Ratifikimi i pushtetit të Serbisë në Kosovë

0
804

Ratifikimi i djeshëm i marrëveshjes Thaçi-Daçiq në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ia hapi derën formalizimit dhe legalizimit të autonomisë së Asociacionit të komunave serbe brenda Kosovës, dhe pushtetit politik të Serbisë përmbi Kosovë, vlerëson nëpërmjet një komunikate Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo marrëveshje, e cila kishte filluar së zbatuari edhe pa u ratifikuar, sipas kësaj lëvizjeje, i prodhoi efektet e para të dëmshme të saj: komandant policie në Kosovë u bë polici i Milosheviqit, dhe bashkëpunëtori i kriminelit Veselinoviq, Nenad Gjuriqi. “Zgjedhjet lokale na i shpalli Daçiqi, ndërkohë që Buxheti paralel i autonomisë tashmë është futur brenda rishikimit të buxhetit të Kosovës”.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, siç thuhet në komunikatë, përdhosi dhe shkeli secilën procedurë dhe rregull institucional e kushtetues në Kosovë.

“Marrëveshjes asnjëherë nuk iu vlerësua kushtetutshmëria as nga Komisioni për Legjislacion e as nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja kaloi vetëm nëpër Komisionin për Legjislacion të Kuvendit pa u shqyrtuar fare nga komisionet tjera, e veçanërisht nga ai për Politikë të Jashtme. Asnjë dëgjim publik për Marrëveshjen nuk pati mundësi ta organizojë Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit me Kryeministrin si kryenegociator dhe me Ministrin për Punë të Jashtme, për shkak të refuzimit të turpshëm dhe gënjeshtar të këtyre të fundit. Ajo nuk i ka as predispozitat themelore të një marrëveshje ndërkombëtare, dhe as që konsiderohet e trajtohet e tillë nga të gjitha palët”.

Këto shkelje procedurale – sipas Vetëvendosjes – janë dhunimi i vërtetë i Kuvendit, demokracisë, përfaqësimit dhe idesë e rendit të Republikës. Sepse, siç vlerëson VV, kjo marrëveshje është goditja më e drejtpërdrejtë dhe më e rëndë drejtuar Republikës së Kosovës (si fund i një procesi që filloi me çmontimin gradual të Republikës në këto negociata me Serbinë dhe për faktorizimin e saj).

“Ne dje kemi protestuar për ta pamundësuar ratifikimin e kësaj marrëveshje. Kemi tentuar që së pari ta bëjmë duke bllokuar hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes sonë për demonstratë dhe i janë bashkuar aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që në orën 9:00 të mëngjesit, për të bllokuar pesë hyrjet kryesore të Kuvendit me trupat tanë. Këtë gjë ne kemi arritur ta bëjmë me sukses, deri në momentin e ndërhyrjeve brutale të policisë ndaj demonstruesve. Gjatë kësaj ndërhyrjeje u arrestuan 68 aktivistë, nga të cilët 10 po mbahen akoma. Jo rastësisht, janë ndaluar edhe disa aktivistë që kanë funksione dhe përgjegjësi shtesë në Lëvizjen Vetëvendosje”, theksohet në komunikatë.

“Veprat e tyre policia i ka cilësuar si shkelje penale, pa dhënë asnjë shpjegim shtesë se çfarë paskan bërë këta aktivistë që na qenka vepër penale”.

“Deri tash kemi dëgjuar sulme të shumta ndaj VETËVENDOSJE!-së për dhunën që e paskemi ushtruar dje. Këto akuza filluan nga ambasadorja Amerikane, Tracey Ann Jacobsson dhe vazhduan me deputetët në Kuvend, e me deklarata për shtyp të Qeverisë, Presidentes, AAK-së, etj. I ftojmë të gjithë këta, por edhe policinë dhe të gjithë përfaqësuesit e mediave që kanë qenë të pranishëm në demonstratën e djeshme që t’i publikojnë të gjitha materialet filmike, fotografitë, dhe çfarëdo materiali tjetër që e dëshmon këtë dhunë dhe këto sulme për të cilat po flasin. Përndryshe, çfarëdo deklarimi i tillë pa kurrfarë dëshmie është shpifje dashakeqe, e papranueshme, tendencioze dhe fëminore. Këta që po thirren në demokraci duhet ta kuptojnë një gjë: protesta dhe angazhimi aktiv paqësor kundër një politike të padrejtë është thelbi i demokracisë. Ndërkohë që shpifja, gënjeshtra, keqpërdorimi i aparatit shtetëror kundër protestuesve janë pjesë përbërëse të shtypjes”, përfundon komunikata. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu