Reagojnë ekspertët: Matja e territorit kërkon dy vjet, aktualisht i humbim 614 hektarë

0
727

Kjo është bërë e ditur nga prezantimi i raportit të Komisionit për Matjen e Territorit, ku janë shfaqur të gjeturat gjatë punës në terren dhe dokumentacioni i mbledhur.

Sipas këtij komisioni, Kosova ka sipërfaqe prej 10 mijë e 906 kilometra katrorë.

Publikimin e këtij raporti e ka mirëpritur deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, që njihet për mospajtimet e tij me procesin e demarkacionit.

“Është lajm i mirë që më në fund është prezantuar ky raport”, ka thënë Bulliqi për Klan Kosova.

“Por, për fat të keq ky komision është bazuar më shumë në bibliografi sesa që e ka kryer punën në terren”.

Bulliqi ka pohuar se komisioni e ka definuar kufirin me Malin e Zi në bazë të një shtylle elektrike.

“Ajo që doli nga raporti është se matja është te një shtyllë elektrike. Nga kjo është definuar kufiri dhe janë edhe tri shtylla të tjera që tash për tash kanë mbetur në territorin e Malit të Zi, sipas burimeve nga zyrtarët e KOSTT-it”.

Komisioni për Matjen e Territorit ka më pak se një muaj që është themeluar dhe për të kjo është kohë shumë e shkurtër që të kryhet ky proces.

“Matja është bërë për më pak se një muaj, mirëpo ky është proces kërkon deri në dy vjet, duke i ditur edhe vijat e jashtme kufitare me shtetet fqinje”.

Bulliqi bashkë me ekspertët tjerë të pavarur kishin paralajmëruar se do të sjellin fakte të reja që tregojnë se Kosova humb territor me demarkacionin me Malin e Zi.

Ai tregon se këtë javë do t’i prezantojnë gjetjet e tyre të reja.

“Kah fundi i javës, ose në fillim të javës tjetër, do të dalim me fakte të reja dhe t’u tregojmë qeveritarëve ku e kanë kufirin e vërtetë”.

Ani pse komisioni prezantoi raportin, atë nuk e ka nënshkruar anëtari Faruk Bojaxhiu.

Bojaxhiu ka treguar për klankosova.tv arsyet pse vendosi që të mos e pranojë atë.

“Bëhet fjalë për 614 hektarë tokë të cilat kanë mbetur jashtë territorit të Kosovës”.

“Pakënaqësitë nuk kanë qenë personale. Unë e kam prezantuar në këtë komision Agjencinë Pyjore të Kosovës”.

“Janë 18 ngastra pyjore – jo kadastrale me sipërfaqe prej 614 hektarëve, që janë të Kosovës, por që nuk janë përfshirë në territor. Bëhet fjalë për sipërfaqen te Zhlebi”, ka theksuar Bojaxhiu.

Ai ka thënë se gjetjet e tyre si Agjenci ua kanë ofruar edhe komisionit të mëparshëm për demarkacion, por edhe këtij aktual të drejtuar nga Hivzi Islami.

Ëdhe një anëtar tjetër nga “Grupi i Ekspertëve të Pavarur” rithekson se Komisioni për Matjen e Territorit nuk është profesional, por politik.

Përparim Ameti thotë për klankosova.tv se ka dhënë kontributin e tij për ta zgjidhur demarkacionin, por jo për kalkulime dhe interesa politike.

“Mali i Zi nuk ka asnjë dokument kadastral përgjatë 32 km të vijës kufitare dhe për mua ky kufi nuk është definuar në tërësi. Momentin që definohet i tërë kufiri mund të ndihmoj me ekspertizën time profesionale”, ka thënë Ameti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu