Rebelohet edhe Flora Brovina

0
740

(E plotësuar) Ashpërsimi i gjuhës së sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi, në raport me bashkëpartiakët e tij që mbajnë pozita të larta në ekzekutivin e vendit, duket se iu ka dhënë “zemër” edhe anëtarëve të tjerë të tij subjekti politik.

Kulmi i arritur në seancën e së enjtes të Kuvendit, ku kryeparlamentari Krasniqi është përplasur me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të cilit përpos që nuk ia ka dhënë fjalën në foltore, gjithashtu e ka cilësuar si “ministër rrugaç”, ka bërë që edhe Flora Brovina, njëra nga femrat më me ndikim në PDK të shprehet e pakënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet partia më e madhe në vend.

Duke iu bashkuar kritikave të Jakup Krasniqit, dhe të nënkryetarit Fatmir Limaj, Brovina ka thënë se, Partia Demokratike e Kosovës në shumë segmente ka devijuar nga rruga e drejtë.

“Kur flas për PDK-në, flas edhe për shumicën e partive, që kanë nevojë për një demokratizim të brendshëm, dhe një komunikim partiak më të madh në mes të anëtarëve të kryesisë dhe anëtarëve në baza. Kjo vlen edhe për PDK-në”, thotë Brovina, duke shtuar se kjo parti prej se e ka marrë pushtetin i ka harruar strukturat partiake dhe funksionimin në bazë të vendimeve që merr kryesia e partisë.

Ajo thekson se kryesia e kësaj partie mblidhet shumë rrallë meqenëse është dhënë pas pushtetit. “Ndoshta një kryesi fiktive, ose dikush në emër të kryesisë thotë kryesia vendosi, por kryesia e vërtetë mblidhet më rrallë”, nënvizon ajo.

Kohë më parë, nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj dhe sekretari i partisë, Jakup Krasniqi patën deklaruar se nuk janë të kënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet kjo parti. Me këtë pohim të tij, pajtohet edhe Brovina.

“Edhe unë jam e mendimit se PDK-ja ka kapacitete të jetë edhe më ndryshe. Ajo duhet t’i shfrytëzojë kapacitet e saj më mirë, të mos i favorizojë njerëzit e dëgjueshëm, por ata që janë kreativë, që i kanë ofruar vazhdimisht kësaj partie kapitalin dhe atë që ajo vlen, njerëzit që e duan partinë dhe nuk kanë interesa. Këtë do ta kisha nënvizuar me të kuqe sepse është kryesorja”, thotë ajo, duke shtuar se prurjet në parti nuk duhet të bëhen sipas interesave të personave të caktuar, por në parti duhet të sillen personat që kanë shumë të përbashkëta me politikën dhe ideologjinë e PDK-së.

“Unë nuk i quaj prurje të reja, sepse prurje ka në secilën parti, por nëse ato janë kuadro, është shumë mirë, por nëse vijnë si interesa atëherë nuk është mirë. Nëse vijnë siç kanë ardhur për interesa personale nuk është mirë, sepse atëherë ata bëhen shumë të urtë dhe bëhen përtej lokalit”, nënvizon ajo.

Krejtësisht ndryshe nga gjendja reale, dy figurat kyçe të Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetari Hajredin Kuçi dhe shefi i Grupit parlamentar, Adem Grabovci, të premten janë sjellë sikurse në këtë parti gjithçka të ishte në rregull.

Derisa Grabovci, përplasjet e së enjtes mes Krasniqit e Rexhepit i ka cilësuar si “vlera të demokracisë”, më i kujdesshëm është treguar Kuçi, i cili iu ka shmangur pothuajse secilës pyetje të drejtpërdrejtë për PDK-në.

“Ajo që e keni parë (në Kuvend) dhe do ta shihni edhe në të ardhmen do të jetë një frymë demokratike, do të jetë vlera të demokracisë, nganjëherë ka tejkalim dhe ne kemi qenë, jemi, dhe do të jemi gjithnjë kundër përdorimit të fjalorit joparlamentar në Kuvendin e Kosovës nga kushdo qoftë. Ajo praktikë, fjalët fyese, akuzat, shpifjet e tjera nuk i bëjnë nder askujt, prandaj, ne si grup parlamentar do të bëjmë përpjekje që ato t’i luftojmë dhe të mos lejohet që ato të kultivohen në Kuvend”, është shprehur Kuçi.

I pyetur nëse në Qeveri ka ministra që janë rrugaç, ashtu siç ka thënë kryeparlamentari Krasniqi, Grabovci ka thënë se këtë pyetje duhet t’ia adresoni të parit të Kuvendit.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së ka refuzuar t’i komentojë përplasjet e fundit mes anëtarëve të kësaj partie, ndërsa ka pohuar se Partia Demokratike e Kosovës ka fuqi të mjaftueshme ta tejkalojë, siç ka thënë ai, çdo mosmarrëveshje.

I pyetur për qëndrimin zyrtar të kësaj partie rreth deklaratës së Krasniqit, ai ka thënë se nuk donë të bëjë debat publik me kryeparlamentarin, me të cilin, sipas tij, takohet shpesh dhe bisedon për tema të ndryshme.

“A po iu dukem juve si rrugaç”, është përgjigjur ai kur është pyetur nëse në qeveri ka ministra rrugaçë.

Spahiu: Përçarjet s’kanë brirë

Analisti politik, Nexhmendin Spahiu, thotë se fjalori që po përdoret së fundi mes anëtarëve të kryesisë së PDK-së flet për përçarjen që e ka kapluar partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

“Kjo ashiqare është përçarje, por cilat janë përmasat, a shtrihet kjo në anëtarin e gjerë, apo vetëm në nivel të udhëheqjes, tani për tani kemi argumente që kjo është në nivel të udhëheqjes”, thotë Spahiu.

Ai thekson se në situata të tilla, anëtarësia e gjerë radhitet me atë që e shohin si më të fortë, dhe jo me atë që është më i drejtë, ose siç thotë ai, që duket më i drejtë sesa tjetri.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu